Press "Enter" to skip to content

Rezarta Reçi: Prozë

***

Ishte simpatike. Nuk ia mohonte dot vetes. Të tjerët ia evidentonin shpesh sensualitetin shprehës të qënies. A thua i lexohej në sy? Apo buzët shprehnin më shumë? Ndofta lëvizjet e hareshme a të qeshurat shpërthyese…
Thjesht nuk kalonte pa u vënë re e pa marrë mbi vete ndonjë ngacmim sysh a kompliment që vlente.
Të gjitha këto po i mendonte me vete ndërsa forconte me të kuq konturin e buzëve para pasqyrës. I kuq i ndezur. I shkonte me lëkurën e bardhë. Me ngjyrën e errët të flokëve. I pëlqente të binte në sy. Të shkaktonte turbullim të fortë te meshkujt që pëlqente. Thjesht t’i ngacmonte dhe kaq. Le të ishin aty. Rrotull saj. T’i përgjëroheshin për pak kohë, ndërsa ajo me takat e larta të largohej me zhurmë e pa hedhur sytë rreth e rrotull.
E dinte vetë se ku do ndalonte.
E ndjente vetë se kë do çmendte me lozanjarllëkun e vet.
Ia vlente të ishte në qendër të vëmendjes, të shikimeve, të propozimeve. Për pakëz flirt e dashuri. Martesa ishte larg. Më larg e çonte vetë ajo. Martesa i dukej se i jepte fund hirit të saj femëror, ftues dhe dominues. Fjalëve të bukura nga të gjitha anët. Nga meshkuj simpatikë e të kuruar, të shëmtuar, por të veshur plot sqimë, sportivë e hokatarë, e natyrisht të pasur. Se një kuletë e pasur plotëson çdo gjë.
Surprizat pa emër, buqetat me etiketa me iniciale, rezervimet në qiell a në vende me shumë yje. Ku ndjehej për pak orë a pak ditë mbretëreshë e ditëve të tij . Kur e ndjente se zemra e tij po fillonte të skllavërohej bënte një ikje të shpejtë, pa kthyer kokën pas, pa kthyer qënien pas.
Po kësaj here nuk kishte arritur të ikte në kohë. Diçka nuk kishte funksionuar. Ose e kishte bërë të mos funksiononte. Kishte nisur si lojë sysh. Shikimet ishin shtuar. Ai kishte qenë i drejtpërdrejtë. Pothuajse edhe i paturpshëm në propozimet e tij elegante. Ai kishte ngritur kurthin e tij plot xhentilesë e ngacmime marramëndëse. Ajo vendosi të luajë. Nuk i kushtonte gjë. Burrë i pashëm, fin, i pasur, kundërmonte aromë klasi, lakmohej nga të tjerat. I martuar besnik. Kështu e quanin korridoreve të dikasterit. Fundjavat nuk e zinin në atdhe. Shëtiste shumë me familjen dhe miqtë.
Po pse po e ngacmonte atëherë?
Pse ia kishte trazuar mendimet me të qenit i drejtpërdrejtë e i guximshëm?
Të dua ty, i kishte pëshpëritur. Kur nuk e priste.
E donte atë?
Pse kishte zgjedhur atë, burri pa flirte e pa histori të zëshme?
E joshi ky shigjetim ndofta i pashkak. Mund edhe t’i shmangej. Të martuarit e trembnin me frikërat e kujdesin e tyre ndaj partnereve që kishin.
Po me këtë burrë jo shumë të ri, po tepër tërheqës do rrinte pak. T’i merrte vëmendjen, ledhatimet, kohën përkushtuese, marramendjen erotike… ta merrte të gjithin, për pak kohë e të ikte me zhurmën e takave të saj që shkelnin në zemër.
Buzëqeshi lehtë para pasqyrës. Tundi flokët e zinj. Ndrinte. Një mbrëmje mister e priste. Ai ia kishte premtuar. Ajo po shkonte për më shumë. Do luante fort. Ai donte nënshtrimin e saj të ëmbël.
Ajo donte nënshtrimin e zemrës së tij. Të rrihte vetëm për të, bukurinë e hiret e saj. Pa e ndarë me askënd.
Në cilën anë do ishte fitorja? Po nënshtrimi?
Nuk mjaftonte një natë. ..
Këtë e dinte me siguri…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!