Press "Enter" to skip to content

Erina ÇOKU: Cikël poetik

Apostrofë e gruas

O lumturi e mospasjes,
zbrazje e drojës
e davaritje që nuk ndodh,
grua e imët e shndërruar në gjendje,
në lëndë pa formë,
si plazma e ikshme.

O krijesë vetmore
e pashndërruar në rrjedhë,
për të gjitha enët që has
e thyhen pa të nxënë,
që gjakosjet ndërmendin
e të gjallët të kujtojnë.

O kënaqësi e varfër e udhës së drejtë,
ku asnjë zjarr nuk lutet më mirë
se jehona e frymës së një krijese të vetme.
O grua e vogël që dot s’rritesh
e qan pak më shumë
se loti vetë.

O liri çjerrëse e gjërave,
që rrëshqasin mureve si hije
e s’bëhen dot më shumë
se dora mbi buzë
dhe nata që mbyll sytë
e brenda mban zjarrin,
që kockat t’i shkrin.

O kafkë e hollë e gruas,
më e lumtur se e plota,
dhe më gjysmë sesa një dëshirë e mohuar,
qeshu gjer në dhimbë
për të paplotën e përkorë
e mate dimrin me mornicat
nën lëkurën tënde të butë!

O stinë e thellë e dorës,
që rrëshqet e lëmuar mbi një tjetër dorë
e mban fort atë shi,
që nuk e mbledhin dot vranësirat
dhe nuk e shpërthejnë dot kthjellimet.

O mot i gruas në ahtin e burrit,
që nuk të ndodhin përqafimet
e koha të mat me hapa,
që arratisen pa asnjë vrap.

O dënesë e filizit të thyer,
mbjellë në rrugë anësore,
që bartesh si plagë në zverk.

O fjalë që mbillesh
në motin mes shpatullës e qafës
e që të ndien lëkura më parë se veshi.

O lumturi e vakët dhe e përjetshme e tkurrjes,
që nuk je krejt çka thuhet,
por as e gjithë e pathëna,
ti brejtje hollake e pandërprerë
e gruas brenda gruas.

O mur i vjetër
me fije nervore që zgjaten e mblidhen
si llastik në terr,
buzë e sipërme mbi të poshtmen
ku puthja zë fill,
o mur i ri, me frymë
që humb si avulli në gur.

O e thjeshtë e hirshme e gjallimit,
dhe e mbarueshme si vdekja,
zë i turbullt që i mvishet trupit
e tingull i tejdukshëm që lëshohet prej mishi.

O jetë e zhveshur prej zhurmave
drejt e në damarë si gjaku,
puls i nxehtë në kyçin që dridhet
e flet për dashuri e frikë,
o shpirt i lakuriqtë e i përhumbur
në dërrasën e epshme të kraharorit.

Poemë gruaje

Kam me ikë dikur,
ishull i ri i veshur me ujë
atje ku varkat e tua nuk i këndojnë dot lundrimit,
atje ku udhët e tua bardhë e zi nuk mbërrijnë,
por dredhojnë si shteg gjarpërues në mal.

Kam me ikë dikur;
të gjitha gratë ikin
dhe të gjithë burrat bëjnë sikur ikja u përket,
mandej mbeten me një zgavër në kraharor,
të peshës që iku aq e rëndë.

Është herët për drejtpeshën tënde,
peshorja jote po ndërtohet aq ngadalë,
me mishin, ashtin e gjakun e trupit që je,
fryma ime t’i ka mbushur hojëzat e trupit,
e lehtë dhe e padallueshme
dhe unë qelizohem në tejzat e tua,
(në të gjitha tejzat e tua)
tinëzare dhe e dashur,
sikur të isha e kuptimtë,
sikur të isha e butë dhe e ngrohtë,
sikur të isha gjithsej mungon brenda teje kaq kohë.

Kam me ikë dikur,
ndërtim i botës nga fillimi,
atje ku shpirtit i dalin tingujt lakuriq,
atje ku tejzat kanë një amplitudë të matshme,
në thellësi të ujit, në thellësi të limfës.

Kam me ikë dikur,
po jo si të gjitha gratë ikin,
më shumë si motivet e një mozaiku,
që në fillim krijojnë thelluke mes tyre,
pastaj largohen një e nga një,
me një lamtumirë të domosdoshme,
se unë jam shpërbërje pa ngut,
pa fillesë, pa emër, pa kujtesë,
mua nuk më ngjan askush, asgjë,
ciflat e mia do të hyjnë në qenien tënde,
do të të mahisin, do të të krijojnë
dhe ti nuk do ta njohësh më veten.

Kam me ikë dikur,
sikundër ti më do të ikshme,
fjollë e lakueshme në vende me dritë,
po aq e bukur sa dje kur më deshe të ardhshme,
jo aq e bukur sa nesër kur të të zgjohen vetmitë
e të ndiesh mbi lëkurë sythat e mi që çelin pa lajmërim.

Është herët për ty
të ndiesh bimën që do të bëhesh,
me shenjat që të kam lënë nën lëkurë,
duke krijuar hartën që kërkonte zemrën tënde,
duke u trandur kur duart prekën të tuat duar,
është herët, por jeta qenka aq e vonë,
për dashurinë që nuk i ndan motet,
po pret që hëna të bëhet diell e shiu re.

Herët, herët, herët,
si dje, si sot, si tani,
si kjo mbrëmje, që shket e lëmuar trupit tim
dhe më pyet: këtu je ende, moj grua?

Nata

Nata shtrihet në shtratin e një gruaje,
e thellë, e errët, e heshtur.
Dendësohet.

Nata shtrohet në shtratin e një gruaje,
e largët, e afërt, e ngrohtë.
Grumbullohet.

Nata shtriqet në shtratin e një gruaje,
e hollë, e lehtë, e lakuar.
Lëkundet.

Nata shteret në shtratin e një gruaje,
e lëngët, e avullt, e etur.
Udhëtohet.

Nata shtohet në shtratin e një gruaje,
e ngjeshur, e mbushur, e tendosur.
Plotësohet.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!