Press "Enter" to skip to content

Brunilda SPIRO: Poezi

Më puth ngadalë

“Të puth zemër dhe qortoj veten që s’të kam puthur aq shumë”

Më puth në ëndërr, por ngadalë!
Njëlloj si nanurisja e reve dembele, nën një diell të plotë.
Me një puthje të shijshme, si buka e sapopjekur,
që tret gjalpin mbi tulin e vet
dhe gjuha buzësh, thërrimet e kënaqësisë,
si farë qiellore në portat e trupit i tret.

Një mijë puthje, por ngadalë,
si era vjeshtuke, që kënaqet kur gjethet rrëzon,
në tokën e dehur nga freskia e saj.
Të shijshme si çokollata e zezë,
që grykës rrëshket ëmbëlsisht e ngrohtë
e rrjedhën e kohës e ndalon për pak,
duke më mohuar ajrin si Zot i padukshëm.

Më puth! Nuk qenka më natë;
Shkallaren e fundit zbriti Dielli…
I vetmi që më puthi sytë.

Nëntor 2017, USA

Grua

Unë të them: jam grua!
Ti më thua: je Toka! Jam edhe Ajo.
Në një çmendje të zjarrtë mes meje dhe teje,
prej mushkërisë fryva zjarr.
Lavjerrësi u tund më shumë se ç’duhej,
nuk kishte të kundërt për t’i barazpeshuar.

Unë të them: jam njeri!
Ti më thua: je Qielli! Jam edhe Ai.
Më mirë mos të gjesh asnjë shpirt, asnjë Unë!
Se ti pastaj do e ndash në njëmijë
dhe si gjithnjë do ia prishësh magjinë.

Është më mirë që nuk më njeh!
Pasi unë eci në rrugë gjarpëruese të një shtegëtimi,
të lirë dhe të pavarur nga Ti.

Provoje ajrin ta rrokësh, a mundesh?
Provoje ujin ta mbash duarve, të rreshqet.
Provoje zjarrin ta shuash, të djeg e përvëlon.
Provoje mimozën ta prekësh, pushin të lë…

Unë nuk jam reaksion i kërkesave të tua;
Unë jam Grua…
Jam gjëja më e ndërlikuar e botës.
I ngjaj trurit njerëzor me mijëra degëzime,
e nëse do më doje vërtet, do më zgjoje maksimalisht.

Kaq shekuj më ke pranë dhe çuditem
që akoma nuk më njeh!
Unë jam portreti interesant, që ti e njeh mirë.
Me gjithë vetëmohimin tim të pavullnetshëm,
dashuria na e pasqyron mbrapsht vetveten.

Nëse nuk kërkohemi, si do gjendemi?
Nëse më kërkon në pyje, një Amazonë do rikthehem.
Mposhte frikën, se ndryshe më mirë të vras!
Në muret ku më flijuan t’i bëja të fortë,
jam Rozafa – nuse e mashtruar, që qumësht pikoj.
Guret për mua me thonj rrëzoji e më gjej!
Jam Izabela e Mesjetës, që Spanja e çmendur
më murosi të gjallë në një mur me foshnjen,
që ende përpiqem jetë t’i jap…

Më merr nuse, se djajtë e kuq,
kur së bashku me foshnjën e mëkatit të dashurisë,
helm më dhanë,
më veshën fustanin e bardhë
dhe, me lot krokodili, nëna e babai më qanë…

Unë jam gruaja-nënë,
që të polla e ti më vret kur do
e pastaj më përbuz.
Por, une përsëri lind e lind legjendash
e mes tyre fshihem tinëzisht,
që me hiret e mia të të çmend.
Dhe skllav i të paarritshmes të mbetesh pambarimisht…
Se unë jam një pamundësi normale.

Nuk po gjendemi?
Sikur fajin ta ndanim të dy?
Unë përsëri jam, megjithëse me makeup
ndryshohem më shumë se më parë.
Toka-Unë, huazuar çekulibrimet kemi,
si brenga të gdhendura shekujsh të marrë.

Do jem!
Se unë jam, isha para teje dhe meje,
projekt i mirëmenduar dhe i vështirë.
Unë jam rrënja, degëzimi dhe fruti,
Unë jam gjurma e së shkuarës,
ku ti do ecësh në të ardhmen;
Në një rrugëtim me kokën kthyer nga Unë…

 

Mall për Lulin e vocërr

Në një orë letërsie,
komentoja Migjenin.
Trishtim i verdhë
ngjyroste zërin tim:
“…fytyra të zbehta,
sy të jeshilta…
Këpucë të hapura si gojë,
që të kafshojnë”.

Zz-pllaq-ysh- zysh-pllaq!
Emërtimi im,
përtypur me çimçakiz,
çapitur mes hapash,
që shkëlqejnë prej
këpucëve “Dolce & Gabbana”,
një faqekuq zëzvargur më flet:
Zysheee-ee, të dal pak jashtë?

Imzot,
për Lulin tënd,
sot ndjeva mall…

(Shkëputur nga libri: “Dashuritë e mia”.)

 

Pak fjalë për librin nga Vjollca Thimo Lubonja

Pas një suksesi të arritur me vëllimin e parë poetik, të titulluar “Kur ti vjen”, promovuar në nëntor të vitit 2014, në Panairin Kombëtar të Librit, në Tiranë, botuar nga shtëpia botuese “ELVE”, Brunilda Spiro vjen me një libër të dytë me poezi, të titulluar “Dashuritë e mia”. Me siguri lexuesi do të ndihet mirë duke marrë këtë libër në duar, pasi, jo vetëm tematikat, stili dhe mënyra e të shprehurit janë të veçanta dhe ekspresive, por, mbi të gjitha, gjuha e pastër dhe e ngrohtë, figurat letrare të mirëpërzgjedhura janë si një ujëvarë, ku kalon magjia e fjalës poetike.
“Admiroj dashurinë e përjetshme të natyrës dhe kërkoj të ngjashme në mes njerëzve. Dashuria, kjo ndjenjë mistike dhe përtej nesh, i lidh të gjitha poezitë e mia. Për mua është e rëndësishme, pasi kjo ndjenjë është motivuese, jetësore, ringjallëse…” – thotë poetja.
Dhe në vargjet e poezive, lexuesi do njihet me dashuritë shumëdimensionale të poetes duke kuptuar se sa shumë e jeton dhe e përjeton ajo jetën, duke ndjerë njëherazi si aromën e lumturisë në familje, në shoqëri, në punë dhe në retrospektivën e kujtimeve të saj ndër vite, ashtu dhe shijen e lotëve të dhimbjes për familjarët që i mungojnë, të merakut dhe shqetësimit për ata që i ka larg, të mallit për miqtë, kolegët, nxënësit dhe për vendin që është e mbetet për të “mbreti i të gjitha dashurive”.
Ju urojmë lexim të këndshëm!
Librin e gjeni te libraria “ELVE”.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

You cannot copy content of this page