Press "Enter" to skip to content

Ricarda HUCH: Cikël poetik

Dashuri e përjetshme

Jo në parajsë,
as në mbretërinë qiellore
të lumturisë së përjetshme,
nëse atje me fjalë të ëmbla
vetë Zoti të më paraprinte
do çapisja me gas
sikur të mund të shtrihesha
pranë teje në varr,
ku të mos më ndante
as edhe një gisht distancë.
Edhe sikur të të tretej
gjithë mishi e ngrohtësia
do më mjaftonin kockat e tua
pranë duarve të mia.
Do t’ish lumturi e paqe për mua
sikur çdo njëqind vjet
vetëm për ne
një orë e rrallë të vinte
e ne të dy, prej gjumit
të varrit të na përtërinte
që kështu të shiheshim
përtej sundimit të vdekjes
dhe në dashurinë tonë të vjetër
të ndizeshim me etje.

Mbi urë

Të vetëm, mbi një urë
rrinim unë dhe i dashuri im
të dyja në një sikur rridhnin,
na dukeshin dy degët e Rinit.

Ishte natë e ne rrinim në heshtje
në atë vend të qetë
ku një pikë loti zuri fill,
fugoi dallga vetë.

Malet ngriheshin sipër nesh
si hije të mëkatit tonë mbi ne binin
robëruese endej vetmia
mbi shpirtin tënd dhe timin.

***
Shkëlqen e ëmbla dritë e hënës
Mbi male e lugina si një kroketë
Trupi më fle, por shpirtin e kam zgjuar
Më merr me vete o rreze e zbehtë

Në varkën e argjendtë
Pa zhurmë fluturon ai nëpër natë
Siç ngarendin retë e imta në qiell
I lehtë posi një mjellmë e bardhë

Te shtëpia e të dashurit tim fluturon
që është shtrirë e po fle
“Mos është kjo ëndërr që mallin ma dëfren?
Si shpirt’ i të dashurës më ngjason”

Nuk jam ëndërr, por nusja
E dashura e zemrës tënde jam
Pranë trupit doja të të strukesha
E njëqind herë të të puthja.

Shpresa përkundet lehtë mbi degët
e zemrës time; ndalu, pusho e qetë
edhe një grimëçast në kopshtin
e gjoksit tim, ti o pëllumbeshë e egër!

Flatrat shtrin, si pendët palloi
me njëqind sy të kaltër hapur si gojë
herë tkurret e mblidhet, shfaqet sublime;
herë i bën të dridhen pejzat e zemrës time

Mall

Të jem me ty
pritjen në ankth do rrezikoja
Miq dhe katandi do braktisja
gjithë të mirat e botës do harroja

Qenia ime të kërkon
ashtu si vala brigjet ranore
Si dallëndyshja në vjeshtë
në kërkim të tokave jugore

Ashtu si djaloshi alpin
tek ëndërron natën i qetë
për malet plot me borë
nën tisin e hënës së argjendtë.

 

Përktheu nga gjermanishtja: Smeralda Çaça

Ricarda Huch (18 qershor 1864 – 17 nëntor 1947) ishte shkrimtare, poete, filozofe dhe historiane. Konsiderohet si një ndër intelektualet e para gjermane të shekullit XIX. Arsimuar për histori, është autorja e shumë veprave të historisë evropiane. Krijimtaria e saj letrare përfshin një sërë novelash, poezish dhe një pjese teatrale. Ricarda Huch është nominuar 7 herë për çmimin “Nobel” në Letërsi.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!