“Rrëfej unë gruaja” duket si një titull tepër kufizues për librin me tregime të Mimoza Kuchly. Në fakt, është pak e vështirë të ndash gjininë e personazheve pa ndjekur deklarimin e tyre si mashkull apo femër. Rrëfimi i Mimozës është përtej gjinores, ndaj mendimet e një mashkulli janë tejet të lagura, të buta dhe atipike për një personazh shqiptar. E kundërta ndodh me personazhet femra: të kursyera, të tërhequra, që deri diku reflekton dhe karakterin thellësisht ballkanas të autores.
Tregimet kanë në përgjithësi një natyrë fantastike e të jashtëzakonshme, që ndonjëherë mund ta konsiderosh të tepruar, por gjuha plot nuanca dhe bagazhi shpirtëror i personazheve e justifikon deri diku dhe absurdin që libri mbart në çdo faqe. Mungesën e përshkrimit gjeografik e skenik e plotëson një gjuhë plot larmi e ngjyra të çuditshme, që e bëjnë lexuesin t’i rikthehet leximit për ta përtypur më mirë atë që autorja ka dashur të përçojë.
Autorja lundron në tematikë të qartë dhe struktura e rrëfimit, edhe pse tepër personale, ndjek logjikën tradicionale. “Testamenti i mirënjohjes” duket sikur ndodh në Londrën e Dikensit, ku edhe tema është tipike e letërsisë iluministe, me personazhe dhe ngjarje të jashtëzakonshme; me të mirën që fiton mbi të keqen; me një botë pa personazhe negativë.
Nga ana tjetër “Balerina pariziane” i përngjan më shumë një drame korçare, shqiptare në dëshira dhe kompozim, megjithëse është vendosur në Parisin e sotëm. Këto tipare e bëjnë rrëfimin më të kuptueshëm pa u larguar nga fantastikja që përshkon gjithë tekstin.
Ka pak libra me tregime të autorëve shqiptarë sot që ja vlen të lexohen dhe “Rrëfej unë gruaja” është një prej tyre. Gjuha dhe reflektimi që bën autorja do ishin ndihmuar tepër nëse do i ish dhënë më shumë vëmendje redaktimit, që fatkeqësisht është handikapi kryesor i letërsisë moderne shqipe.
Megjithatë, i botuar nga Onufri, me një cilësi tepër të mirë shtypi, “Rrëfej unë gruaja” është një dhuratë ideale për dikë që gjen kënaqësinë te leximi, apo për t’u kredhur në histori e personazhe të jashtëzakonshme një fundjave dimri apo vere.
Lexim të këndshëm!
Dritan Kiçi
Të tjera nga ky autor:
- Dëshirore shqiptare
- Errësirë
- Dans ma rue vit un vieil homme
- Pellgjet
- Në krahët e tu të vdes
- Wild cherries
- Varret e mia
- Në rrugën time jeton një plak
- Në një gjithësi tjetër
- Si të shkruash një sonet
- Letra dashurie: Juliette Drouet për Victor Hugo
- Kur më qesh im atë
- Nëse ty
- Jacket in the summer
- The gentleman’s pleasure
- Xhaketë mes beharit
- Pulë e pjekur dhe byrek
- Kënaqësia e Halimit
- Ca kupa verë me Perëndinë
- Përhumbur
Be First to Comment