Press "Enter" to skip to content

Nelly SACHS: Cikël poetik

Po kush rërën nga këpucët jua zbrazi
kur ju duhet të ngiheshit për të vdekur,
rërën që Izraelin në shtëpi ua kthente,
rërën e tij shtegtare.

Rërën përvëluese të Sionit,
me gushën e bilbilit përzier,
me flatrat e fluturës përzier,
me pluhurin e mallit të gjarpërinjve përzier,
me gjithë ç’teproi nga mençuria e Solomonit përzier,
me hidhësinë e të fshehtës së Vermutit përzier.

O ju gishtërinj,
ju që rërën nga këpucët e të vdekurve zbrazët,
jo më larg se nesër pluhur do të jeni,
në këpucët e atyre që do vijnë.

 

Ndarje

Nga dy plagë fjalë e përgjakur
dje ende fjalë deti,
në anijen e mbetur,
si thikë dytehëshe në mes,
dje ende fjalë e shpuar tejpërtej,
nga vdekja e yllit të harruar,
gushë e puthur bilbilash
në mesnatë.

Sot – dy zhele të varura
e flok’i njeriut i shkulur,
në kthetrat e një dore.

Dhe ne, të përgjakurit,
vdekur nga hemorragjia,
kapilarët e tu në duart tona shtrëngojmë,
ne, luzma tokë-gërryese e të zvarriturve,
që terrin tënd ndërtojmë,
deri sa vdekja na thotë: Heshtni,
këtu ende regëtin gjakderdhje tjetër!

 

Mbas buzëve
pret e pathëna,
tendosur nyjës së litartë
të fjalës.

Vdekja martire e germave,
në hirin e gojës,
ngritje e shpirtit në qiell,
nga dhimbja shkërmoqur.

Por frym’ e thelb-ligjërimit,
mes murit kumbues të ajrit
hukat rrëfimin e lindjes së fshehtë,
në azilin e plagëve të botës
dhe rrëshqet drejt Perëndimit,
përgjuar prej Zotit.

 

Këtu me robëri ju prangos
ju fjalë,
ashtu si mua gërmëzuar
gjer në gjak
më robëruat,
ju jeni zemër-rrahja ime,
ritmi i kohës sime,
me emrin “zbrazëti” pagëzuar.

Më lini tash të shoh zogun që këndon,
ndryshe më duhet të them
se dashuria krejt i ngjason vdekjes.

 

Përktheu: Ana Kove (Anrila Spahija)

Pak biografi:

Nelly Sachs, lindur me emrin Leonie Sachs, më 10 dhjetor 1891 në Berlin, është një ndër shkrimtaret e shquara të lirikës gjermane. Ajo është fituese e çmimit të madh “Nobel” për letërsinë në vitin 1966, së bashku me shkrimtarin Samuel Jozef Agnon, me të cilin e lidhte prejardhja hebreje.
Përpjekjet e saj letrare nisin qysh në vitet para Luftës së Parë Botërore. Por ardhja në pushtet e Hitlerit e ndryshoi në mënyrë radikale jetën e saj, e cila, në Berlin, u bë e pamundur nga përndjekjet e regjimit nacional-socialist, ndaj në vitin 1940 braktisi Berlinin për t’u vendosur në Stockholm, ku jetoi deri sa vdiq, më 12 maj 1970. Në lirikën e saj, ajo është identifikuar me dramën e Holokaustit dhe me dhimbjen e popullit hebre, duke ngritur njëkohësisht shqetësimet dhe dhimbjet e njerëzimit në përgjithësi.
“Vdekja ishte mjeshtër i mësuesve të mi. E si mund të merresha me tjetër gjë, metaforat e mia janë plagët e mia. Vetëm ashtu mund të kuptohet ç’kam shkruar”, shkruante Sachs.
Vdiq në vitin 1970.

 

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *