Press "Enter" to skip to content

Arjola ZADRIMA: Cikël poetik

Arlekin

Jam grueja e atij që s’më njeh e s’din
se andrrat e mia
ngjallin shpirtën t’vdekun.
Jam nana e parë dhe e fundit e tim biri.
Parmaku i sime bije.
Isha dashnorja e burrave që s’ekzistojnë,
e s’dinë si kapërcehen male me nji frymë.
Atyne që më deshtën, u fala
veç nji poezi.
Boheme fatesh lidhun.
Zgidhun mendsh, ogur i fatit tem.
Isha, jam dhe do të jem
ajo që mbys veten,
veç mos me kenë arlekini i dramave
pa autorë.
Jam grueja e pamarre,
që dashnisë ja ka mbjell farën bash në bark të vet.
Vdes e ngjallem
nanë e Tim biri.

 

Sol

Dy hapa para, një heshtje mbrapa
dorën mbi sisë,
prekje të rrufeshme
kyçi nën kyç, brishtë.
Përplitje frymësh, pausë e shkurtë
tendosje kamsh,
qafa lëviz.
Rënkim vesh më vesh,
Tri hapa të shpejtë,
qafa mjen anë,
shtrëngim krahësh,
lehtë,
lehtë,
fort,
kërcitje brinjësh…
Vërtik perçan hyn drejt n’parajsë
ferr butë,
therje amël, gjuha rreth thithkës
kafshim i lehtë,
qiell i shtatë,
sol,
sol,
sol i gjatë,
zbresim tri shkallë,
sonatë pak çastesh,
vokalicë e athët
edhe nji frymë,
fyti deri në asht,
mpleksje duersh,
rrotullim nalt,
dy kthime mbas
dhe nji herë.
Ecje pa shkëputje
qiellz përpjekun
kafshatë e shijshme,
fill i gjetun deri në damarë.
Kapërthim. Vetëtimë
tri kputje qiell, nji gram qetsi,
lagshtinë,
dashni,
shi.
Tri heshtje grumbull,
mistikë andrrash,
pauzë kohësh,
veç hapa para,
krejt rrotullim,
brymë frymsh,
rënkim i thellë.
Klithje,
përleshja e fundit,
vlim,
kthim,
lshim,
Oh!
Mjaft se m’ke përpi!

 

Venera

Heshtjet e mia s’më kthejnë në Venerë,
s’mundem me kenë ma shumë se skulpturë
n’duert tueja t’akullta. Ti s’dite!
Fëmija – grue, që rrite
u kthye në xhind.
Tjera vite tërhjek rrshanë,
mitra ku hyne s’të përket ma,
veç nji herë i ra për shtat krenarisë s’madhe
që u zhba…
Tash kam msue me vdekë në muzg,
tue ndërtue burgje që s’ndryejnë asgja.
Dhoma të vogla strehojnë gratë që jam
e s’due me t’i shfaqë.
Dielli përtej hekrash asht rrezethyem.
Qyshse m’ke njoftë me stinët,
u miqsova me brigje t’nji deti të trishtë
ku anijet ankorohen e shumta për nji natë.
Sa pak për nji grue, as të virgjën, as lanoke.
Për çudi pavetdije të kqyri tue të thanë:
Të due
Të due,
Të due…
Por s’jam Shën Pjetri,
veç shenjti dreq
që n’lkurë e pate në t’mirë e në t’keq
Pse pikë e presje
kët skalitem der në vdekje.
Thyejeni Venerën!

 

A ndin?

Më dashuro,
edhe kur më duket sikur nuk e kuptoj,
kur humbas mrenda heshtjes teme
e nuk du të më avitesh,
kur grricem, gaboj
qaj apo nxjerr thonjtë si micë e egër.
Më dashuro sot mbasdite, në darkë vonë ,
nesër,
hapë ditën me mu.
Ani pse jam e çmendun, një pijanece nervoze,
e mërzitshme,
e t’i drejtoj tanë fajet e botës.
Më dashuro kur rrudhat të duken në fytyrën rrahun prej viteve,
kur strukem qosheve të jetës,
e mbart nji mal me dhimbje.
Më dashuro edhe pse nuk më kupton,
sepse unë jam një dreq e gjysëm grue,
një përrue i çmendun,
që ti zhgulë degët e shpirtit.
Më dashuro pse unë nuk due me më dashtë
kërkush tjetër,
ndaj eci me nji kalë vetmi,
se për herë të parë në jetë,
du me më dashtë veç ti…
A ndin?

 

Çmendje

Në heshtje fryma mbet ndër gjeth
të pavyshkun,
ankthet shtohen sa herë fëshfërijnë hijet e pemëve,
mbi degat e fjalëve.
Qetësi,
edhe malli jem rrin përbri këtij trungu të madh,
me rranjë të thella në shpirt,
melankolitë flejnë e zgjohen përditë,
na s’jena njisoj.
Kambët ndërrojnë stinë e sot asht verdhinë e ndezun buzësh,
që s’munden me u puth,
pa kenë gjeth…
Por unë e ndjej,
nji kohë t’pandalun,
hovi i të marrëve s’ka kufinj, i dashtun,
ndër andrra të kafshueme,
ka me zbrit si vjeshtë filizi yt i fortë në mishin tem,
n’mujshim me jetu edhe pak,
pa u çmendë!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!