Press "Enter" to skip to content

Ornela MUSABELLIU: Poezi

***

Dy kafshata
asnjë thërrime,
në tavolinën e dashurisë.
Prej kohësh nuk hyjnë
më në punë,
pecetat e lagura të pastrimit.
Zogjtë.
Ata e kanë fajin,
që rreken të hanë,
çdo thërrmijë të lënë pas.

Ik-je

Ti ike… me sytë pas…
Shpinëlotuar
ike…

Unë pres…
me sytë nga retë…

Pritjet e mia – lënesha nevrike
në pragun e portës mbjellin hithra,
deri sa të kthehesh…

 

***

Drithërimës së kahershme,
peng ia mbajta zërin,
tek përgjumja ëndrrat, me vallëzime ujërash.

Ti… rrugëve kishe mbetur diku.

Ujërat u mbarsën,
ujëvarat krijuan…
me flokët e tu.

Ti… Niagara në sytë e mi.
Unë shtrati i prushtë,
ende pa shuar…

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento