Press "Enter" to skip to content

Trëndafile Visha: Poezi

Ëndrrat masturbohen

Jam aty…
Rrëzë trungut mbushur me rrudha malli
Bie erë lulemollë.
Fal diellin në zenit,
Natën veshur me hënën e plotë,
Të qetë gjer në tronditje.
Zërin e bulkthit ngjirur në vetmi,
Vesën e mëngjesit të sotëm
Të dlirën gjer në mëkat…

Nuk marr asgjë;
As ajrin,
Prekjen,
Pëshpërimat,
Puthjet,
Zënkat,
Dridhjet gjer në fikje…

Rrëzë trungut
Ëndrrat masturbohen.
Bie erë lulemollë…

 

Kohë menstruacionesh

Menstruacionesh
Bashkë me kohën,
Pikla dashurie, malli, dhembjeje
Mpiksen kokrrizash, shkëputen, bien,
Memece shtrohen rrugëve.
Me sy profetësh
Zgjojnë rrënjë kujtimesh…

Lidhur në kërthizë me kohën…

Një pikël fëmijërie
Nën kofshët e mia
Grindur me kukullat prej lecke –
Imazhe bishtalecash,
Mpleksje e shpleksje
Topi që s’e kisha
Të thyeja xhamat e akullt
Të shtëpizës time.
Kisha sy dielli,
Me ta matja orët,
Kruaja e rrisja dhëmbët ëndrrave
Në një kothere.

Priteni kërthizën!

Një pikël adoleshence
Nën kofshët e mia,
Marroke në një univers hiçi
Kaluar dëshirash në orgazmë
Pa guxuar prekjen, puthjen, ritmin…

Pritmani kërthizën
Ëndrrash të mos jem e virgjër!

Nën kofshët e mia
Një pikël e pamoshë
Përkundet ciklit
Ngrohur në pak sekonda dielli…

 

Kur të mundesh

Kur të mundesh,
Më dërgo zërin që po më çmend,
Përqafimin e mbetur pezull,
Rrugën e harlisur nga kujtimet,
Një gotë verë dhe buzët ndezur…

Kur të mundesh,
Shko te dhoma e vetmuar
Më dërgo një grusht ajër,
Zgjo puthjet nëpër mure
E krevatit nxirri mallin…

Kur të mundesh,
Më dërgo perëndimin e diellit,
Frymën e ndarë në mes.
T’i mbjell si trëndafila,
Në rrënjë dashurie të vdes…

 

Përtej guximit

Kam frikë të zbuloj gjinjtë.
Janë kaq të bardhë –
Mjellma të virgjëra në breg të liqenit
Dhe koha
Thëllim
E uritur,
E marrë…

Kam frikë të puth.
Buzët janë aq të kuqe –
Hoje të mishta me shumë zjarr
Dhe moti idhnak,
Hakmarrës,
Shtrati i përdalë…

Kam frikë
Të prek,
Të ndiej,
Të ngjizem.
Kam frikë
Gishtërinjtë,
Penisët
Dhe farën e pistë…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento