Press "Enter" to skip to content

Oana GLASU: Konsiderata mbi romanin e fundit të Thanas Medi, “Valsi i një dasme fantazmë”

Arti i të shkruarit

Midis shkrimtarëve të së njëjtës gjeneratë ose periudhe, ekzistojnë ndryshime në vlerë ose ngjashmëri. Që kur e kam zbuluar, lexuar dhe analizuar, pata përshtypjen se Thanas Medi flet një gjuhë tjetër, si në përditshmëri, ashtu edhe në libra. Një gjuhë që të afron me jetën. Dhe jam e bindur që dallimet e bëjnë atë një shkrimtar shumë të mirë. Ai e konfirmoi dhe vazhdon të ruajë vendin e tij në podiumin e letërsisë, në vendlindje, pa dashur t’i referohem shtetësisë apo origjinës së tij, sepse e shoh si një shkrimtar universal.
Pasi lexova tri romanet e tij të para dhe tregimet, e pata të vështirë të krijoj një hierarki ndërmjet tyre. Secila ka vendin e vet për sa i përket temës që trajton apo mesazhit që përcjell. Por ajo që mund të them pas leximit të romanit të fundit, “Valsi i një dasme fantazmë”, është se autori dallohet dhe shkëputet përmes përmirësimit të stilit dhe ndërtimit të një prej romaneve më të mirë psikologjikë, i vendosur midis rrymës klasike dhe moderne, me ndërhyrje surrealiste. Autori i referohet vetvetes dhe na tërheq edhe neve në këtë aventurë, në një kohë të gjallë, një kohë të rimëkëmbjes, të cilën ai me mjeshtëri e përdor për të drejtuar fatet e personazheve, duke përdorur teknika të veçanta, të lidhura me portretin, dialogun, përshkrimin e atmosferës dhe monologun. Ky i fundit më dërgoi te James Joyce. Duke iu referuar magjepsjes së ndërtimit të monologut, vura re edhe këtu një mënyrë personale të shndërrimit artistik të një ujëvare mendimesh dhe imazhesh, që mbledhin tërë ngrehinën e romanit, i cili nuk është i bukur në kuptimin e parë të termit, por në kuptimin e një ndërtimi të përsosur. Monologu ka brenda tij deklarata dhe ese (këtu është një anë tjetër personale e shkrimtarit, të cilën ai e përfshin në tregim), histori, ngjarje të vërteta ose të ëndrrave dhe dialogje. Një monolog gjithëpërfshirës, i dhënë nga një qenie komplekse dhe dramatike.
Konsideratat e mia për romanin “Valsi i një dasme fantazmë”, të cilin e parashikoj një “bestseller”, falë temës, por edhe nga këndvështrimi i origjinalitetit të rrëfimit, vijnë në vija të përgjithshme, ndërsa mungesa e emrave të personazheve ose citimeve nga ana ime do ta lejojnë lexuesin të depërtojë vetë në të.
Dy linja kryesore më tërhoqën vëmendjen: mendimi i pastër dhe emocioni ekzistencial. I butë ose i revoltuar, brutal ose thjesht i sugjeruar. Më tej, seria e pamjeve të bashkangjitura në një moment dhe në stilin surrealist thekson në roman anën ontologjike, ashtu si edhe anën nostalgjike, të trishtuar. Aspekti rrëfimtar, biografik, përdoret si një kundërvënie e nevojshme për një ndërtim të tillë me aq shumë nivele tonale.
Me zgjuarsi, autori nuk i përcakton të gjithë personazhet e tij, por edhe kur ndodh, do të udhëhiqemi nga atribute, konkretisht nga frika, që është ndjenja mbizotëruese e romanit, të cilën, ne si lexues, e ndjejmë pothuajse fizikisht, ndoshta sepse shumë fraza, histori e përshkrime të ndjenjave na drejtohen pikërisht neve. Frika përshkruhet si një manifestim, por edhe si një mekanizëm i prodhimit si biologjik, ashtu edhe shoqëror. Pasi nuk ka një dashuri të vetme, por dashuri (në shumës) të specifikuara nga objekti i këtij emocioni, mund të flasim edhe për frikëra shumë mirë të paraqitura dhe të përkufizuara në romanin “Valsi i një dasme fantazmë”.
Bukuria e tekstit jepet përmes një transferimi të shpeshtë dhe spontan në rrëfim, nga personi i parë te personi i tretë dhe anasjelltas. Pa pasur nevojë për një rregull të këtyre ndryshimeve të perspektivës, sepse këtu funksionon intuita mashkullore, një art që do përmbushë së shpejti pritjet e lexuesve. Një alternim që të shkëput dhe të afron, të sfidon dhe të përfshin njësoj, për të qenë pjesë dhe për ta parë nga lart. Nga ana tjetër, më bëri përshtypje ajo pjesë e rrëfimit, ku, me rrjedhën e vetëdijës, personazhet shihen kur nga jashtë, kur nga brenda. Autori përshkruan imazhe në pasqyrë, por edhe misterin përtej. Nga mendja dhe trupi i personazheve.
Thanas Medi përpiqet të hapë me këtë roman dyert e mbyllura të qenieve të gjymtuara nga tragjeditë e historisë. Gjithashtu, mundohet të thyejë kasafortën e sekreteve të jetës së devijuar nga kursi natyror, fluturimeve të thyera dhe ëndrrave të varrosura, të cilat bëhen simbolet e shtypjes së nevojave të natyrshme të individit në kushtet e regjimeve totalitare. Kemi të bëjmë me një polifoni, një tufë zërash të dallueshëm dhe të theksuar, të cilët, në fund, kompozojnë simfoninë e fatit dramatik të çiftit ose çifteve.
Nëse lexuesi, pasi identifikohet me personazhet, duke ndjerë domosdo dëshirën, vuajtjet e fjalëve, deklaratave apo erotizmit, të para në kontekstin e një metatekstualiteti, i përkushtohet edhe leximit artistik, krijues, atëherë libri mund t’i japë surpriza që kurrë nuk i ka shpresuar. Autori përcakton kufijtë e rënies dhe veçanërisht të gruas. Ai përshkruan bukurinë e saj, pothuajse mistike, duke krijuar një portret absolut, për të cilin përdor një estetikë të shkëlqyer. Gjuha me të cilën autori përshkruan gruan, shprehjet që emërojnë tipare të jashtme dhe të brendshme, nga bota femërore fizike dhe mendore, me të gjitha fantazmat, përvojat e ritmin, lind një konfigurim të veçantë të stilit.
Dashuria, si një formë mbijetese, bëhet sinonimi i ajrit, i cili lëviz sipër humnerës, por që më pas ngrihet përmes vdekjes si çmim i fundit. Dhimbja vazhdon në një të qarë të pashuar, si një i vdekur i pavarrosur. Lufta për çlirimin e vetëdijes ndodh me çdo sekuencë, me kalime nëpër të gjitha ngjyrat e një ylberi të imagjinuar, por që kurrë nuk u pa.
Një veçori tjetër e stilit të autorit është sinqeriteti i tekstit. Një stil intuitiv, i pakërkuar, por i ushtruar, larg çdo teatraliteti të efekteve stilistike. Po ashtu, Thanas Medi ndërton skena të erotizmit të natyrshëm, duke iu shmangur kurthit të vulgaritetit.
E pashë këtë si një roman drejtuar brezit tim, por edhe si mësim për të rinjtë, të cilët nuk e njohin apo nuk e kuptojnë kohën e shkuar. Në romanin “Valsi i një dasme fantazmë”, dora është përdorur fatalisht për të mbyllur gojën duke vrarë, nëse buzët presin momente të vjedhura për puthjen e natyrshme, nëse krahët dridhen dhe erotizmi shfaqet i mbytur, ndërsa ne sot i përdorim të lirë për ledhatime, puthje dhe përqafime. Mbase ka ardhur koha të heqim dorë nga nostalgjia hipokrite për një periudhë që ka rrëmbyer, mbytur dhe vrarë çdo shpresë. Dhe jo vetëm.

 

Oana Glasu u lind me 13 shtator 1975 në qytetin Corabia, në jug të Rumanisë. Ka mbaruar studimet universitare në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega e Gjuhësisë, pranë Universitetit të Tiranës, në vitin 2001, ndërsa në vitin 2003 mbaroi studimet për gradën shkencore “Master në gjuhësi”. Në vitin 2010 u diplomua gjithashtu në Fakultetin e Psikologjisë, në Rumani. Është bashkëpunëtore e përhershme e revistës kulturore “Oltart”, ku publikon artikuj për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, si dhe përkthen autorë shqiptarë, që i publikon nëpër revista letrare rumune. Ka marrë çmimin “Euterpe” për poezi në një konkurs kombëtar, në 2018, kurse në 2019-n një çmim tjetër kombëtar i solli edhe botimin e vëllimit të parë. Poezia e saj botohet në shumë revista letrare rumune. Punon në bibliotekën e rrethit Olt.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!