Press "Enter" to skip to content

Ornela MUSABELLIU: Poezi

Kur trishtohet trishtimi

Trishtimi zgjohet e baret i lodhur,
rrugëve të gjata të çdo dite,
mbushur e zbrazur nëpër aterie,
me pluhurin që lë pas çdo dhimbje.

Trishtimi ngryset i trishtuar,
për të vdekur dhe u ringjallur sërish,
në humnerën e hirtë të gjoksit,
që fshehur mban një zemër… të trishtë!

Mars 2012

Kohës

Mbi shpinë të kohës,
ngarkoj hijet e ditës,
në gjoks të saj,
gëzimet strehoj,
mbi duar shtroj udhët e mia,
nën këmbë,
tallazet mundohem t’i nënshtroj.
Te sytë e verbër ia lexoj dritën,
me kohën nuhas pritjet mbi këtë tokë,
me buzët e saj shijoj puthjet e fundit,
lumturitë e mia ia qëndis mbi flokë:
Kohës…

Mars 2012

Dita ime sot

Dita ime sot…
Një cigare e gjatë “Rojals”
E fortë, e hidhur, e vrazhdë
Pas çdo shtëllunge tymi
Kërkon të më vrasë…

Dita ime sot
Një copë grisur nën qiell…

Mars 2012

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento