Press "Enter" to skip to content

Rezarta Reçi: Prozë

***

Vendosi të qëndronte në krevat. Të mos ngrihej fare. Një ditë, dy, tre..
Ndoshta edhe më shumë. Perdet e rënda e errësonin dhomën siç duhej. Abazhurin e kishte pranë kokës. Librat po ashtu. Bota ishte tej. Kishte nevojë të rrinte vetëm. Të përmblidhej. Të arsyetonte. Pse jo dhe të tërhiqej. Kishte rënë në dashuri. Keqas. Vorbulla e saj po i thithte qenien, energjinë, po e transformonte dalëngadalë. Po e bënte më të mirë? Më të çmendur po. Ku po shkonte? Ku po shkonin?
Dashuri e vjedhur, hajdute dashurie , i pëshpëriti vetes. U struk thellë në shtresa. Kokën e futi poshtë jastëkut. Donte të qante. Nuk ishte aq e mërzitur. Kishte nevojë për reflektim. Të gjithë i kishte kundër. Miqtë e saj dhe të përbashkëtit. Motra po e po. Fqinja i kishte trokitur një ditë dhe i kishte folur ashpër , pa i marrë leje. Kush e kishte rradhën tani? Me siguri gruaja e tij. I trembej këtij takimi. Nëse ndodhte. Çfarë t’i thoshte? “E dua burrin tënd!”. Po ajo nuk e donte?
Po ai kë donte?
Sa e lodhshme gjithë kjo!
Kjo ishte prova e katërt e tërheqjes së saj. Mençuria i takonte asaj. Nëse e bën dot, tërhiqu ti e para, i kishte pëshpëritur ai ndërsa bënin dashuri. Për herë të fundit, sipas saj. Ai nuk besonte në ikjen , në ikjet.
-Të zgjasë sa duhemi, thoshte.
-Po sikur të zgjasë gjithë jetën?
-Nuk po bëjmë krim, po duhemi…
-Është e vjedhur dashuria jonë…ti gënjen në shtëpi…
-Më do? Mos mendo kaq shumë, nëse më do…
E donte natyrisht. Fort. Edhe kështu të ndarë përgjysëm. Përgjysëm? Kush e tha? Vërtet, po ai kë donte më shumë? Gruan apo të dashurën? Sa përqind më shumë? Filloi të qeshë me peshoren imagjinare të dashurisë. Iu dhimbs ai burrë tërheqës, që përpëlitej të ruante ekuilibrin. Shkonte e vinte kuturu. Hera-herës i hutuar. Por pasionant. Pasioni e mbronte. E bënte më të bukur. Më energjik. Më të përkushtuar. Ekuilibrohej në peshoren fantastike të ndjenjave. Jetonte pafajësisht…
Fajin e ndjeu brenda vetes. Duhej të tërhiqej. Të mos donte! T’ia dilte ta shihte atë burrë jo si gjysmën e saj. Nuk ishte i saj i plotë, plotësisht siç e përjetonin në dashuri. Kur ai ikte nga trupi i saj, ajo e dinte se ai do hynte sërish. E do bëheshin të plotë. Një.
Vendosi t’i mbante perdet e mbyllura, celularin e fikur, veten të zbrazët… duhej ta bënte, për hir të dashurisë.
A do mundej…?

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!