Press "Enter" to skip to content

Andi KOSTA: Cikël poetik

Një tavolinë për dy

Po zbardh për të verdhuar më pas hëna,
lajmësja jonë e heshtur!

Aureolën mbi krye,
shprish e shprish si një Penelopë cohën
e gjumit
për të përgjuar lotin tonë,
ku pluskojnë copëza të thyera hëne dhe
nate…

 

Ode parëverës

Ti fryn puhi,
ndërsa unë të ndjek pas
eter i dashuruar me ty,
kaq i dashuruar
sa harroj mbi tokë hijen time,
e cila gjelbëron shelg
pranë një përroi…!
Ndjek gjurmën tënde
nëpër qiej,
ndërsa ti fryn puhi
Parëvere,
Parëvera ime!…

 

Flatrat e hënës

Janë flatrat e hënës,
të cilat e shtegtojnë tutje e tutje
e tutje…
flatrat shtegtojnë edhe yjet mbledhur
rrathë në tē katër qiejt,
duke i shpërhapur frymë.
Trompeta e agut
thuajse nuk dëgjohet kësaj ane të qiellit,
as edhe rrahja e flatrave,
as ndonjë përpëlimë.
E bardhë,
nata nxin!
Po e shtegtojnë edhe natën,
ndonëse në djep,
ndonëse sonte nuk e përkundi
kush!…

 

Nëse shiu nuk do të binte

Nëse shiu nuk do të binte,
nuk do të mundja të të shihja ngjyrën time në ylber!
Nëse shiu nuk do të binte,
nuk do të mundja të të shihja lule shiu mes buisjes së gjelbërth!
Nëse shiu nuk do të binte,
nuk do të mundja të ndjeja përmbi buzë puthjen tënden prej shiu
(herë të rrëmbyer, herë të qetuar)!
Nëse shiu nuk do të binte,
do të mundja të të shihja lotin dhe
atëherë trishtimi im do të më derdhej breshër!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!