Press "Enter" to skip to content

Mihalis GANAS: Intime

Ngaqë jeta pakësohet nga dita në ditë,
nuk do të thotë që s’ka të njëjtën rëndësi.
Ngaqë të desha dhe të dua ende,
edhe pse s’është më si më parë,
nuk do të thotë që dashuria vdiq,
ndoshta u lodh si çdo gjë që frymon.
Ngaqë kalon ditë të vështira,
përulur mbi letra e gremina të hapura,
dhe si akrobat kërcimi me shkop,
hidhem i rraskapitur netëve mbi to;
nuk do të thotë që s’kemi yll në këtë jetë,
secili ka nga një fat, edhe ne fatin tonë.
Ngaqë herë je zog e herë njeri,
sjell në vatrën tonë bukëza
nga shtegtime të largëta,
dhe shpresojnë fëmijët tanë,
në ditë më të bardha.
Ngaqë thua “jo”, e pastaj “po”, e sërish “jo”,
dhe nuk heq dorë,
kam turp nga mundet e ndoshtat e mia,
por nuk ndryshoj, siç nuk ndryshon edhe ti,
nëse do ndryshonim do ishim sërish
dy të panjohur e do njiheshim nga e para.
Tani e di ku dhemb
kur hesht, kur bëhet pauzë
mosqarkullim gjaku dhe ftohje trupash,
derisa një pajisje e fshehtë dinamoje
t’u jap sërish gjymtyrëve
joshje dhe lëkurë të ngrohtë.
Ngaqë është vështirë të duash,
dhe akoma më e vështirë të njëjtin njeri
për kohë të gjatë; të bësh plane, fëmijë,
zënka, udhëtime, dashuri, borxhe,
sëmundje, Krishtlindje, të diela, të hëna,
gjellë të shijshme a të djegura,
duke dashur secili të jetë
herë urë, herë pemë e burim,
në varësi të rastit,
ose mundësisht të gjitha bashkë,
nuk do të thotë që unë s’mund të bëhem një prej tyre ose gjithçka,
dhe nëse duhet të kaloj një jetë në skllavëri,
le të bëhem, i them vetes,
skllav i dashurisë.

Përktheu nga greqishtja: Eleana Zhako

(Shkëputur nga libri “Janina e qelqtë”.)

Mihalis Ganas është ndër poetët bashkëkohorë më të njohur grekë. Ka lindur më 1944-n, në Thesproti dhe së bashku me të shoqen zotërojnë një ndër shtëpitë botuese më cilësore në Athinë, “Melani”. Poezia i kushtohet së shoqes, e cila është edhe drejtuesja e shtëpisë botuese.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento