Press "Enter" to skip to content

J.W. Goethe: Ginkgo biloba

Kjo gjethe peme ardh prej Lindjes,
ka zënë vend në kopshtin tim,
mendimin e fshehtë ma përndez,
dhe dijes m’i jep frymëzim.
A mos nga natyrë e gjallë
veten ajo dysh e ndan?
Dy gjethëza hijeshojnë,
por një trup puthur i mban.
Kësaj pyetjeje t’i përgjigjem,
është më i ploti kuptim.
Që kaq pranë dhe larg të kam,
s´e ndjen ti në vargun tim?

 

Gëte dhe Ginkgo – një poezi dhe një pemë Ginkgo biloba, që aq shumë emocionoi dhe frymëzoi Gëten, nuk mund të ishte vetëm një pemë me gjethe të rralla, por edhe një poezi që dilte nga shpirti lirik i të madhit dhe të dashuruarit Gëte, një poezi e shkruar jo vetëm në qiell… Kushdo që ka vizituar Weimar, s’ka se si të mos ketë vizituar edhe “Shtëpinë në kopsht”, që shkrimtarit ia dhuroi perandori Carl August. E atje, përballë shtëpisë në kopsht, Ginkgo është ende e hijshme, mbresëlënëse për të pasionuarit e lirikës së Gëtes, për ata që nga gjithë bota shkojnë ta shohin pemën e magjishme, të marrin gjethet e saj në formë zemre të ndarë më dysh, e t’i ruajnë bashkë me kujtimet e ndonjë dashurie, që s´mund të fshihet lehtë…
Poezia me dorëshkrimin e saj është atje në shtëpinë-muze, fleta është zverdhur, por përkarshi shtëpisë në kopsht, ose siç njihet “Gartenhaus”, ato, të magjishmet, gjethet e Ginkgos, të gjelbra, të shndritshme, intime, të grishin e s´mund të jesh dot i pavëmendshëm.
Nuk mundesh…
Ginkgo-dashuria, që mposht kohën.
Krahas interesave të njohura botanike të Gëtes, gjethja e Ginkgos dhe forma e saj karakteristike e inspiroi atë artistikisht, duke krijuar poezinë simbol të bashkimit dhe ndarjes njëkohësisht. Në kohën e udhëtimeve të tij në Heidelberg dhe përgjatë Meinit e Reinit, ai vështronte gjatë gjethet e Ginkgos dhe diskutonte për llojin dhe formën e tyre. Ishin ato që e magjepsnin, dhe jo vetem ato… Kështu ka lindur në shtator 1815 kjo poezi kushtuar mikes së tij, Marianne von Willemer, gruas së një bankieri nga Frankfurti, një prej dashurive të Gëtes, botuar në ciklin e poezive “Divani Perëndimor–Lindor“, në librin “Suleika”.
A janë takuar ndonjëherë Gëte dhe Mariane nën gjethet e të magjishmes Ginkgo në Frankfurt, apo Heidelberg, apo atje në kopshtin e mrekullueshëm të “Gartenhaus“?
Dihet që gjethja e Ginkgos i dha forcën Gëtes të shprehë fisnikërisht në një poezi – simbol ndjenjat e tij për 31-vjeçaren Marianne von Willemer, ndërkohë që vetë ishte mbi 60-vjeç.
Forma e gjethes së saj dyfishe përputhet edhe me filozofinë e jetës: maksimum dhe minimum; principi mashkullor dhe femëror; Yin dhe Yang, jetë dhe vdekje, e mira dhe e keqja.
Nuk ka shumë pemë në botë, që përmes karakteristikave të jashtme të tyre, të magjepsë njerëzit ashtu si Ginkgo biloba…

Përktheu dhe përgatiti Anrila Spahija

Similar Posts:

Be First to Comment