Ti, flutur shpirt-re
lehtësi bezdisëse prej rrjedhe
pranverore mes kthjelltësisë dhe flashkësisë
së plepave të dashur dhe shkurresh idhnake,
flutur, myshk i gjallë, era e të cilit
ka dy flatra të marra që pasqyrojnë
Prizmin me fytyrën e vet portokall dhe jeshil,
ti e vdekur s’ke asgjë që të të humbasë,
asgjë në të cilën të marrë flakë a t’i kallë datën
myshkut tënd vetjak, kjo re
e një jete shtazore njomëzaku.
Lumturi që gjakoset, gërthet,
mendje që digjet, nerv i shkalluar,
i Burgosuri qesh teksa të jepet
pa pikë mëshire për të ardhmen e tij të pabesë.
Përkundrazi, do të vdesë butësisht,
të shqyejë me një të fundmë ledhatim
prej gjoksit zemrën aq të dehur.
Di që dashurinë e vet tërë gaz riosh
nesër do ta presë një fund i errët,
di se do t’jetë agimi që do të shembë
natën e këndshme të së dielës.
O Parajsë ku njëmijë barka
shpalosin vela të kristalta!
ku detari i nxehtë dhe i zbehtë
prej dëshirës, shtrirë mbi bash,
këndon mbi kitarë udhëtimet që bëri,
Korrikë magjikë dhe Maje tërë afsh…
Në ty gjendet kujtimi ledhatar.
Dridhma dashurie zënë velën e mbështjellë.
Deti puth shkëmbinjtë e përgjumur.
Asnjë barkë s’niset, ani velat
erës i shpalosen butësisht.
A s’mendon dheun tënd të braktisur,
atje ku, margaritar bardhëllor në peshtaf,
vallëzon nusja shndërruar në mjellmë,
teksa flautet e një përmalljeje të kulluar
s’e krisin qetinë e detit!
Brenda zemrës sate me dëshirë trandet
një çast i vetëm, oh ju vite mrekulli,
i një vdekjeje që jeton Kohën për ty:
veten tënde mund ta sakatosh butësisht,
të tjetërsosh arratitë dhe shpresat,
qelia jote është një pushim i përjetshëm.
Po e ardhmja? Jo! Hesht zë i urryer!
Së ardhmes ai s’di tjetër veçse
t’i ikë, lumturia e tij
s’ka të ardhme, ka orekset e fëlliqura
të djaloshit mes çarçafësh të vakët,
të fluturës që rrëshqet në fluturim
për të vuajtur, të piratit të dehur
që dridhet teksa ledhaton perla dhe gjak,
s’di më të llogarisë kohën dhe fishket
në tmerrin e përulur të nuses
që i trembet njeriut dhe të rendë s’guxon.
I Burgosuri ka zemrën e një dallëndysheje
që ballë oqeanit ledhaton
udhëtimi i njohur është në dorë të dehjes.
Pas pak do t’zhduket, larg do të jetë!
Pret mbase të perëndojë dielli…
por dielli s’perëndon; mbase do t’i
japë një soditje të fundit dheut të dashur
ku meridiani shënon orët
e lumturisë dhe ngrohtësisë…
Ani, mbi meridian s’lëviz
hija përgjatë shifrave të ngecura nën diell.
(Përktheu: Edon Qesari)
Shkëputur nga vëllimi me poezi “Mish dhe qiell” – botim i shtëpisë botuese “Pegi”
Be First to Comment