Press "Enter" to skip to content

Jorge LUIS BORGES: Poezi

Mungesë

Do të më duhet ta ringre jetën e shkretuar
që ende sot është pasqyra jote:
çdo mëngjes ta rimëkëmb do të më duhet.
Që kur u largove,
sa shumë vende, të kota janë shndërruar,
të pakuptimta, njësoj
si dritat në mesditë.
Buzëmbrëmjet që qenë korniza të imazhit tënd,
meloditë me të cilat gjithmonë më prisje,
fjalët e asaj kohe,
me duart e mia do të më duhet t’i thyej.
Në ç’thellomë do ta fsheh shpirtin tim
që të mos e shohë mungesën tënde,
që si një diell i tmerrshëm, pa perëndim,
rrëzëllen përfundimtare dhe mizore?
Mungesa jote më rrethon
si litari grykën,
si deti atë që mbytet.

Bashkëfajtori

Më kryqëzojnë dhe unë duhet të jem kryqi dhe gozhdët.
Më zgjasin kupën dhe unë duhet të jem kuskuta.
Më mashtrojnë dhe unë duhet të jem gënjeshtra.
Më vënë zjarrin dhe unë duhet të jem ferri.
Duhet të lëvdoj dhe të falënderoj çdo çast të kohës.
Ushqimi im është çdo gjë.
Pesha e saktë e universit, poshtërimi, ngazëllimi.
Duhet të përligj atë që më plagos.
S’ka rëndësi lumturia apo fatkeqësia ime.
Unë jam poeti.

Lamtumira

Mes dashurisë sime dhe meje do të ngrihen
treqind net si treqind mure,
dhe deti mes nesh një magji do të jetë.

S’do të ketë asgjë veç kujtimeve.
Ah buzëmbrëmje që vlejtën vuajtjen,
net të shpresuara për të të parë,
fusha të udhës sime, kube e qiellit
që po shoh dhe po humbas…
Përfundimtare si mermeri
të tjera buzëmbrëmje do të trishtojë mungesa jote.

Vetëvrasësi

Nuk do të ngelet asnjë yll në natë.
Nuk do të ngelet as nata.
Do të vdes dhe bashkë me mua përmbledhja
e të padurueshmit univers.
Do t’i fshij piramidat, medaljet,
kontinentet dhe fytyrat.
Do ta fshij akumulimin e të shkuarës.
Historinë do ta bëj hi, hirin hi.
Perëndimin e fundit po shoh.
Zogun e fundit dëgjoj.
Asgjënë ia lë trashëgimi askujt.

Hëna
(Maria Kodamas)

Kaq shumë vetmi në atë monedhë ari.
Hëna e netëve nuk është hëna
që vërejti Adami i parë. Shekujt e gjatë
të pagjumësisë njerëzore e kanë tejmbushur
me vaje të moçme. Këqyre. Është pasqyra jote.

Përktheu: Erion Karabolli

(Me rastin e përvjetorit të lindjes)

Pak biografi:

Jorge Francisco Isidoro Luis Borges Acevedo lindi më 24 gusht 1899 në Argjentinë. Si shkrimtar, eseist, poet dhe përkthyes, ai është një nga figurat kryesore të literaturës botërore dhe veçanërisht i asaj në spanjisht.
Librat e tij më të mirë: “Ficciones” (Trillimet) and “El Aleph”, botuar në vitet ’40, janë përmbledhje me tregime të ndërlidhura me tema të përbashkëta, si: ëndrrtat, labirintet, filozofia, libraritë, pasqyrat, shkrimtarë të trilluar dhe mitologjia.
Krijimtaria e tij ka kontribuar te literatura filozofike dhe letërsia fantastike, duke u konsideruar nga disa kritikë si fillimtari i realizmit magjik të shekullit XX në literaturën latino-amerikane.
Poezitë e tij të fundit bisedojnë me figura të mëdha, si: Spinoza, Kamy dhe Virgili.
Vdiq më 14 qershor 1986.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento