Press "Enter" to skip to content

Ndue Ukaj: Poezi

Utopia

Çdo gjë është ndryshe. Në horizont dielli copëzohet;
Copëzat ngulen në zemrën e tokës si shigjeta triumfuese.

Ngjyrat s’i dallojmë nëpër erën që frushkullon kujtesën.
Poezi s’lexojmë në universin e marrëzive,
ku marrëdhëniet mes territ dhe dritës
shfaqen si marrëdhëniet mes murit dhe mendimit.

Prapë luhet loja e çuditshme, njësoj si dikur.
Zogjtë bien përtokë, si atë kohë kur u shkrua Ferri.
O Zot! Seç ka ndërruar çdo gjë,
në kohën kur gardhi i vogël errëson sytë e mëdhenj.

Hëna gjen rrugë nëpër duart e mpira, që rrinë si shtiza drejt qiellit
e dielli shkrihet si qiri nëpër sytë e lodhur të tokës;
në sytë që s’shohin gjë në qiellin blu veç një reje t’vogël;
një re që errëson shumë.

Shikimi im përdridhet në hapësirë,
si përdridhet era dhe krijon ortekët e saj.
Pastaj shfaqen fytyra.
Në një natë, kur çdo gjë është ndryshe,
brenda së cilës kufijtë janë n’kokën tënde,
aty ku këmbët e tua ecin nëpër iluzione,
aty ku këmbët e tua rrëshqasin nëpër iluzione.

Në vetmi i shtrydh ëndrrat e këqija,
për kohën që s’është,
për kohën që s’ishte.
për kohën që s’vjen.
për kohën që ikën me erën.

Çdo gjë është ndryshe. Në horizont dielli copëzohet;
copëzat ngulen në zemrën e tokës si shigjeta triumfuese.

Utopia n’betejë me realitetin
ia ha ëndrrat
e struktura n’këndin e fshehtësisë.

 

Shkëlqim i vagullt

Atë ditë…
Çdo gjë shkëlqente para këmbëve tona,
kur ti më afrove dorën e paqes.

Përnjëmend vetëm ti e di fshehtësinë e valëve gazmore,
atyre ndjenjave, që heshtën si notat në pentagram.

Si mbahet jeta në këmbë
kur ta kthen shpinën barka jote
dhe e sheh si është nisur drejt shkëmbinjve.

Oh! Përnjëmend duhet të ngrihem mbi fishkëllimat e fatit
dhe të dirigjoj melodinë e zogjve.

Barka ime është kthyer, kur të gjithë e shtynin në stuhi.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento