Press "Enter" to skip to content

Wislawa Szymborska: Macja në një shtëpi bosh

Wislawa Szymborska

Të vdesësh – s’i bëhet kjo një maceje.
E ç’mund të bëjë një mace
në një shtëpi bosh?
Të kacavirret nëpër mure.
Të fërkohet pas mobilieve.
Në dukje, këtu asgjë s’ka ndryshuar,
megjithatë, asgjë s’është si më parë.
Çdo gjë duket në vend të vet,
megjithatë, çdo gjë nga binarët ka dalë.
Mbrëmjeve, llamba nuk ndriçon më.
Nëpër shkallë ndihen hapa,
po s’janë ata.
Edhe dora që hedh peshkun në kupë
s’është më ajo e para.

Këtu, diç nuk fillon
në orën e përhershme.
Këtu, diç nuk ndodh
ashtu siç duhej të ndodhte.
Këtu, ishte dikush, ishte
pastaj befas u zhduk
dhe këmbëngul të mos kthehet.

Nuk la dollap pa kontrolluar.
Nuk la raft pa rrëmuar.
Edhe nën qilim kokën e futi.
Madje, theu rregullin e prerë,
letrat mos m’i shpërnda në erë.
Ç’ka mbetur tjetër për të bërë.
Të presësh dhe të flesh.

Prit vetëm sa të bëhet i gjallë,
sa kokën ta sjellë ai,
e pastaj fort do pendohet
se maces kështu s’i punohet.

Do t’i dalë përpara
sikur qejfi s’ia ka aspak,
ashtu dalëngadalë,
mbi putrat inatçore,
pa klithje e lëpirje,
të paktën në fillim.

Përktheu: Aida Baro

***

Dy fjalë nga përkthyesja:

Szymborska është poetja që e dua më shumë, fle mirë me atë që jam unë. Para 7 vjetësh, 1 shkurt 2012, ajo na la një trashëgimi të madhe letrare, së cilës mund t’i afrohesh hap pas hapi, dalëngadalë, se përndryshe të trazon aq shumë, duke fshehur nën një tis ironie dhe çtragjedizimi dhembjet dhe brengat e saj.
Poezia e mësipërme është e tillë, shkruar pas vdekjes së njeriut me të cilin kaloi 30 vitet e fundit të jetës, Kornel Filipowicz (një tjetër shkrimtar i madh polak), pa jetuar nën të njëjtën çati, sepse “zhurma e makinave tona të shkrimit shqetësonte tjetrin”, por gjithnjë përkrah “si dy kuaj që rendin me galop krah sho-shoqit”.

***

Maria Wisława (Visuava) Anna Szymborska (Simborska) lindi më 2 korrik 1923 dhe vdiq më 1 shkurt 2012. Poetja, eseistja dhe përkthyesja polake fitoi çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1996, kur dhe fitoi një famë botërore. Veprat e saj janë përkthyer në shumicën e gjuhëve evropiane, si dhe në arabisht, hebraisht, farsi dhe në atë kineze.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento