Lotët i rridhnin çurk. Kish vënë syzet që të mos e shihnin, por kur kalonin pranë të gjithë i vinin re faqet e lagura dhe facoletën e bërë shuk e qull.
U bë ndyrësira të zërë dashnore! Nuk kish faj ai, kur e mbante në pëllëmbë të dorës e tani po i merrte krahun. Burrat të gjithë një surrat kanë, ndaj nuk kuptonte se si ajo budallaçka i kish besuar gjënjeshtrave të tij gjithë këto vite. I bënte dhe komplimenta dhe lajka pale: ndyrësira!
Nuk desh të kthehej në shtëpi, megjithëse e dinte se nuk do ta gjente atje; ish në punë a kush e di me kurvën në ndonjë motel. I dukej sikur ia ndjente rënkimet edhe atij edhe asaj; sikur i vinin nga pas si jehona, nga çdo dritare e hapur në pallatet në rrugën ku po kalonte. Sikur vërtet të ishin aty; lakuriq duke u puthur e përkëdhelur e duke u tallur me të.
Dënesa iu shtua dhe gjoksi që ngrihej e ulej ia kishin ngjirur të qarën, që tani edhe vetë mezi e dëgjonte. Ku të shkonte? Ku të futej? Si të mund të harronte atë që kish marrë vesh? Nuk e dinte as vetë se ç’nuk do jepte të harronte se ç’kish bërë ai ndyrësira.
U përpoq të hetonte me mendje se mos gjente se kë kish zënë; mos ish ndonjë nga shoqet e saj, apo ndonjë e njohur? Me siguri ndonjë e njohur! Bo-bo sa turp kur të merrej vesh!
U lut, aman, të mos ish ndonjë e njohur! Ishallah ndonjë bimbo studente, nga ato që rrinin gjithë ditën në kafene të gjenin ndonjë debil si ai, që kush e di si do ish jargavitur kur e kish takuar.
Ku të shkonte? Ku të futej? Në fund të rrugës pa tabelën e supermarketit dhe njerëzit që hynin e dilnin me qese në duar. U nis pa u menduar fare. I duhej shampo dhe pastë dhëmbësh; djathë edhe pak kishte, por ndoshta do ish më mirë ta merrte te bulmeti i lagjes.
Sytë i reshtën dhe mendja iu end te pazari, si për të harruar atë dhimbje therëse që i ndrydhte gjoksin. Hyri në dyqan pa i hequr syzet e me frikën se mos takonte ndonjë të njohur që do ta shihte ashtu, të bufatur nga sytë e me siguri do ta pyeste se ç’kish e si ish puna. Aman, kush jepte shpjegime! Pastaj ç’punë kishin njerëzit se ç’hall kish ajo!?
Mori një kosh dhe u drejtua për te shampot; pastaj te pastat e dhëmbëve; pastaj te makaronat dhe përfundoi te bulmeti, duke u përpjekur të vendoste a ta blinte aty djathin apo te lagjja.
Në cepin e majtë të banakut-frigorifer pa pakot e petëve të gatshme; posi ja, donte dhe byrek tani ndyrësira! Shtrëngoi koshin panë barkut si për të fshehur diçka dhe eci drejt banakut të mishrave.
Pulat e pastruara iu dukën sikur e tallnin me lakuriqësinë e tyre. Me siguri ndaj i pëlqente pula e pjekur atij, se i kujtonte kurvat lakuriq! Era e pulave të pjekura nga furra në krah të banakut e përzjeu si aroma e një diçkaje të urryer, fyese, të padurueshme. Bëri disa hapa mbrapsht të largohej nga ajo ndjesi mbytëse dhe eci drejt rafteve të artikujve shkollorë, sepse pak njerëz ndalonin atje e do kish kohë të merrte veten.
Pas një ore inspektimi rigoroz çmimesh dhe me koshin e mbushur sa po derdhej, pagoi e doli nga supermarketi. Donte të shkonte në shtëpi, të hynte në dush e të lante aromën e mendimeve që i dukej sikur i ishin ngjitur deri në qafë me lotët.
Shtëpia iu duk bosh, e ftohtë akull, e zymtë. Me gjithë atë dënesje e kish marrë uria.
Në katër e gjysmë, shtrirë në vaskë, dëgjoi derën e jashtme të hapej e mbyllej me zhurmë. U ngrit ngadalë; u tha e u kreh; veshi robdishanin e shkoi në kuzhinë, ku aroma e pulës së pjekur dhe byrekut i solli prapë uri.
Të tjera nga ky autor:
- Dëshirore shqiptare
- Errësirë
- Dans ma rue vit un vieil homme
- Pellgjet
- Në krahët e tu të vdes
- Wild cherries
- Varret e mia
- Në rrugën time jeton një plak
- Në një gjithësi tjetër
- Si të shkruash një sonet
- Letra dashurie: Juliette Drouet për Victor Hugo
- Kur më qesh im atë
- Nëse ty
- Jacket in the summer
- The gentleman’s pleasure
- Xhaketë mes beharit
- Te Mimoza Kuchly rrëfen jo vetëm gruaja
- Kënaqësia e Halimit
- Ca kupa verë me Perëndinë
- Përhumbur
Be First to Comment