Press "Enter" to skip to content

Agim PIPA: Cikël poetik

Mbrëmje

Të rilindësh, pa ardhur ende mëngjesi;
të ecësh në udhën ndanë një dige liqeni,
të shohësh këpucët me baltë dhe
të prekësh me gishtrinj dy buzë,
që janë rrëzuar përtej filxhanit
të qumështit, që u derdh pas ikjes sime;
të ndjekësh rrugën, ku një ditë
toka gjarpëronte mes lumenjve dhe
ndanë pallateve të bardhë, ndanë urave;
të shpejtosh hapin, t’i largohesh përfundimisht
ëndërrave,
që të bëjnë të shndërrohesh
në të padukshëm,
njëlloj si një skllav amazonash.
pastaj
të ulesh në tryezë, si i ftuari i mbrëmjes,
ndërsa
gotat e verës sharmojnë fshehuraz teje
me fjalë parathënëse të gëzimit,
që i ngjajnë dëborës;

prej guaskës së fjalës,
lind festa ime për ty dhe
unë rilind i lumtur,
mbështjell me fytyrën tënde.


Jashtë bën natë;
jashtë
unë pres të shkrepë drita…

 

Ti ma njeh frymën prej pëllumbi

Si një guaskë e kaltër,
deti përballë nesh;

Emri yt,
mbi të kuqen e një molle
u gdhend në gishtrinjtë e mi,
ndërsa shkruaj për ty.

Mua nuk më tremb oshëtima
e frymëmarjes tënde
në veshin tim.

Edhe mes miliarda njerëzve,
pëllumbi im
e gjen rrugën drejt teje;

Ti e di,
të gjithë poetët
janë të çmendur.

Ti
ma njeh frymën prej pëllumbi,
shpirti im…

Më e bukur se hëna…

Më e bukur se hëna
dritarja, ku kam varur
një qiell me shpresa.

Shtëpia ime, nuk mund të mbahet dot
vetëm mbi muret
me poezi të kahershme;
mbi tryezë
më presin të tjera këngë,
të tjerë stacione trenash;

Fytyra e bukur e poezisë, mbi tryezë
krijon imazhe të gjelbërta, blu dhe rozë
për fytyrën, që prej vitesh,
e desha po aq, sa edhe veten time.

Jetë mes dy shekujsh

I përkas shekullit të kaluar,
shekullit
pa pikë dhe pa presje
në udhëtimet e fëmijërisë
së ëndrrave të mbetura përgjysmë.

Rrathë të zinj sysh,
epokë e çmendur dhe e bruztë,
silueta fine vajzash
në pentagramë hënash, që s’i mësova dot.

Dashuria e parë,
në një rrugë plot mimoza dhe
në një rrugë me kumbulla të kuqe; Tirana
i ngjante një gruaje në shitje:
rusë, kinezë, palestinezë dhe komunistë
vendesh të largëta;
në acar, vendi im.

Një fletore me vija, mbushur me zogj cicërimash
Ishte poezia; ishte
kohë për ëndrra.

Duar të zhubrosura; punë gurëthyesi;
më pas,
hierarkia e udhëtimeve të gjata
në kohën kur çanta e punës
linte gjurmë në një membranë më magjike
se hëna.

Ishte shekulli i arratisë,
i prangave mbi të parin libër,
që s’munda ta nxjerr dot kurrë
nga errësira,
në pëllëmbët e miqve të mi.

Tash,
shkruaj sërish pa pikë dhe pa presje
historitë e reja të një shekulli tjetër.

Tash, jam i munduri i madh
i lirikave, që s’ua mbaj mend titujt.

I qetë
mbështetem mbi gjurmët e vetes…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!