Press "Enter" to skip to content

Hamit ALIAJ: Poezi

Askush s’e din dramën e drurëve

Askush s’e din dramën e drurëve të pagojë.
Ata janë kalendarë:
çdo vit që ka shkuar,
është një rreth në trupin e tyre.
Drurët kanë ankth:
s’e dijnë çfarë u bën njeriu, ndaj grinden me rete.
Njëri jeton ankthin se do bëhet kryq,
o për kryqëzime të reja, o kryq te kryet e një vorri.
Tjetri pret të bëhet derë,
(jetime endacake, drita pret pasdere),
krevat ku shfryhen epshet e botës.
Trishtohen drurët që do të bëhen karrike,
ku ulen tiranët, që pjellin krime.
Drurët jetojnë dilemen e madhe të kohës: kur do bëhen zjarr,
flaka e tyre njeriun do të ngrohë, a do djegë qytetërime?
Lumturohen ngapak drurët që do të bëhen letër,
ku do të shkruhen lirika dashurie,
por prap i zë ankthi i germës së shpikur nga njeriu,
dyshimi i madh se në cilën letër të dalë nga drurët,
do firmosen shpallje lufte a urdhëra pushkatimi?!
Drurët trishtohen nëpër qytete,
kur i mbjellin në rresht e ngjajnë si ushtarë.
Drurët vetëm për një gjë i tremben vdekjes:
se vdekja e tyre është mërgatë e pakthim e zogjve.
Drurët flejnë jashtë, në natën e botës.

 

Dimërim lahutash

Krahë për krahë,
shëtitores së qytetit të përhënur,
ecin të vdekurit, që u kushtohen këngë
e të gjallët, që duan të bëhen këngë.
Mërijaz kqyren ndërveti,
të vdekurit, që u këndohen këngë
e të gjallët, që duan të hyjnë në këngë.
Merreni këngën tonë e na jepni ditën tuaj, thonë të vdekurit.
Ne duam edhe këngën, edhe ditën, thonë të gjallët!
Po kënga don koka, o të mjerë,
thonë të vdekurit me këngë!
Dhe kokat e të gjallëve bëhen lahuta,
kokat e të gjallëve, që duan të hyjnë në këngë.
Qytet sonambul, me njerëz kryelahuta!
Këngëtarët e vdekur,
kthehen me luftëra në shpindë.

 

Këmbanë e largët

Tash prekjet e mia
s’e bëjnë më kitarë trupin tënd,
veç rënkim të një këmbane të largët,
të një kishe të harruar në mal.
Dherat dhe qiejt hyjnë në natë
e hesht zogëzimi.
Piprron veç lorza shtjerrakeqe,
hu-hu-hu, hukatë huti mbi pyje,
dervish i fateve të natës.
Prej rënkimit të dheut del një dritë përshpirtje,
në trajtën e një gruaje.
Perënditë antike dalin nga rrënojat
e zbathur rendin pas saj.
Perëndi antike, murgjër të lashtë,
bjeruni këmbanave në tempujt tuaj,
kitarave veç unë di t’u bie.

 

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

You cannot copy content of this page