Press "Enter" to skip to content

Xhaketë mes beharit

Behari në Pogradec është goxha i këndshëm. Aroma e gjolit dhe era e peshkut të skuqur të bën të ndihesh mirë e të urit pesë a gjashtë herë në ditë.
Në rininë tonë, një copë bukë me djathë pas notit ishte gjëja më e shijshme që mund të haje; askush nuk desh më shumë. E ç’duhej më shumë se aq? Pa andralla e merakosje, se shkolla ish larg, në shtator, e gjer atëhere, dy muaj ishin goxha kohë për t’u shijuar e ndjekur çupat.
Poradecarët janë njerëz të mirë në përgjithësi; pak me komplekse, por kur ja gjen avazin, njeriu me ta ndjehet rehat e në shtëpi, edhe kur është mik.
Në Poradec gjithçka është e vogël e kjo bën gjithçka tjetër të madhe. Nga shtëpia jonë deri ne tezja, Lulja, ish veç shtatëqind e pesëdhjetë metra, por ne na dukej aq larg sa vizita ishte formalitet me veshje e pispillosje.
Voloreka ishte pesë kilometra larg po edhe poradecarët vetë rrallë shkonin. Një orë më këmbë?! Ç’e do! Më mirë i fusim nga një vodkë ne tymka e gjimnazit, pa Voloreka atje është; nuk e merr jugosllavi, jo!
Qytet i mirë e me rregull; lulishte kudo. Mirë nuk është të bjesh në sy shumë, se helbete të njohin se kush je: kujt do i shesësh mënd? Poradecarët janë si hebrenjtë: përkatësinë e marrin nga e jëma: Beni i Mirës, Tani i Fatimes, Taqka i Marikës, Lili i Bikos e kështu me rradhë. Vetëm unë isha Tani i Kryetarit; nga frika a respekti nuk e di, por mua nuk më thërrisnin kurrë me mamanë.
Të tërë më njihnin, të mëdhenj e të vegjël. Shoferët më mbanin shok t’i shpëtoja nga komisioni e policët më hapnin rrugën e më bënin të fala për babin. S’ja mbante bytha t’ja bënin vetë sa herë e takonin: çdo mëngjes.
Njerëz të mirë e besimtarë poradecarët, por pak llafazanë. Po të pirdhnje ne gjuetari lajmi zinte “1 majin” para se të shkonte era. Po nuk ankohej kush se të tërë e dinin këtë mesele, dhe e mbanin shtrënguar që mos u dilte. Sekretet ishin ato që të tërë i dinin po i mbanin “sekret”. Pak të fshehta kishte. Njerëzia i dinte kush ishin kurvat e kurvarët, pijanecët e ata që pëlqenin djemkat, por për mirësjellje vakti merrej e jepej me buzëqeshje e mirësjellje. Për çupa që pëlqenin çupat askush nuk dinte gjë.
Po llafazanëria e thashethemet nuk ishin veç për pordhë e histori me bojra; nëpër gojë mbaheshin të tërë, pak rëndësi me shkak a pa shkak. Një vit na kanë tallur për pantallona të kuqe: vesh djali pantallona të kuqe?! Po edhe të bardhat nuk të shpëtonin, e golfet e bardha pe siloni ishin ca më keq: E mo je bërë i bukur për të bijën e Petrikës, ë? Po ku ta var ajo ty bre, qyrash?!
Poradecarët janë më të lirshëm e artistikë se korçarët, por rronin me korniza e refrene, që nuk i ndryshonte dot askush. Guxonje po deshe; nuk është se do të fusnin drunë, por sa herë ndryshonje diçka, zallamahija e thashethemeve merrte emrin tënd. Ahere nuk kish fejsbuk, po komentet i mbanin mend të tërë: kush e tha e si e pse.
Siç po rrëfenja, vera ishte koha më e bukur, të paktën për ne djemtë e rinj, por mbrëmjeve ndonjëherë frynte veriu, ajri ftohej e shikonje njerëzit në xhiro të mërdhirë e shtrënguar pas njëri-tjetrit, që me zor mbaronin shëtitjen gjer te 1 maji e të ktheheshin në shtëpi. Ishte verë dhe blluzat me mëngë të shkurtra ishin standard, se në verë me mëngë të shkurtra vishet tjetri; si mund të vishet ndryshe, se gurë nuk po bien që.
Unë e quaja veten dhe më quanin poradecar, por në të vërtetë isha pe Elbasani. Tjetër soj në komplekse e zakone, dhe kur ftohej shkoja në shtëpi e vishnja një xhaketë të lehtë të qepur me porosi nga kostumi i kthyer i babit. Pesë a gjashtë, bënim xhiron e mbrëmjes e kullosnim sytë se mos shihnim ato që na donte zemra. Të tërë me mëngë të shkurtra thanin dhëmbët kërrusur, veç unë me xhaketë.
Edhe tani e dëgjoj refrenin: Po gurë po bjenë o djali i kryetarit? Do një pallto mo?
Me siguri e mbyllnin duke kërcitur dhëmbët nga të ftohtët: E po të jetë loqe tjetri! Xhaketë në mes të beharit!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

Komento