Press "Enter" to skip to content

Kënaqësia e Halimit

Halimi rruhej përditë. Si shumica e ish-oficerëve të edukuar në një kohë tjetër, rroja ishte diçka që duhej bërë. Pak rëndësi kish fakti se do dilte a do rrinte në shtëpi. Ndonjë mëngjes që nuk rruhej, i rrinte dora gjithë ditën te mjekra e ndihej si në faj. Qimet që kishin nisur në ato 24 orë i dukeshin sikur zgjateshin me minuta. Mezi priste të vinte mëngjesi tjetër që të rruhej prapë e të ndihej mirë.
Mund të rruhej dhe në darkë, por nuk ish mirë të rruheshe në darkë. Se përse nuk ishte mirë nuk e dinte, por e kish dëgjuar aq herë nga sa e sa njerëz e nuk kish pse e dyshonte. Njëlloj si me thonjtë, që nuk është mirë t’i presësh natën, dhe me flokët që duhen qethur me ditë.
Nganjëherë shkonte te berberi pasditeve vonë dhe kur ishte dimër pasditja ish natë, por nuk quhej se natë është kur bie fle apo kur bota bie fle dhe ti rri zgjuar. Teknikisht ishte dhe nuk ish natë; mund ta merrje si të doje. Ndaj dhe qethja te berberi kur nuk ishte errur konsiderohej si e qethur ditën.
Zakoni i të rruarës përditë e bënte të ndihej akoma i vlerë e i mbajtur. Kish kohë që kish dalë në pension të parakohshëm, por ama përpiqej të gjente diçka të bënte e mos të rrinte kot si shumica e shokëve të tij, që rrinin përditë përpara ndonjë dyqani apo kafeneje e diskutonin po të njëjtën gjendje politike të paqendrueshme.
U rrojt, vuri pak krem dhe e ndjeu fytyrën t’i freskohej. Kënaqej me atë ndjenjë; gjithnjë i pëlqente. Këqyri veten një çast me ngulm në pasqyrë e shkoi të vishej.
Këmisha e bardhë, e hekurosur, që rrinte varur me kremastar në dorezën e dollapit, ndriste nga një rreze dielli që hynte nga perdja e hapur e dhomës së gjumit. E veshi e u ndje edhe më mirë. Kanotieria e re, që pat veshur para se të rruhej, fëshfëriu nga fërkimi i këmishës dhe mbi trup i erdhën ato morrnicat që ndjente gjithnjë kur vishej, por sidomos atëherë kur krekosej në uniformë.
Kaloi kollaren e lidhur rreth kokës dhe e rregulloi poshtë jakës së këmishës. Në pasqyrën e kanatit të mesit të dollapit i pëlqeu vetja. Kish nja 20 vjet me atë kollare, por gjithnjë ndihej mirë kur e vinte. Shtrëngimi rreth qafës nuk i bezdisej, dhe kur bënte ftohtë ai izolim i grykës e ngrohte.
Më nëntë duhej të ish në punën e re. Megjithëse do zëvendësonte për ca ditë një shok në një nga sallat e lojërave të fatit, diku pranë maternitetit të ri, i dha seriozitetin e duhur gjësë, se nuk mund të bënte ndryshe e të turpërohej.
Duke dalë nga dera veshi xhaketën dhe, pasi mbylli derën, lidhi këpucët duke vënë këmbën në shkallën e dytë për në katin tjetër. Sa kohë kish që jetonte në atë pallat i kish lidhur atje këpucët. Ndihej rehat e sigurohej që gjithçka ish në rregull, para së të merrte shkallët tatëpjetë, për të dalë në rrugën para pallatit, ku gjithnjë do gjente e përshëndetej me një komshi.
Nuk banonte larg e nga shtëpia deri te puna i duheshin, aq, nja dhjetë minuta, jo më shumë, ndaj dhe mori tatëpjetë shkallëve ngadalë, me të njëjtën ndjenjë që përjetonte kur shkonte në punë në ministri.
Sa pak duhet për njeriun të ndihet mirë, mendoi tek zbriste shkallët.
Para se të prekte në katin tjetër, këmbët iu prenë dhe vdiq.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *