Press "Enter" to skip to content

Ca kupa verë me Perëndinë

Ndizma zjarrin me një gotë Verë
Që hi të bëhen ëndrrat e mia
Mos mendoj më për të tjerë
Të mësoj ç’është marrëzia

Derdhe! Mbushe kupën plot!
Dhe dheu i shkretë të pijë pak
Dua të ndjehem gjallë sot
Se e nesërmja është shumë larg

Se kush e di ç’sjell Perëndia
Mes ëndrrash të vërtetën fsheh
Shpesh s’dinë ta shohin njerëzia
Si i çmenduri që veten s’e njeh

Një gotë Verë e kuqe gjak
Që gishtat kuq t’i bën me bojë
Të shtyn me gllënjka pak nga pak
Jetën ta luash tamam si lojë

Përplase kupën mbi tavolinë
E thirr: Shpejt më sillni Verë!
Se po s’e njome me të mërzinë
Shpejt e kupton se je në ferr

Verën e ëmbël me lot të kripur
Do ta përziej, pastaj do pi
Sepse e njoh se sa e hidhur
Është gjithçka që unë sot di

Kur kupat rresht të vijnë qark
Kurorë e bukur në vallëzim
Do nisë të dalë pak nga pak
Thika e ngulur në shpirtin tim

Do t’i kthehem kujt të kem pranë
Një kupë me mua a do ta pish?
Sot unë e ti t’i lëmë mënjanë
Se kush na ishte e atje ç’ish!

E në mos dashtë, më mirë do jetë
Dy kupa Verë do kem për vete
Të parën me fund do ta pi shpejt
Me të dytën do flas në heshtje

Do ta pyes: Pse perëndia
Të bëri Verë e jo diç tjetër?
Ndoshta e dinte që mendt e mia
Maten me Verë e jo me metër

Një tjetër kupë! Buza m’u tha!
E fjalët e Perëndisë m’u shuan
Mbush nga një gotë dhe për ata
Që gjakun e Krishtit nuk e duan

E në s’e pifshin prapë s’ka gjë
Më shumë Verë do kem për vete
Gotat rresht, një e nga një
Nga një burim që sjell veç etje

Verë! Verë! E ëmbla Verë!
Shuaj sot Ti brengat e mia
Kur ty s’të kam e kam të tjerë
Larg ndjehem nga perëndia

Kupën tënde ndaj lart e ngre
I etur nga qielli pranë të më vijë
Të qeshim bashkë pastaj të tre
Unë, Perëndia dhe Vera e tij

Tiranë, 15 gusht 2009

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

Komento

error: Content is protected !!