Mbretëria e drejtësisë
Harku pa formë i një pike loti noton në qiell
Dhe u ngjan reve që grumbullohen mbi koka tona.
E sheh: ne jemi të barabartë në mesin e të pabarabartëve.
Ëndërrojmë drejtësinë e zogjve dhe mbyllemi nëpër konferenca të gjata.
Mbi to lexojmë drafte shterpe
Dhe nga “lehtësia e padurueshme e të qenit”
Ikim në ekzistencën e thjeshtë të episodeve të përsëritura.
Të tjerët veprojnë mbi ne
Më shumë se ne mbi dëshirat tona – m’tha gruaja
Dhe u zhduk në errësirë
Bashkë me fërfëllimën e fustanit të saj magjik.
E ti më thuaj nëse vërtet ekzistojnë hartat e drejtësisë
Apo janë shpikje imagjinare e poetëve?
Tym
Është mëngjes.
Lajmet e mira nuk vijnë si melodia e zogjve:
Na ishte njëherë pranvera, shpresa
Dhe ideja se liria është mungesë e robërisë.
Tani ka tym e gaz
E pranvera i ngjan vjeshtës.
Mbi kokat tona valëvit pikëllimi
Ky flamur morti që si një kortezh trishtimi
Bredh nga dora në dorë.
Lajmet e mira nuk u ngjajnë ëndrrave.
Shkruhen tuneleve ku mungon drita
Aty ku terri shtrin pushtetshëm fuqinë
Mbi rojet e fatit
Ata njerëz që luajnë në teatrin e demokracisë.
Qyteti fle i trazuar
Zgjohet i trazuar
Qan e qesh i trazuar.
Kafet janë mbushë më fantazma
Dhe kukurisje lajmesh që mbllaçiten keq.
Ka tym dhe një flamur pikëllimi
Që është shtri si shall dhimbjesh
Në qafën e rënduar të një populli
Që kërkon të pëlcasë nga trishtimi.
E unë mora me vete një thes ëndrra
Dhe dola rrugëve pa shpresa.
Pashë njerëz të shndërruar në hije
Dhe një pallat të vetmisë me rekuizita trishtuese
Me mbishkrimin:
“Liria është mashtrim i madh.”
Rrugës shkelmova gurë të hedhur pikëllimi.
“Sa shumë marrëzi mban qyteti im mbi supe”
Më tha vajza me shallin e bukur rreth qafës saj të ambël.
Dhe një çantë të zezë trishtimi që e mbante me vete
Mesditë pranvere
Pas këtij dimri të acartë,
kjo ditë ka nevojë për qartësi.
Vitet tona janë shpuar tej për tej nga kjo re pikëllimi,
që sodit mbi pranverën tonë tash e sa mote.
E sheh: unë e hodha pallton e palarë
dhe gradualisht i afrohem diellit.
E matanë kësaj stine,
ata flasin për pamjaftueshmërinë e sendeve
dhe një ditë që zgjat sa një jetë.
Pas këtij dimri të acartë,
pa dyshim,
kjo ditë ka nevojë për frymëmarrje dhe shumë kthjelltësi.
Të tjera nga ky autor:
- Ndue Ukaj: Poezi
- Luan RAMA: Ne nuk patëm kohë
- Ndue UKAJ: Cikël poetik
- Ndue UKAJ: Poezi
- Ndue UKAJ: Kulla e Babelit
- Virgjil Muçi: Poezi
- Ndue UKAJ: Të mësohesh me errësirën
- Leonard COHEN: Poezi
- Agim PIPA: Cikël poetik
- Mirela SULA: Cikël poetik
- Anna Kove: Poezi
- Tua Forsström: Poezi
- Stanislav LVOVSKI: Poezi
- Franz Werfel: Biografi dhe poezi
- Hamit ALIAJ: Poezi
- Ndue Ukaj: Godo nuk vjen
- Frederik Rreshpja: Poezi
- Jorge LUIS BORGES: Poezi
- Trëndafile Visha: Poezi
- Ornela MUSABELLIU: Poezi
Be First to Comment