Press "Enter" to skip to content

Durim ÇAÇA: Poezi

Homazh (Nizar Kabanit)

Gjithçka mund t’përgënjeshtrohet,
përveç aromës së gruas,
që dashuron.

Ah, sikur malli yt të më përpijë
e të më shkulë si një muson!

Sa kam nevojë për një grua,
që të më trishtojë.

Për një grua, që të qaj në krahët e saj,
si një zog.

Që mbledh hidhërimet e mia,
si copëzat e kristalit të thyer.

Çdo gjë mund të jet’ e fshehtshme,
veç hapave të gruas,
që ecën brenda nesh.

Ah, sikur puthja e saj të më përpijë
e të më shkulë,
si një rrebesh…

Eskiz

Trembem se mos mbaron koha,
në sytë e tu kaq të kthjellët,
koha e përjetshme e yjeve,
koha e flakt’ e vetëtimës,
koha e rrall’ e oniksit,
koha e vetme e vdekjes,
koha e dhembshur e atdheut,
koha e artë e lotusit,
koha e gjallë e burimit,
koha e jaseminit të Zotit,
koha e puthjes së agimit,
ah, se trembem mos koha mbaron,
prej syve të tu kaq të kthjellët…

 

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento