Press "Enter" to skip to content

Brikena QAMA: Poezi

Qarkore

Im gjysh puthte çdo kafshore buke.
Im atë pyeste çdo udhëtar nëse kishte uri.
Ime ëmë më mësoi mos të bëj thërrime, se shkojnë dëm.
Unë sot hodha një bukë me koren e fortë për dhëmbët e mi.
Ai tjetri, me dhëmbë më të fortë se korja, vrapoi pas meje dhe e mori,
e qulli me lëngun e një domateje të zgërlaqur,
i hodhi pakëz ujë deti dhe, pasi lëpiu gishtat mirë e mirë,
u shëllërë sa gjerë e gjatë nën hijen e një pishe.

Një qiri i ndezur për ëndrrat e mbytura

Një varkë me ëndrra në fund të detit,
që gulçojnë e dalin në sipërfaqe çdo lindje e perëndim,
ditëve ngrohin brinjët nën diell,
netëve ngjyejnë lëkurën e tejdukshme në dritën e hënës
e fundosen sërish si amanet për të gjallët e tokës.
Ata duhet të kujdesen për to,
duke i pritur pafundësisht bregut.
Një ditë deti do të thahet,
por amanetin s’e tret as kripa
e pafundësisht do të ketë qirinj të ndezur në duar, bregut,
për ëndrrat e heshtura me ngjyrë të tejdukshme hëne.

* * *

Në kurriz të tokës,
gunga të larta e gropa të thella,
ku lartësohen e fshihen mëritë e gjithë botës.

 

 

 

 

 

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!