Press "Enter" to skip to content

Gentjan HASANAS: Cikël poetik

***

Njëra nga pemët tha:
Në botën tjetër,
Zoti le të më bëjë violinë.

Dua t’u flas njerëzve,
për pyllin tim, familjen e madhe.
Për fustanet e dëborave të nusërisë
dhe për zogjtë që rrita jetimë.

E dyta, tha:
Dua Zoti të më bëjë varkë.
Kështu do i përshëndes nga larg.
Patjetër në ujërat blu të thella
ekzistojnë shpirtrat binjakë.

E treta, dëshiroi të ishte magje
të vogla, të rrumbullakta,
duart e dikujt, bukë shpirti të bëjnë.

Mezi po prisja ”vdekjen e pemëve”
dhe ato nga dritarja duke më parë
mezi prisnin:
violinistin e rrallë,
timonierin e varkës
dhe pak bukë për udhën e gjatë!

***

Sytë e mi janë si deti, tha ajo.
Ai bëri një varkë.
Më quajnë Era, tha ajo.
I shtoi varkës vela.

Mister, zemra ime, tha ajo.
Fenerin lidhi mbi një dru.

Ditën e tretë të udhëtimit,
deti, era dhe misteri e pyetën:
Po gruaja?!

Mendoi se bebëzat e saj të zeza
duhet të jenë dy ishuj,
ku mund të shlodhej tërë jetën,
pa e parë askush!

***

Unë e dua Lejlën

Unë – kryefjalë e shprehur me peremër vetor.
e – trajtë e shkurtër,
dua – kallëzues
Lejlën – kundrinor i drejtë.

…më ngatërron kjo gjuhësia.

Unë – i sëmurë psikik,
e – afat i shkurtër,
dua – marrëzi,
Lejla – e martuar, ka një vajzë.
Ishte e lumtur, pak ditë para se të më njihte mua.

***

Nga Liqeni i Mjelmave,
mori baltën Zoti,
kur bëri mikeshën time.

Ajo, pa e ditur,
dashuron liqenin, shiun, zambakët dhe plepat.
Di të flasë gjuhën e mjelmave, pa shkuar në shkollë.
Kur bie shi,
i ndrit zverku dhe gjokset i fryhen.

Nga Lugina e Trëndafilave,
mori baltën Zoti,
kur bëri miken tjetër.

Ajo, pa e ditur,
dashuron pranverën, këngën e bilbilit, zërin e erës.
Di gjuhën e trëndafilave, pa shkuar në shkollë.
Kur bie shi,
trëndafilat e flokëve i puthin qafën.
Me dehje vadit shpirtin.

E ndërsa e shoh plot nostalgji
dhe të përhumbur në stinën e dimrit,
më vjen si dëshmi,
se jo të gjithë trëndafilat kanë vdekur.

Nga Pylli i Hijeve
mori baltën Zoti,
kur bëri edhe miken tjetër.

Ajo, pa e ditur
dashuron errësirën, rrobat e bardha, zërin e kukuvajkës.
Di gjuhën e xhindeve, pa shkuar në shkollë.
Kur bie shi, shfaqet…
me këngën e heshtjes në gojë.
Sa hije të mbetura peng e shoqërojnë!

Nga Liqeni i Mjelmave, Lugina e Trëndafilave dhe Pylli i Hijeve
mori baltën Zoti,
kur më bëri mua.

Di të flas gjuhën e baltës, të frymës dhe të mishit,
pa shkuar në shkollë.
Kur bie shi,
asgjë s’ndodh me mua,
veç sytë fillojnë më treten, më treten, më treten…
Këto tri vajza, pa e ditur, i kam dashuruar…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!