***
Të gjitha buzëqeshjet t’i lash në duar,
në prehër,
kur ulur të gjeta në oborrin e hënës,
mes luleve, që ujiste nëna,
duke ofsharë prej dhembjes.
Nga supet e tua,
rridhnin ujërat e blerta
të pyjeve.
Ti, me buzëqeshjet e mia,
ndeze yjet e mbrëmjes;
qiell pas qielli, deri tek i shtati:
në shtat e në shtrat!
Dhelprat tufuan bishtat e u fshehën pas zogjve,
në vrimat e fyejve u kthyen këngët e kënduara prej agimit të parë,
një për një i lëpimë pikat e vesës mbi trupat tanë,
të shtrirë në bar,
hëna në oborr e ne në oborrin e saj.
Kam prapë buzëqeshje për ty;
s’më shterin kurrë!
Ulu e prit,
hapi krahët, hapu,
mbështetur te kumbulla e vjetër.
A e ndjen rrjedhën përvëluese në prehër?
***
Nisesha drejt teje,
rrëzë mureve,
ku vareshin kulpra, lule, lastarë.
I nxehtë asfalti dhe kraharori flakë;
Ndalesha për një bozë,
birrë a limonadë.
Flutura dilnin prej syve të mi;
qe stinë e thatë.
Pa shi.
Të njëjtën rrugë merrja në kthim,
numëroja puthjet, zogjtë,
hapat, pllakat në trotuar,
fluturat, karkalecat
dhe gjurmët e tyre mbi bar.
Merresha me sende të përtokëshme,
për të ruajtur imazhin tënd yjor,
por a i shpëton bryma e mëngjesit,
diellit veror?
***
Nga rënkimi pangjyrë
i parfumit tënd,
rrëzohen muret e rezistencës.
Lakuriq, ushtarët këputen si qimet,
nën tehun e briskut pa mend.
Kopshti i vjetër i luleve,
merr frymë nëpër damarë,
qerpikët e gjatë, me rrënjë në vesë,
palohen të dehur nga
shkëlqimi i buzëve.
Besnikëria, ushtar i saj i paepur,
vdes brenda meje,
mbi kokën e varrit të tij të trishtë,
ngihet statuja
e epshit të etur.
Si eshtrat e ushtarit besnik,
statuja e epshit dhemb,
mbi rrënimin tim valvitet,
vegimi pa ngjyrë,
rënkues, i parfumit tënd.
***
Në kokë zukatje avionësh, si miza të sëmura,
që sillen mbi një pellg të tharë,
në trup – diej të zbehtë dhe zogj,
të tulatur nën një qiell të shpërlarë.
Kollitje të thata, si krisje kallamash,
kukurisje komandash prej kullash kontrolli,
petale metali të ndryshkura, që era i ndali,
nën thundrat e drunjta të një kaprolli.
Befas më fryjnë tërthor në kraharor,
shikime e miklime të një stine tjetër,
duart më dridhen nga parkinsoni apo emocioni,
si gjethet e lajthishtës kur i tund një ketër.
Shkundem shpejt pas kësaj sekonde,
kur ti shtron krifën e flokëve pas kreje,
ngjallem mes gjelbërimit si bungu i vjetër,
burrë me një turrë plage nga gjuajtje rrufeje.
Prapë e bukur duket një flutur krahëkëputur
e bungu me trung zgavruar, i mbushur filiz,
se vitet pa mëshirë na heqin lastar hijeshie,
siç zhvishet lulnaja e qershisë, kur bie kokrrizë.
***
Përkulet,
përkulet burri i Alpeve,
mbi lule e liqene,
për më tepër përulet;
në gjemba bie në gjunj, si qengj,
burri i Alpeve, me kocka kuarci.
Hijeshia e shpirtit e shtrin burrin,
që duket si shkëmb kryeshkretë,
përkulet si qafë xhirafe mbi krua,
burri që, sipas letërsisë raciste,
e imagjinojmë me pushkë në sup
e emër të egër.
Përkulet,
përkulet burri i Alpeve,
kur kalon pranë një grua.
Besomëni!
Edhe pse s’bëhet fjalë për mua.
(Redaktoi: Ornela Musabelliu)
Të tjera nga ky autor:
- Rudolf MARKU: Cikël poetik
- Hermann HESSE: Cikël poetik
- Ndue UKAJ: Cikël poetik
- Anila VARFI: Cikël poetik
- Arjola ZADRIMA: Cikël poetik
- Irena Ngucaj Scirè: Cikël poetik
- Erina ÇOKU: Cikël poetik
- Arjola ZADRIMA: Cikël poetik
- Gentjan HASANAS: Cikël poetik
- Sarë GJERGJI: Poezi
- Andi KOSTA: Cikël poetik
- Agim PIPA: Cikël poetik
- Ricarda HUCH: Cikël poetik
- Nelly SACHS: Cikël poetik
- Supet
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.
Be First to Comment