Press "Enter" to skip to content

Ndue UKAJ: Poezi

ARKA E PËRMBYSJES

Shpeshherë të kam pâ mes engjëjsh e demonësh,
E rrethuar nga një aureolë e rreme, e quajtur lavdi.
E kërkoje arkën e shpëtimit.
Një jastëk për kokën tënde
E për dëshirat tua të ngjyrosura në liri.

Fatin tënd e mbanin në dorë perënditë e detit,
Derisa një ditë aureola jote u përmbys.
Atëherë ti qave si ky qiell i pikëlluar,
E ktheve kokën prapa,
Ata sy të ambël që shikonin kah pafundësia.
Dhe matanë dhimbjes kërkove një shtrëngim dore
Trëndafilin e kuq
Sa rruzullimi i syve të tu.

Atë ditë ndjenjash të përgjumura
E kërkove kthimin te rrëfimet e vjetra
Nëpërmjet heshtjes së zymtë
Në udhëkryqe fatesh ujite lulet e këqija.

Çfarë të bëj unë në një natë si kjo,
Pa hanë dhe pa qëllim,
Kur lë peng udhëtimin e gjatë nëpër rrugët e egërsuara;
Ku mungon hapësira
Fjala
Mallëngjimi.
Dhe një vistër lajmesh
Për mungesën
Dikush e quan vetmi
Dikush e quan liri.

Atëherë matanë teje pashë një rrëmujë njerëzish
Si mësynin kah portat e mbyllura.
Dhe u kapa pas teje;
Pas teje aty ku thërrmijat e kujtesës bëheshin simfoni
Në ndërgjegjen e vrarë.
Një tingull që zgjat sa një jetë.

VAJZA QË E DO POEZINË

Ajo lindi në ditën kur s’duhej,
Qyteti kundërmonte aromë t’keqe
E zogjtë kishin ra në qetësi t’detyruar,
Aroma e luleve ishte mbytë nga duhma e shurrës.

Vetëm zhurma e aeroplanëve dëgjohej
Dhe shushurima e korit t’kohës,
Ku kanë zënë vend politikanët me xhepat plot parulla.

Koha ikën.
Mes nesh kryelartë rri jeta jote
E ëndërruar çdo natë.
E ne, t’hutuar, shikojmë sytë e saj, si pikturojnë nëpër vite,
Ato kujtime të shpërndara si flokët e shprishura në trupin tënd.
Pastaj shtrojmë pyetje të shumta,
Pyetje që u mungojnë përgjigjet
Ditëve kur shfaqen njerëz me shikime t’mjegullta
Dhe duar të ngritura nga qielli që kërkojnë mëshirë.

O Zot,
Në qytetin e saj ka shumë bërllok.
Ajo e do poezinë, por s’i lexon përrallat patriotike
Ajo i pi kafet e zeza, por me një gotë raki
Ajo e ka fustanin e zi, por mendjen e bardhë.

O Zot, ç‘predikime dëgjon ajo, me veshët e bukur,
E sytë e stuhisë që i shohin përtej mureve.

Ajo bën plane për të nesërmen
E fustani i kapet në një gozhdë.

Pastaj qetësisht kërkon fundin e gjërave, pa e kuptuar rrugën e daljes
Dhe kështu i shterret fjala dhe shtegton nëpër imagjinatë.

Në vetmi kërkon Kullën e Babelit,
Në një ditë kur tullat i përplasën nëpër gishtërinjtë e saj.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento