Press "Enter" to skip to content

Franz Werfel: Biografi dhe poezi

Franz Werfel u lind në Pragë si djali i një industrialisti të pasur hebre më 1 shtator 1890. Pasi u shkollua si tregtar, punoi Lektor në shtëpinë botuese “Kurt- Wolff”, në Lajpcig. Ishte mik i Franc Kafkës dhe Maks Brodit. Nga 1915-1917 ishte ushtar i Luftës së Parë Botërore. Martohet me Alma Mahler, të venë e kompozitorit Gustav Mahler, dhe jetoi në Vienë e Venedig, deri më 1938, vit kur edhe ai si shumë çifutë të tjerë duhet të emigronte. Fillimisht emigron në Paris, fshihet në Lourdes, dhe më 1940-n largohet nga Spanja për në New York. Jetoi në Amerikë  deri sa vdiq në vitin 1945.

Ishte poet, romancier, dramaturg, esseist, tregimtar e përkthyes. Lajtmotivi i krijimeve të tij ishte inspirimi nga Krishti dhe Izraeli. Tragjeditë familjare të humbjes së dy femijëve i dhanë një goditje të thellë, që s’mund të kalonte pa lënë gjurmë dhe në krijimtarinë e tij të viteve 1920-1930. Në këto vite, Werfel i përket autorëve më të shquar e më të lexuar të hapësirës gjermanishtfolëse. Popullariteti i madh dhe çmimet e shumta letrare lidhen kryesisht me dramat, por sidomos me lirikën e tij, e cila e bën atë të njihet si poeti nismëtar i ekspresionizmit në letërsinë gjermane.

Ekspresionizmi dhe vepra e Werfel-it
Ekspresionizmi jetoi në letërsinë gjermane në fillimin e viteve 20-të, shekullit të 20-të, lulëzimin e tij, duke shfaqur fillimisht karakter humanitar. Së bashku me Alfred Döblin, Else Lasker- Schüler, Max Brod, Ernst Stadler Franz Werfel  renditet si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të këtij drejtimi letrar në hapësirën gjuhësore gjermanike. Tipike ekspresioniste në lirikën e Werfel-it është pasqyrimi i së brendëshmes me mjete të pakta gjuhësore. Ai përdor shpesh forma eksperimentale të shprehjes, të kombinuara me shembuj të naracionit tradicional. Kundërshtimi i të vështruarit të botës në mënyrë psikologjike dhe i materializmit e të menduarit shkakësor, si dhe ringritja e vlerave të mendjes dhe të shpirtit, janë thelbi i kumtit që transmeton lirizmi i Franz Werfel-it.

”Ti je rrëmbimi që unë po përjetoj dhe po të dorëzohem me përulje të mrekullueshme.”

E mbiquajtur “Fenomeni Alma Mahler” ose “Femme fatale”, Alma Mahler determinoi gjithë krijimtarinë e shkrimtarit të shquar Franz Werfel qysh nga viti 1919 e deri më 1945-n. Ajo është përcaktuar si “muza e Expresionizmit”, si gruaja që frymëzoi muzikën e të madhit Gustav Mahler, vizatimet e Kokoshkes, veprën e Gropius e madje me ndikim dhe të Elias Canettit. Gruaja legjendë e Vjenës, do ta detyronte Franz Werfelin t’i shkruante: “Ti je rrëmbimi që unë po përjetoj dhe po të dorëzohem me përulje të mrekullueshme”. Me personalitetin e saj shumë të fortë, por edhe shpesh posesiv, ajo jo vetem nxiti krijimtarinë më produktive të Franz Werfelit, por me forcën e saj edhe dhunoi atë çka tek ai ishte natyrore, duke e bërë të humbte shpesh referencat e orientimit. Kjo shihet edhe  në lirikat e endjeve drejt asaj, që ai e quan “toka e tij”, “trualli i tij i munguar”. Megjithëse ndau me të dhimbjen e emigracionit, duke e shoqëruar për në Amerikë, në anijen ku udhëtonte dhe Heinrich Mann, ajo shpesh e provokonte për prejardhjen e tij çifute. Edhe pse gruaja e tij, ajo kurrë nuk u identifikua me mbiemrin Werfel. Dominimi i saj e ndjek veprën e Franz Werfelit edhe pas vdekjes, dhe nuk mund të flasësh për të po nuk fole edhe për Almën, pasi vepra e tij nuk do të ishte po të mos ishin emocionet e forta që i dha atij lidhja 27-vjeçare me të. Thënia e dhimbshme e atyre kohëve, nisur nga fati tragjik i burrave me të cilët ajo jetoi: “Kush martohet me Almën, ndëshkohet me vdekje”, vjen në ditët e sotme në shprehjen:
“Vepra e burrave të martuar me Almën nuk vdes kurrë”.

Njeriu s´shprehet dot

Pasi të jap puthjen e lamtumirës,
kap me drithërimë dorën tënde.
Të paralajmëroj t’i vësh veshin
asaj që them:
Njeriu s´shprehet dot.

Po treni, treni pse nuk po jep fërshëllimën e fundit?
Kjo do të thotë të mos mund të të shoh kurrë më.
Unë flas fjali rrethore, pa kuptim…
Njeriu s´shprehet dot.

E di, kur mos të të kem më, kjo do ishte
vdekje, vdekje, vdekje! E megjithatë dëshiroj të syrgjynosem?!
O Zot, sa do doja një cigare!
Njeriu s´shprehet dot.

Po nisem! Tani në mes të rrugës e qara më zë frymën.
Shoh veten me habi. Oh, as e qara nuk thotë
asgjë,
çka ne mendojmë!
Njeriu s´shprehet dot.

Ora pesë mbasdites së trishtimit

Shiu dritaret nis përlan.
Ajri rëndë vdekjes i ngjan.

Unë jam i vdekjes shëmbëllim.
I saj, ç´mendon mendimi im.

Copa qelqesh shiu piklon,
erëza dhimbjesh muzgu kutërbon.

Një gram prej tij, si kripë e shkrirë,
frymëmarrjen time mëkon mirë.

Timen zemër përgjoj pa fjalë.
Kur vjen ti e fundmja valë?

Sa ditë ende do të jem?
Sa fjalë ende do të them?

Goj´e shkretë sa do puthë?
Një Zot e di. Numri ësht´ kumt.

Si shkulm karboni muzgu ngjan.
Ora pesë, pesë në çdo anë.

Odën e frymës krejt pushton,
ajo, që asnjë mendim s´mendon.

Shkencëtari

Njerzit na duan, dhe të trishtuar
nga tavolinat çohen, për ne të qajnë.
Ne mbi mbulesa, kërmillëzuar
i shbëjmë, me akull lotët u thajmë.

Kush ne na do, e shtyjmë në anë,
e ftohtësia asnjë gram s´na shkrihet.
Kë ne duam, është veç një fjalë
e ngurtë, e pamundur të arrihet.

Fjalë që vepron, n´vetmi shndërrohet,
kur forcë e fikur ne na djeg.
Asnjëherë, asgjë nuk tjetërsohet
në pronë, që veç njohja ime prek.

Mik i botës (fragment)

Shumë bart ky shpirti im.
Të shkuarën e jetës së shkuar,
troje të tëra mbuluar,
me gjurmë t´lehta rrezesh në yllzim.
Në sipërfaqe dot un’ nuk jetoj,
njehësuar jam me t´huajin truallin tim.
Ndiej mall mëmëdheu,
për ty mbetje, mbeturinë, e shkuar e së shkuarës!

E përhershme

Sa kohë puhiz´ e erës grish
Sllovaket lulkëza sërish,
aq edhe vashat shtatstolisura
ngjyrojn´ petalet e harlisura.

Sa kohë në pyllin bavarez
kumbon sopata në mëngjes,
aq edhe vetmitar´ i shkretë,
Zotin dhe shenjtorët gdhend.

Sa kohë Ligurit kur lundron
e deti peshkatarin mbron,
aq edhe brigjesh vashat sodit,
kur shtat` i hijshëm nur u shndrit.

Popuj të kësaj bote! Më trondit
Ribërja juaj dit´e për dit´.
Unë, pa atdhe edhe pa truall
veç temthat rri shtrëngoj në duar.

Përktheu: Anna Kove (Anrila Spahia)

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento