Press "Enter" to skip to content

Viktor CANOSINAJ: Lulepashka e Arktikut (Fragment)

Genta e ftoi për darkë kur mori rrogën e parë. Shkuan në një piceri të ndërtuar jashtë çdo rregulli dhe ligji në mes të njërës prej lulishteve kryesore të qytetit. Daniela kishte vënë në krye një kapelë me strehë të gjerë, të cilën e kishte ulur deri mbi sy. U ul në një tryezë në qoshe, me shpinë nga dera, që ta shihnin sa më pak njerëz.
-Më vjen mirë që fillove përfundimisht punë në strehë, – tha. – Paratë janë të rëndësishme, ndonëse unë nuk i pranova kurrë kur punoja në rrugë. Më neveritnin. Kur kthehesha në shtëpi, i dorëzoja të gjitha dhe pastroja duart me një alkool farmacie.
-Kujt ia dorëzoje?
-Bishës që më trafikoi. Ai nuk e kuptonte atë veprim. Jetonte vetëm për para. Blinte rroba të shtrenjta, bridhte nëpër bare e restorante, të cilëve unë u shikoja vetëm vitrinat. Një ditë solli poshtë shtëpisë një veturë të bukur sportive, të cilën e përplasi pas një muaji. Priste që unë të tundohesha nga ajo jetë dhe t’i dorëzohesha prostitucionit pa brerje ndërgjegjeje. Fundja, vinim nga një varfëri që na shfajësonte për të gjitha. Iu luta që të punoja një vit pa asnjë shpërblim dhe pastaj të më linte të lirë. Nuk pranoi.
Daniela kishte ngrirë me një copë pice në dorë, të cilën e kafshonte kohë pas kohe si një harabel.
-Eh, ndoshta ty nuk të interesojnë këto.
Genta u mundua të buzëqeshte.
-Përkundrazi, më interesojnë shumë. Ne po njohim njëra-tjetrën. Herën e fundit që më tregove për jetën në Itali e ndërpreve te nata kur u arratise me Xhulion. Çfarë ndodhi më tej me të?
Daniela u përlot.
-Nuk e kuptova dot atë njeri. Më çoi në zyrën e gjendjes civile, ku mund të martoheshim, por unë nuk pranova. Nuk e njihja. Veç kësaj, Xhulio jetonte bashkë me nënën dhe ajo ma bëri të qartë sapo shkela në atë shtëpi se isha e padëshiruar. Por kryesorja që më frenoi ishte historia e një shoqes sonë të prostitucionit, e cila u martua me një italian. Ai e rrëmbeu njëlloj siç veproi Xhulio me mua. U duk sikur jeta e saj ndryshoi përfundimisht. U bë me fëmijë. E takonim ditëve të pazarit dhe na dukej si Hirushja. Por papritur italiani që e rrëmbeu filloi të vuante nga një ankth që vetëm burrat mund ta kuptojnë. I shpërfaqeshin pamje të gruas së tij duke bërë seks me klientë të ndryshëm. Filloi ta keqtrajtonte e ta rrihte. I kërkonte t’i tregonte për fëlliqësitë që kishte bërë me klientët e saj.
Një ditë shoqja jonë mori fëmijën dhe u largua. Gjeti një shtëpi të vogël me qira dhe u kthye sërish në rrugë. “Do të vdes prostitutë, – na tha. – Të mos gënjejë asnjërën mendja se mund të ndryshojë. Na kanë vënë në trup një damkë që do ta mbajmë gjithmonë me vete.”
Fillova ta bind Xhulion se pas asaj historie që kisha kaluar nuk mund të martoheshim, se ai nuk më meritonte, se kishte plot vajza të tjera me të kaluar të pastër. Ai më kundërshtonte. Nuk e kuptonte se si unë mund t’i bija me shkelm një bamirësie të atillë. “Derisa ndryshova unë duke lënë pas drogën, do të ndryshosh edhe ti, – më thoshte. – Nëse nuk e duron dot nënën time, ikim nga kjo shtëpi. Po të punojmë të dy, mund të mbajmë një shtëpi tonën. Po të duash, largohemi në një qytet tjetër. Ndërmarrja e luleve ku punoj ka disa degë nëpër Itali.”
U lëkunda disa herë, por në çastin e fundit tërhiqesha mbrapsht. Nuk doja të mbetesha rrugëve me një fëmijë në krahë si shoqja ime, një fëmijë që herët a vonë do ta merrte vesh të kaluarën time të menderosur.
Gjatë atyre pak muajve punova te ndërmarrja e luleve “Xhentiloni dhe djemtë”, kurseva ca lekë dhe vendosa të kthehesha, ndonëse pronari më luti të qëndroja. Kishte shumë miq me pushtet. Më premtoi se do të më siguronte mbrojtje. Mund të strehohesha në një fshat të vogël, ku ai kishte disa hektarë me serra lulesh. Atje s’kishte fare të huaj. Por unë e kisha mendjen te shtëpia. Doja t’u kërkoja falje prindërve dhe vëllezërve. Atëherë zoti Xhentiloni shkoi deri te bamirësia më e fundit. Më premtoi që në rast telashesh këtu në Shqipëri të kthehesha sërish në Itali. Ai mund të më bënte një kontratë pune. Por unë zgjodha strehën. Asgjë nuk do ta ndryshojë të vërtetën se jam një ish-prostitutë.
Genta fshiu lotët me një pecetë letre.
-Ti nuk ishe prostitutë. Ty të detyruan të bëje atë punë. Danielë, je një njeri i mrekullueshëm. Mos e përçmo veten. Ky përçmim të çoi drejt asaj marrëzisë me barnat që gëlltite.
-Genta, kur do ta kuptosh se nuk kam asnjë të ardhme?
-Nuk dua ta kuptoj këtë logjikë. Erdhi dita të të tregoj se edhe unë jam pa të ardhme në këtë vend, por do të luftoj deri në fund. Unë jam…
Daniela buzëqeshi.
-E di, e kam kuptuar.
-Jo, nuk ke kuptuar asgjë. Një transgjinore në këtë vend është më e përçmuar se një prostitutë. Këtu të falin imoralitetin, vesin, çdo lloj krimi e poshtërsie, por nuk të falin kur je ndryshe, një transgjinore që cenon namuzin e qytetit.
-Jemi të dyja viktima të njerëzve që nuk do të na kuptojnë kurrë, – psherëtiu Daniela. – Të kërkoj falje që po të përcjell trishtimin dhe depresionin tim. Erdhëm këtu për pica. Kjo duhej të ishte një festë e vogël. Më fal!
-Jo, mos kërko falje. Unë duhet të të falënderoj që më mirëkuptove për cenin tim të pandreqshëm. Tani… nëse mendon se nuk duhet të shoqërohemi bashkë… bën mirë të ma thuash.
Daniela zgjati dorën.
-Dy viktima nuk largohen nga njëra-tjetra. Kam nevojë për ty.
-Edhe unë për ty.

Similar Posts:

Be First to Comment