Press "Enter" to skip to content

Miranda Içi: Poezi

Komedia e absurdit

Bota përpëlitet
në ethet e gjumit të madh.
Ata kanë shtruar banket.
Hanë fruta, servitur
mbi gjokse lakuriq
njomëzakesh, shitur dy grosh.
Ato mbushin kupat e verës
dhe u fshijnë me flokë
djersë e jargë, qenieve pa shtyllë kurrizore.
Kush e mbulon këtë zezonë?
Kush?
Bora vdiq,
bashkë me shitësen e vogël të shkrepseve
në përrallën e Andersenit
Mua më është zgjuar përbrenda një ujk.
Më çjerr me thonj,
më bluan eshtrat me dhëmbët brisk.
Ulërin, plagosur nga xhelozia,
për qafën e kafshuar të hënës.
Ai puth gjithë lulet e globit
i ka dhënë secilës emrin e saj.
Përrenjtë zbresin udhës së moçme,
mbarsin lumenjtë. Dhe, mospërfillës
derdhen në det.

 

***

Një pikë nga gjaku im,
harbon gjokseve të një kontinenti,
ende të pazbuluar.

Një pikë nga gjaku im,
derdhet e xhindosur
në deltën e një lumi të nëndheshëm.

Kam një pikë gjaku cigane,
rebele të pashtruar në venat e mia.
E lag si flok i pabindur në mëngjes.

Është ajo pikë gjaku që rrjedh,
ushqen dëshira të jashtëligjshme.
dhe i shpall luftë qetësisë sime olimpike.

Ajo pikë gjaku,
gërryen palcën e shtyllës sime kurrizore.
Dhe më ha nga brenda, ndërsa unë hesht.

 

Elementë

Jeta si trekëndëshi i Bermudës.
Tre, si e djeshmja e humbur,
e sotmja pakuptim,
e nesërmja e turbullt.
Tre, si përqeshja e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.
Tre, si mrekullitë dalë prej barkut tim.
Tre, si dita dhe muaji kur erdha në jetë.
Toka, ajri, qielli, përsëri tre.
Tre si dielli, uji dhe dashuria.
Trekëndëshi poshtë këmbëve.
Unë njëshi themeltar, shumëzuar me veten.
Njëshi, qëndruar në udhëkryq të ekzistencës.
Pres lakun e yjeve të var ëndrrat.
Tanimë shpirtin ia kam shitur djallit.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento