Press "Enter" to skip to content

Ornela MUSABELLIU: Zonja Ryjkebys

– Zonjë! Pashë një mi në bodrum.
– Oh, e gjora kafshë! Me siguri ka qenë i uritur. Bodrumi im s’ka shumë për t’i ofruar.
– Duhet të blejmë helm minjsh, zonjë.
– Oh, jo, jo! Ç’mund të na bëjë një mi i gjorë?!
– “Kafsha e gjorë” shumohet me shpejtësi zonjë. Bodrumi do të mbushet plot e do fillojnë të ngjiten deri këtu lart.
– Mos u shqetëso, e dashur! Asgjë e keqe nuk do ndodhë. Me siguri i gjori mi do ngordhë nga uria atje poshtë.
– Por unë kam frikë të zbres e të pastroj bodrumin zonjë! Pse nuk merrni një mace atëherë?
– Oh, e dashur, mos ma hap atë plagë! Ti e di sa më dhemb kur kujtoj Sisin tim të gjorë. Ti ende nuk kishe ardhur të më ndihmoje kur e bukura ime mbylli sytë. Mjeku tha se kish pasur artrit dhe dhimbje të kyçeve, por ama vdiq nga mosha. Ishte racë tonkinese. Kaq e ëmbël, e dashur! Gjithë ditën në prehër; si nuk e kuptova që po vuante?!
Zonja vari kokën dhe u shkreh në vaj. Që kur kish mbetur e ve, pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, dashurinë e kish derdhur mbi macen e bardhë me sytë si pasqyrimi i qiellit shkrirë mbi det.
Por edhe kjo deri një vit më parë, kur një mbrëmje macja fjeti me të dhe nuk u zgjua më.
“Iku në paqe, siç ishte vetë e paqme”, kish thënë zonja, teksa kafshëzën e saj të dashur e fusnin ta digjnin në kremator. Me zemër të thyer e me atë pak hi ish kthyer në shtëpinë e heshtur.
Urnës me hirin e Sisit ia fshinte pluhurat çdo të enjte Alina, një topolake rumune, që, një herë në javë pastronte shtëpinë e zonjës Ryjkebys. Gruaja nuk e kish problem urnën e maces, por, ndonëse kish kaluar një vit që punonte në atë shtëpi, nuk ish mësuar akoma me faktin se duhet të pastronte edhe pluhurat e zotit Ryjkebys.
Urna me hirin e tij e kish vendin në raftin e mesit të një biblioteke në anën e djathtë të shtratit bashkëshortor, ku zotëria kish fjetur deri sa vdiq. Zonja Ryjkebys ishte thuajse gjithnjë në karrigen e saj me rrota; e bllokuar nga mosha dhe artriti, ndaj e kish të vështirë të zgjatej e të merrte diçka nga raftet. Me të kuptuar sikletin e Alinës me të shoqin, i kish thënë me shaka:
– Alinë e dashur. Ndonëse ai është i vdekur dhe mua s’më punon pjesa më e madhe e trupit, prapë jam xheloze ta lë burrin në duart e një femre tjetër. Më sill pak pecetën, e dashur.
Kur rumunia pastronte shtëpinë, me lot në sy gruaja merrte urnën mes duarve, ashtu si dikur fytyrën të dashurit të saj, dhe e shpluhuroste, gati-gati duke e përkëdhelur. Përhumbej e niste të tregonte histori të bukura nga jeta me atë burrë të dashur e shakaxhi.
Alinës i vinte keq kur e shihte të trishtuar atë grua aq të ëmbël e të sjellshme, që nuk ish ankuar kurrë në kompaninë e pastrimit. Të tjera zonja që ajo ndihmonte herë pas here ankoheshin me e pa shkak, por jo zonja Ryjkebys.
Alina punonte nga e hëna deri të premten e për çdo ditë kishte nga një familje të ndryshme në patronazh. Zonja e vetmuar ishte e preferuara e saj, ndaj dhe nuk mërzitej kur ajo i tregonte për të tridhjetën herë për Sisin e saj të dashur apo për Viktorin e saj të hijshëm. I vinte keq, sepse e dinte që java e gruas kalonte në heshtje, pa asnjë ngjarje dhe pa askënd me kë të shkëmbente dy fjalë. Ndonjëherë, një taksi e çonte te shtëpia e të moshuarve, ku rrinte me orë të tëra me bashkëmoshatarët, apo nëpër spitale për vizitat periodike. Këto ditë ishin të rralla, por më të bukurat për zonjën e vetmuar, përveç të enjtes, që ish më e preferuara.
Alina dhe zonja Ryjkebys ishin bërë shoqe të mira, ndonëse pastruesja vazhdonte ta thërriste “zonjë”, edhe pse Samanta Ryjkebys i kish kërkuar disa herë t’i drejtohej në emër. Në ditët me diell pinin kafe bashkë në oborrin e shtëpisë dhe Alina i bënte çdo të enjte një ëmbëlsirë, treçerekun e së cilës zonja e urdhëronte t’ia çonte fëmijëve në shtëpi.
Ndonjëherë Alina vinte të dielave me fëmijët dhe zonjës Ryjkebys i dukej si mrekulli. Zëra gazmorë që vraponin nëpër shtëpi ish gjëja që ëndërronte më shumë. S’kish pasur fatin të kishte fëmijë dhe Viktori nuk kish pranuar kurrë të birësonin një. “Kemi njëri-tjetrin”, i thoshte përherë, por ja që edhe ai kish ikur dhe gruaja kish ngelur si qyqe. Kur e pyesnin përse nuk shkonte të jetonte te shtëpia e të moshuarve, i mbusheshin sytë me lot:
– Dua shumë, por e di që Viktori nuk do donte kurrë të largohej nga kjo shtëpi. – thoshte, e pastaj heshtte për ditë të tëra, duke shtrënguar në gjoks urnën me hirin e tij.
– Alinë, përse nuk vjen të jetosh me mua? – kish pyetur një ditë thuajse me zë të shuar gruaja. Rumunes gati i kishte rënë nga dora gota që po fshinte. Ajo pyetje ishte si rrufe në qiell të pastër. Nuk i ishte përgjigjur menjëherë dhe as zonja Ryjkebys nuk e kishte ngacmuar më tej.
– Zonjë, duhet të marrim masa për minjtë! Dëgjoj prapë zhurma në bodrum. – i tha Alina sërish dy javë pasi kishte parë miun e parë, por zonja Ryjkebys kishte vazhduar me të vetën.
– Nuk mundem të vras asnjë kafshë, Alinë e dashur! E ç’mund të na bëjnë disa minj, që jetojnë fshehur diku ku ne as që na duhet të shkojmë?
– Duhet të lajmërojmë patjetër ndonjë firmë dezefektimi, zonjë. E di ç’i ndodhi të njohurës së një shoqes sime në Rumani?
Ndërkohë që pastronte fletët e mëdha të një luleje gjigande që gjelbëronte dimër-verë në këndin mes dy dritareve të mëdha nga dyshemeja në tavan, nisi t’i rrëfente me tmerr se si minjtë i kishin ngrënë dy gishtat e këmbës foshnjes së një familjeje të varfër, që jetonin në një ndërtesë të vjetër, gati si barake. Zonja Ryjkebys derdhi dy pika lot e u lut që foshnja të ishte rritur i shëndetshëm, por mendjen për minjtë nuk e kish ndërruar.
– Alinë! E bëjmë kështu: Do të pranoja ta dezefektoja shtëpinë nëse ti do të vendosje të jetoje këtu me të vegjlit e tu. – i tha me lutje zonja.
– Zonjë! Ti e di që unë të kam për zemër dhe të jam shumë mirënjohëse për ofertën. Por unë jetoj veç me dy fëmijët. I ati nuk është me ne. Nëse do të shpërngulesha këtu do të ishte një ndihmë shumë e madhe për mua, sepse nuk do të më duhej të paguaja më qira, por fëmijët e mbarojnë shkollën për tri muaj e unë nuk mundem t’ua ndryshoj pikërisht tani. Po të jetojmë këtu do më duhet të udhëtoj çdo ditë një orë e gjysmë për t’i çuar në shkollë e po e njësoj për t’u kthyer, që është gati e pamundur për mua që më duhet edhe të punoj që herët në mëngjes. Nëse pas tri muajsh do të jesh përsëri me këtë mendje do vinim me shumë dëshirë këtu.
– Oh, Alinë, sa më gëzove! Kam një jetë që duroj e pres të dëgjoj zëra fëmijësh në këtë shtëpi. Tre muaj do jenë pritje lumturie për mua. – tha zonja dhe hapi krahët duke e ftuar Alinën në një përqafim të ngrohtë e të lagur nga lot gëzimi.
Një javë më pas telefoni tringëlloi gjatë, derisa zonja Ryjkebys u përgjigj me mundim:
– Oh, Alinë, qenke ti?
Rumunia i shprehu keqardhjen që s’do të mund të shkonte dot për disa javë. Kishte ndrydhur këmbën nga një aksident në punë. Dikush do ta zëvendësonte e për këtë do ta lajmëronte vetë menaxheri, por ama kish dashur edhe ta përshëndeste me atë rast, që zonja Ryjkebys të mos merakosej kur ta merrte vesh lajmin.
– Oh, Alinë, të shkuara! Do të më mungosh shumë, bija ime! – e kish mbytur dëshpërimin gruaja, duke e thirrur për herë të parë “bijë”.
– Zonja Ryjkebys, mos e lejoni pastruesen e re të zbresë në bodrum. – e kish porositur – Më parë duhet të telefononi një firmë dezefektimi për minjtë. Më premtoni që do ta bëni? Ju kam dhënë fjalën që pas pak javësh do të jem aty bashkë me fëmijët. Mos u mërzisni.
– Patjetër, e dashur! Të kam premtuar që përpara se ti të vish këtu do ta dezefektoj. Ndonëse do të më vijë shumë keq për kafshëzat e gjora!
Të dielën, më 15 qershor, e ngarkuar me valixhe dhe fëmijët që e ndiqnin Alina hyri në shtëpinë e saj të re.
Dy javë më parë, pas një vizite te noteri, e lodhur, zonja ish shtrirë në shtrat me urnën e të shoqit në jastëkun e djathtë e kish vdekur.
Të enjten, tre ditë më vonë, pastruesja zëvendësuese e tmerruar e gjeti me minjtë që kishin nisur t’i hanin gishtat e dorës së varur mbi urnën e Viktorit.
Me përpikmëri, çdo të enjte Alina vazhdoi të fshinte pluhurat e shtëpisë, duke u ndalur gjatë te Sisi, zoti Ryjkebys dhe zonja Ryjkebys, mbi oxhakun përballë dritareve të mëdha, ndërkohë që në oborr dëgjoheshin zërat gazmorë të dy vogëlushëve të saj.

 

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento