fbpx Press "Enter" to skip to content

Sarë GJERGJI: Cikël poetik

Gingo Biloba

Ajo, e vetmja e familjes është nga lashtësia veshur
mitesh me shkëlqim drite vjen në kopshtin tim rrënjë
lëshon.
Në dysh i ndarë gjeth i saj,
si vargu im dhe unë:
një frymë…

Qiellin trup i saj pushton,
degë e saj ajrin,
me hapin sigurt, si një zonjë e rëndë
këmbë e saj shkel në tokën bleroshe të zemrës sime .

Unë vdeksha po s’i mora erë,
çdo fije gjethi në çdo stinë po s’i putha,
po s’hëngra frytin e saj përrallor.
Në tempull të Shën Mirit në mua,
përherë e shenjtë
ngjyra të bardha derdh;
e vetme sjell shpirtin,
gjakun e lashtë
Ajo,
harresës i vë datën,
hyjnueshëm
në kopshtin tim gjelbëron.

Ginkgo Biloba
ushqen ëmbël dëfren
Ah, kjo Ginkgo Biloba!

Adamah

“Jam shumë e lumtur që të pata pjesë të jetës sime!“
Edeni është bosh pa ty, njësoj si shpirti im.
Pemë e Jetës sime je ti,
tjetër nuk dua të njoh, Evë!

“Hëngra nga Pema në kopsht, Adam!”
Aq më bën. S’heq dorë nga brinja ime,
as nga gjak i gjakut tim, Evë!

“Adam, jam lakuriq!”
Dua lëkurën tënde, Evë,
puthjen prej shenjtoreje
e shikimin tënd prej drite!

“Adam, druaj…”
Mund të shkoj larg prej shpirtit tënd?
Pa ty, Evë, jam veç një Adamah!

 

Mara
(ose: forbla unë)

Mara,
ç’do më thuash për nimfën e malit e forblën?!
Për plugun e bujkut e farën e mirë, më ke rrëfyer kaherë.
Për tokën e butë të kam folur unë, Mara.

(Karkalecat, trupin tim kalërojnë.
Mara end pëlhurë!)

Rruga që ke zgjedhur,
ku të shpie, Mara?!

Me hiena dhe gjarpërinj
Jetojmë çdo ditë!

Eh, Mara!
Mara!

 

Frutë pasioni

E ndrojtur,
këmbëzbathur
e plot ëndrra,
pavarësisht nëse qiell’ i ngrysur është
e mjegulla ka mbërthyer rrugët,
përtej çdo shikimi tinëzar e ndjellakeq,
ti më vjen:
në çdo shkronjë,
në çdo fjalë,
në çdo varg
e më bëhesh:
shkronja e parë,
fjala e parë,
vargu i parë;
poezi.
Më përthyhesh
në figura,
metafora,
e simbole;
etshëm,
ethshëm,
epshore,
në çdo qelizë timen ngjizësh
dhe në Ty
rilindem
rrëfimtar i pagjumë…

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!