Press "Enter" to skip to content

Albana M. LIFSCHIN: Vjehërr amerikane (Novelë. Pjesa 5.)

Sekretet e moshës

Kohët e fundit, vjehrra ka marrë një apartament të këndshëm në bllokun e shtëpive dykatëshe ku banojmë ne. Kur mbushi nëntëdhjetë vjeç, vendosi ta shiste vilën e të blinte një apartament me dy dhoma e një kuzhinë. Vila qe e bukur, dykatëshe, por donte punë për ta mbajtur. Me mobiliet e saj, të stilit të vjetër, kompletoi apartamentin, që ka marrë një hije aristokratike. Dy abazhurë të mëdhenj vendosur mbi dy tryeza të larta katërkëndëshe, me një rimeso ku mund të shihesh në të, janë vendosur pranë kolltukëve… Një bufe e viteve ’60 është zbukuruar me pjatanca porcelani, që mund t’i shesësh shumë shtrenjtë në dyqanet e antikuarëve. Në tryezën e mesit ka vënë një çentro të punuar shumë hollë me grep, dhuratë prej meje. Unë nuk i përdor më çentrot, kurse sime vjehrre i mbetën sytë te puna e saj e imët dhe ua tregonte shoqeve.
Ato e vizitojnë katër herë në javë. Janë të gjitha më të reja se ajo. Më e reja është Lina, që ka njëzet vjet diferencë me vjehrrën time. Ime vjehërr thotë se shoqërimi me to e mban të re. Nga ana tjetër, si më e vjetra që është, ato e respektojnë dhe i kërkojnë mendim, kur kanë ndonjë problem. Zakonisht mblidhen e luajnë kanasta në shtëpinë e vjehrrës. Herë njëra e herë tjetra vijnë dhe e marrin për të ngrënë drekat jashtë. Nga restoranti kthehet gjithmonë me ushqimin e mbetur, të paketuar, të cilin e fut në frigorifer dhe e alternon me atë të një dite më parë ose të një dite tjetër më pas. Dollapi në korridor gjithashtu përdoret për ushqime. Eshtë i mbushur me radhë kavanozash e kutish të ndryshme, sallata dimri, ullinj gjithfarë ngjyrash: të zinj, të kuq , kokërrmëdhenj të gjelbër, të mbushur me spec të kuq brenda, paketa me bukë të thekur, biskota etj.
Në frigorifer ka nga të gjitha llojet e akulloreve: vanilje, çokollatë, luleshtrydhe… Me një fjalë, është e siguruar për çdo të papritur, dimërore ose verore…

E vjetër apo e re?

Ju kam thënë se, kur u takova për herë të parë me vjehrrën, ajo ishte 84 vjeç dhe ndjeva një lloj shqetësimi. Sipas mentalitetit që kisha sjellë me vete, e gjykova si një moshë përgatitore për andej, që do të thoshte një dhembje në rrugë e sipër.
Shumë shpejt mësova që shqetësimi im ishte i parakohshëm. Sa herë që nxitoja ta ndihmoja vjehrrën për ndonjë punë, ajo më ndalte: “Të lutem, nuk kam nevojë për ndihmë”. Një ditë, im shoq, me takt, më dha të kuptoja se mamaja ishte “ende e re dhe nuk i vjen mirë ta trajtojnë si grua plakë”. Dalëngadalë u çlirova nga shqetësimi se mos më vdiste vjehrra dhe u mora me jetën time. Që atëherë kanë kaluar 13 vjet dhe ime vjehërr nuk ka ndryshuar shumë. Kohët e fundit ka filluar të më kërkojë që ta ngre zërin kur flas me të në telefon. Është e qartë që nuk dëgjon më si më parë, por nuk e thotë.
Gushti është muaji i ditëlindjes së saj. Këtë vit ajo mbush 94 vjeç. Ditëlindjet ia festojmë jashtë shtëpisë; zakonisht shkojmë te një restorant buzë oqeanit ose te “Kasa Pepe”. Ajo zgjedh gjithnjë llabster në menu. Vë grykashkën dhe e thyen lëvozhgën e kuqe të karkalecit me darë, ndërkohë që im shoq e vëren se mos ka nevojë për ndihmë, kurse unë ruhem se mos kërcen ndonjë copë karkaleci nga pjata e vjehrrës. Unë nuk porosis kurrë llabster, se nuk dua të ndotem. Njollat në rroba i urrej, ndaj marr diçka më “safe”. Me pijet bashkohem me të. Zakonisht të dyja porositim “frozen margarita.” Në fund, si ëmbëlsirë, akullore me katër ngjyra të ndryshme. Vjehrra ime, me nepsin e një të reje, zgjat lugën t’i provojë që të katra llojet…
”E di që jam nepsqare, – qesh ajo, – po ç’të bëj? Më ka mbetur ky zakon.”.
Kujdesem gjithnjë t’i blej dhuratë për ditëlindje. Asaj i bëhet qejfi shumë. I pëlqen të gjitha llojet, veshje a stoli qofshin. Kohët e fundit u gëzua që i bleva një të kuq buzësh që mban 24 orë.
– Si nuk e paskam ditur unë që ekzistoka një i tillë?! – tha.
E sqarova që e kisha blerë te “Walgreens”, farmacia që është në bllokun tonë. Ngriti sytë e habitur.

Silvia ka bojfrend…

Më la pa mend kur hapi bisedën e një shoqes së saj 85 vjeçe në Oregon, e cila kishte zënë një bojfrend. Ja, për pak e vura në thonjëza fjalën “bojfrend”, sepse ende nuk mësohem ta shoqëroj dot këtë moshë me marrëdhënie dashurore.
Biseda lindi krejt rastësisht, pikërisht në drekën e ditëlindjes së saj.
– Silvia, – tha papritur ajo, – më ka ftuar në Oregon këtë fundjavë.
Im shoq dhe im kunat kthyen kokën nga ajo.
– Do të shkosh në Oregon? – pyetën ata thuajse njëzëri.
– Po, këtë fundjavë. Ma ka prerë biletën.
– Shko, mama, pse jo? Me pushime je, – tha Xhejmsi.
Vjehrra qeshi, duke zbuluar dhëmbët e saj të bardhë. Më ra në sy që dy dhëmbët e mesit nuk e kishin më boshllëkun midis tyre. “I paska mbushur!” – thashë me vete. Më kishte thënë se nuk i kishte pasur kurrë të ndarë. Ndaj i qe bërë merak. Ishte shumë e rregullt me vizitat te mjekët. Sigurohej që gjithnjë të ishte “xixë”.
– Unë me pushime kam që dyzet vjet, Xhejms, nëse të kujtohet, – iu përgjigj ajo shakasë së të birit.
– Ç’hall ka Silvia? – pyeti im shoq. Unë ndërkohë po vrisja mendjen se kush do ta shoqëronte që nga Nju-Jorku për në Oregon. Duke pasur parasysh edhe një ndalesë avioni në San Francisko m’u duk rrugë tepër e gjatë për një 90-vjeçare.
– Kush është Silvia? – pyeta unë.
– Silvia është një shoqe e mamasë qysh në shkollën fillore, – m’u përgjigj kunati, – është pesë vjet më e re se mamaja. Kur ishin të vogla, mamaja ishte komandante …
– Silvia ka një hall, – filloi të tregonte vjehrra. – Kohët e fundit është njohur me një xhentëllmen. Zotëria i vjen në shtëpi, e merr për dreka jashtë, shkojnë në koncert, në kinema… Mirëpo dikush ka filluar të bëhet xheloz, – vazhdoi ajo.
”Dashuri në kohën e kolerës”, – më shkoi nëpër mend mua.
Im kunat e la për një çast pirunin mbi biftek.
– Kanë hall se mos martohet Silvia dhe e ndan trashëgiminë me bojfrendin, kështu?
– Ndoshta, – tha vjehrra.
– Sa vjeç është xhentëllmeni? – pyeta unë.
– Ai është më i ri, tek të tetëdhjetat. E nget vetë makinën, ka shtëpinë e tij. Ka vetëm një vajzë. Xhentëllmeni është nga Kanadaja, – sqaroi ajo.
– Po ku janë njohur, kështu?
– Në anije. Silviës i pëlqejnë shumë udhëtimet me anije. Udhëton shpesh me kruz. Natyrisht vetëm.
Këtë radhë duket “harrova” unë të haja. Vjehrra e kapi habinë time
– Tani… do të pyesni ju: a janë në gjendje të bëjnë seks ata? Këtë unë nuk e di. E dashur, mos do pak llabstër nga imi? Ka boll këtu, më duket se u fryva.
– Jo, mama, salmoni qenka shumë i shijshëm, – thashë unë, e sigurt që fytyra ime ruante ende shprehjen habitore.
– Ta provoj pak?
Ia afrova pjatën.
– Oh, jo, jo, më jep vetëm pakëz me pirunin tënd. – I preva një copë dhe ia vendosa në pjatë. Më falënderoi duke vënë buzën në gaz. – Ti e di që kam neps, – më tha.
Po, e dija që ajo kishte nepsin e një të reje dhe kjo më dëfrente.
– Mama, na trego ç’do të të thotë Silvia për këtë punë, herën tjetër që do të mblidhemi sërish, – tha im kunat duke kthyer gotën e verës.

Vjehrra shkoi në Oregon. Vetëm. Në mbrëmje vonë na telefonoi prej andej. Na tha se kishte mbërritur në kohë dhe shumë mirë. Silvia e kishte pritur në aeroport.
– Dhe a e merrni dot me mend se ku jemi tani?
Nuk kishim si ta merrnim me mend, por atje koha është tri orë pas Nju Jorkut, pra duhej të ishte ende pasdite.
– Jam në stadium me Silvian, – na tha gjithë gëzim,- nipi i saj po luan me skuadrën e tij e Silvia donte që ta shihte këtë ndeshje. Pas lojës do të shkojmë në shtëpi.
Im shoq e vuri telefonin në vend e ra të flinte. Unë u ula në divan për të vazhduar filmin që po ndiqja, por s’më hiqej nga mendja vjehrra ime 90-vjeçare në stadium, pas gati nëntë orësh udhëtim me avion.

* * *

Ajo doli nga kuzhina me një gotë ujë në dorë dhe iu afrua tryezës në dhomën e ngrënies. Nxori gjashtë tableta të vogla me ngjyra të ndryshme.
– Vitamina?
– Jo, kjo këtu është gjysmë aspirine. E kam pirë tërë kohën. Këto të dyja janë kalcium për kockat. Këtë si xhel e marr vetë, se është për kujtesën. Këto dy të tjerat janë për… hëm… hëm, eh, kush i mban mend? Doktori m’i ka dhënë, puna ime është t’i pi… – tha ajo duke vënë buzën në gaz.
Kisha shkuar te vjehrra atë mëngjes, pasi im shoq më kishte thënë se ajo nuk ndihej mirë pas kthimit nga Oregoni. Nuk kishte fjetur pothuajse fare një natë më parë nga dhembja e krahut e ndoshta kishte nevojë për ndonjë ndihmë. Mua më ra në sy menjëherë që ajo s’ishte mirë atë mëngjes, edhe pse më priti buzagaz si gjithmonë. Te shtrati i saj pashë një dorezë-këllëf, ku e fuste dorën, kur kishte dhembje te gishtërinjtë. Ia kishte këshilluar mjeku.
Ra zilja e telefonit dhe unë nxitova ta kapja, që ajo të mos mundohej të zgjaste dorën.
Ishte shoqja e saj, Lina. I thoshte që do të vinte ta merrte për të ngrënë drekë jashtë.
– A do të jesh gati nga ora 12 e gjysmë? – e pyeti ajo.
– Patjetër, – iu përgjigj ime vjehërr.
– Mama, – i thashë, pasi e vura receptorin në vend, – më duket se sot ke nevojë të pushosh… Natën s’ke fjetur mirë.
Ajo vuri buzën në gaz :
– Nuk është problem i madh. Do të pushoj kur të kthehem. Nuk është mirë të ankohesh. Nuk ka njerëz më të bezdisshëm se qaramanët. Kur shoqja të merr në telefon, të merr për kënaqësi. Njeriu bën shoqëri me ata me të cilët ndihet mirë. Pastaj, Lina me siguri do të dijë për Silvian. Nuk i durohet.
– Si ia kalove në Oregon? – s’m’u durua as mua.
– E kaluam shumë mirë, u kënaqëm. Gjithnjë kënaqem kur shkoj tek ajo. E bija, brenda territorit të shtëpisë së vet, ka ndërtuar edhe një shtëpi të vogël për Silvian. Kanadezi kishte qenë disa herë në shtëpinë ë saj, – tha ajo duke e vënë pjatancën e frutave mbi tryezë.
– Po fëmijët e Silviës ç’thonë?
– Çfarë mund të thonë fëmijët? Ata duan ta shohin mamanë e tyre të lumtur. Ata s’e kishin fare problem që ajo shoqërohej me atë zotëri. Problemi qëndronte me vajzën e Markut, të atij kanadezit, të paktën kështu mendonte Silvia. Ai është shumë i pasur dhe paratë ia administron e bija. Disa herë e kishte marrë në telefon të bijën, që t’i dërgonte para prej andej, kur rrinte te Silvia. Ai ka një vëlla që ka avion të vetin dhe që e sillte Markun nga Kanadaja, sa herë që donte të vizitonte Silvian.
– Po si ndodhi që u prishën? –pyeta unë që nuk kuptoja si mund të prisheshin dy të moshuar, që s’kishin asnjë preokupim tjetër, veçse të gjenin bashkëshortin e fundit…
– Ai kishte festuar 80-vjetorin dhe natyrisht i kishte bërë ftesë edhe Silvias. Madje i vëllai shkoi që ta merrte… siç bënte zakonisht.
Silvia nuk është shumë tërheqëse, por është grua me personalitet, shumë e zgjuar dhe bëhet tërheqëse në bisedë.
Ai, Marku, ishte një burrë i gjatë dhe i pashëm. Silvia më tregoi albumin me fotografitë që kishin bërë bashkë. Kështu, ajo shkoi në ditëlindjen e tij, mirëpo u kthye shumë e fyer. Marku e kishte injoruar komplet. Nuk e kishte paraqitur te miqtë e tij dhe nuk ishte marrë me të. Ajo qe ndier si jetime. Megjithatë s’e kishte bërë veten. Përkundrazi, u shoqërua me të gjithë miqtë e ftuar dhe me shumë mirësjellje u largua prej andej. I vëllai i Markut e solli në shtëpi. Ajo u ul dhe i shkroi Markut një letër, ku e vinte përpara pasqyrës sjelljen e tij aspak prej xhentëllmeni, dhe në fund i thoshte “bye, bye”. Që atëherë nuk iu përgjigj asnjë përpjekjeje të tij për afrim.
Nuk folëm për një copë herë. Në përfytyrimin tim i kisha zbritur në moshë (nuk e di pse) dhe më dhimbsej Silvia me dramën e saj dashurore.
– A ke foto të Silvias?
– Si jo? Ti nuk e mban mend, por ajo ka qenë në dasmën tuaj. Ja, shiko këtë foton e madhe të familjes atë ditë. Është kjo gruaja e vogël këtu, pranë meje.
Qe një grua me flokë kapelon me dy sy të thellë e buzëqeshje të sinqertë.
– Do të ketë qenë e bukur në moshë të re, – thashë unë, që të dashuruarit nuk i kam menduar kurrë të shëmtuar.
– Ka qenë tërheqëse… Ende është, – plotësoi vjehrra
– Mama, a të të bëj një pyetje? – Po përtypesha unë. – Për Silvian dhe atë kanadezin… Domethënë në atë moshë e besoj që njeriu ka nevojë për shok, për dikë me të cilin të komunikojë, të vrasë vetminë, por…
Vjehrra e kuptoi se ç’po përpiqesha të thosha, ndaj nuk më la të mundohesha:
– Çuditërisht, viagra kishte bërë punë.

(Vijon)

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento