Press "Enter" to skip to content

Tua Forsström: Poezi

Eja në shtëpi nga ujërat e errëta

Eja në shtëpi nga era e atjeshme
Si një i klasës së parë me atë çantën
e kuqe në shpinë, eja në shtëpi.
Ngatërruese ajo çfarë
ishte, ngatërruese ti.
Ditët janë të ngjashme.
Rreshtat me kavanozë me jargë dhe gjak.
Çështja është t’mos mbani mend.
Çështja është t’mos e kujtoni atë mëngjes
poshtë në ujë të qetë, i vërtetë
si një mashtrim!
Njëherë kishte epsh të virgjër.
Njëherë kishte pastërti të pamatur.
Je një moment.
Je një dysheme e rërës në çadrën e tregut
Transporton fëmijët e vegjël dhe patina,
përgjatë rrugëve të rrëshqitshme të dimrit në dëshirën e tij
në dritën e ftohtë, eja në shtëpi.

Atë që ne e quajmë kohë

Ndoshta është të ushtrohesh
Në panjohuri, mungesë.
Atë që ne e quajmë kohë.
Është ndoshta, në fund të heqim dorë!
Kam harruar Emrin e tij!
Kam harruar si jam ankuar
Nga epshi, e lodhur në dritën e mëngjesit!
Krushqit janë tërbuar tani në shtëpi.
Unë harroj, unë harroj
Emrin e tij!
Lufta shkatërron.
Kujtesa zvogëlohet.
Rretho ose rrethoju
Është njësoj pas një kohe. Por,
Si uji i derdhur e i mohuar për
Një krah? Oh, nëse unë do të lejoja të shikoja
Forcën tënde të blinduar mes turmës!

 

Si në adhurim

Rri qetë një vajzë e vogël, pa lëvizur
me duart e ngritura në ujë,
Noton jashtë. Ashtu kalojnë
verat tona: nën hijen e pemëve të
larta dhe plazhet e tjera të ndriçuara.
Tymi nga sauna fërkon mrekullueshëm
gjatë shpatit.
Një mjegull ecën nëpër ujë:
Atë që je duke pritur s’do të vijë
Atë qe je duke pritur udhëton diku tjetër.
Vesa bie, mollët bien
Një vajzë luan akoma në plazh
sikur të ishte e vogël
“Por nuk e sheh ti? Kjo jam unë! ”
Fillon të bjerë borë ashpër:
Ne shkojmë në thellësi të panjohura
në dritën e pamjaftueshme, por edhe
ajo që shihet është e bukur.
Të çarat, uji. Enë
nga ethet dhe kripa.

Përktheu nga suedishtja: Edita Kuçi Ukaj

 

Biografi

Tua Forsström lindi në vitin 1947 në Borgå, Finlandë. Është poete mjaft e vlerësuar finlando-suedeze dhe ka fituar shumë çmime të rëndësishme letrare në Suedi, në Finlandë dhe në tërë Skandinavinë. Vlerësohet si një nga poetet më të rëndësishme skandinave.
Vepra e saj përbëhet nga përmbledhje me poezi. Për një kohë punoi për botuesit Söderströms, por, para shumë kohe, ka fituar statusin e shkrimtares së lirë. Ka fituar të gjitha çmimet e rëndësishme poetike në vendlindje dhe vepra e saj u përkthye në danisht, gjermanisht, anglisht, italisht, finlandisht, frëngjisht, shqip dhe holandisht. Depërtimi i saj në letërsi erdhi kur ishte 30 vjeç. Përmbledhja e saj e parë, “En dikt om kärlek och annat” (Një poezi për dashuri dhe gjëra të tjera), doli më 1972-shin. Përmbledhja e saj e gjashtë, “Leopard dëbore”, i solli pranim në nivel ndërkombëtar, kurse përkthimi i tij në anglisht nga David McDuff fitoi çmimin për librin me poezi të përkthyera.
Ndër veprat e saj janë: “Snöleopard”, (Leopard dëbore) “Tallört” (Foleja e verdhë e zogut, 1979), “September” (Shtatori, 1983) “Marianergraven“ (Hendeku i Marianëve, 1990), si dhe “Parkerna” (Parqe, 1992), libri i cili fitoi Çmimin e Akademisë Finlando-Suedeze. Përmbledhja “Efter att ha tillbringat en natt bland hästar” (1997) (“Pas kalimit të një nate mes kuajve”) fitoi çmimin më prestigjioz letrar skandinav të Këshillit Nordik (1998). Ndërkaq, në vitin 2003 mori çmimin letrar të Akademisë Suedeze. Ajo po ashtu fitoi çmimet “Edith Södergran” (1998), “Medaljen Pro Finlandia” (1991), “Çmimi lirik i Göteborgsposten” (1992), “Çmimi Tollander” (1998) dhe “Çmimi lirik Gerard Bonniers” (1993).
Ajo botoi disa drama dhe punime muzikore. Po ashtu është laureate e çmimit “Naim Frashëri” në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit.”
Libri me poezi “Unë studiova njëherë në një fakultet të mrekullueshëm”, përkthyer nga Edita Kuçi Ukaj, është botuar në shqip në vitin 2014.
Është anëtare e Akademisë suedeze.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento