Press "Enter" to skip to content

Mimoza HYSA: Pjesë nga romani “Bijat e gjeneralit”

S’po më shqitesh, Marsinë. Më ke ngulur çaponjtë në bark. Të jetë ky fati i binjakeve të një veze? Pse u ndamë? Ne ishim ngjitur, jetonim ngjitur, si mund të kishte çarje? Çfarë ishim ne? Një eksperiment? Rrekem të kuptoj pse më duhet të të rrëfej ty çfarë më ndodh? Nuk jemi më një vezë. Më duhesh vetëm për luftë. Njerëzit, kur nuk kanë luftën, shpikin armikun. Për ta ndier veten gjallë. Për të pasur atë të ndryshmin, të urryerin, vendin ku të pështyjnë. Ti ke qenë xhami i pistë i banjave për mua. Ku më vinte ndot të shihesha. Të ruhesha si djallit. E tërë jeta ime ishte një mundim për të përballuar fatin tim të paracaktuar dhe fatin tënd, që ti e shkrove me duart e tua.
Ke qenë një turiste në jetë, Marsi. Nuk u ngule kurrë. Dhe turistët janë terroristë. Të paparashikueshëm. Të papërgjegjshëm. Bëjnë çfarë t’u pëlqejë pa marrë parasysh përgjegjësitë. Jeta nuk është një bredhje pa ideal, pa qëllime, pa vendngulje. Pa tabelë nderi. Pa mure. Ti duhet të ngulesh në një vend, të ngresh një gardh, të hedhësh rrënjë, t’i mbrosh me gjak, të mos lejosh njeri të t’i përdhosë. Ja, kjo është jeta. Jo të jesh erë e furtunë. Të ndërrosh gjuhë e fis, të duash çfarë është larg, të vrasësh çfarë është afër. Nuk është çfarë të shkrepet të bësh, por çfarë sakrifikon të jesh. Nuk kam hequr dorë nga kjo ide dhe as mendoj se do të heq dorë ndonjëherë, por do të isha më e qetë, sikur tani, pas njëzet e pesë vjetësh, të dija se ku dhe çfarë bëhesh. Që të mos më plasësh në dorë si minë.

 

***

“Bijat e gjeneralit”, historia e Marsinës dhe Martinës, dy binjakeve, bija të një ushtaraku të lartë në karrierë në kohën e diktaturës në Shqipëri. Ndajnë po të njëjtat dashuri për dy burrat e jetës së tyre: për babanë komunist dhe Jetonin “me kleçkë” në biografi. Dy zgjedhje të vështira që përgatisin një tragjedi. Një romanin psikologjik turbullues, i shkruar në vetë të dytë, si kërkim ngulmues i fajtorit tek tjetri, krejt i ngjashëm me veten. Personazhe të dyzuara, me zhvillime dhe përfundime të befasishme. Një rrëfim intim për seksin dhe dhunën, për sistemin dhe kaosin, për ndjenjën dhe detyrën, për ambicien dhe rivalitetin.

“Është pak a shumë një Hiroshimë, kur përmasat e katastrofës i shohim pasi vala goditëse ka kaluar dhe numërohen viktimat.
Viktimat janë: dëshira të vrara, zgjedhje të detyruara, liri të grabitura.
Duke përshkruar ndjesitë dhe jo direkt realitetin, pasojat dhe jo veprimin, autorja Mimoza Hysa ka mundur të realizojë më së miri një roman tronditës.”
Bashkim Hoxha

***

Mimoza Hysa, përkthyese, shkrimtare dhe studiuese shqiptare, e lindur në Tiranë në vitin 1967. Ka sjellë në shqip mbi tridhjetë vepra të autorëve të rëndësishëm të letërsisë italiane si: Giacomo Leopardi, Dino Buzzati, Eugenio Montale, Antonio Tabucchi, Claudio Magris etj. Është autore e tri vëllimeve në prozë: “Koha e erës”, 2004, “Vend/imi”, 2007, “Histori pa emra”, 2008, si dhe e studimit monografik “Esenca dhe ekzistenca e Isuf Luzajt”. Fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare si: Çmimin e madh të Përkthyeses së huaj të vitit 2014, dhënë nga Ministria e Kulturës së Italisë, Çmimin e Përkthyeses së Vitit 2018, dhënë nga Akademia Kult, Shqipëri, etj.

 

 

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento