Press "Enter" to skip to content

Arlinda Canaj: Perrija

Arlinda CanajTë gjithë shqyen sytë tek e panë të çapitej rrugës për nga Lagja e poshtme. Aq shpejt u hap lajmi sa të gjitha plakat korbëzeza dhe gratë u mblodhën togje togje me njëra tjetrën, si kurrë ndonjëherë në atë vend. E ndërsa dhe në përvjetorët më të rëndësishëm të heronjve popullorë gjallesa e këtij fshati grumbullohej në sheshin kryesore, pranë teqesë së Shehajve, këtë radhë barinjtë e rinj i lanë bagëtitë tatëpjetë shtigjeve dhe kapërcyen nëpër shkëmbinj për të ardhur shpejt e për tu bashkuar me turmat. Andej nga lagja e Rustajve dëgjohej një lebetitje fëmije e sapo zgjuar nga gjumi.  Dukej se nëna e tij vërdallisej me grarinë sa në një portë në tjetrën.
-Ishte gati dy metra, e bukur si perri,-sqaronte një plakë me zë të lartë duke ndukur faqet e rreshkura.

-Mu duk më e gjatë se dy metra. Kurrë nuk kam parë ndonjë femër që ti afrohet kaq shumë qiellit. Dukej sikur ia ka tërhequr flokët djalli dhe e mbante pezull. Ishte mbuluar me rrecka dhe flokë i kish të gjatë presh,-nxitoi të thoshte fjalën e saj dhe një vajzë, e cila përvodhi kur sytë e plakave shamizeza e ndukën me vështrim mosmirënjohës.
 –Pse Hanko, nuk ishte e tillë? Si tu duk ty, që e pe e para?-vazhdoi vajza.
Hankoja i kaloi të gjitha me një vështrim, u plandos si gur në shesh dhe u shkreh në vaj. Mbas saj dhe të gjitha gratë e tjera, ngritën të prapmet dhe me kokën që ngrihej e ulej drejt qiellit mbanin ison e Hankos.
-Ah e zeza çfarë e gjeti fshatin tonë! Do na vdesin çiliminjtë dhe burrat e fshatit. Erdhi qameti, do na pllakosi këngëlia.
Gratë godisnin kryet me grushta njëra pas tjetrës dhe një këngë vajtimi u ngrit tejpërtej nëpër fshat. Turmës i  shtoheshin gra të tjera që nxitonin të vendosnin mbi krye  pëlhura të holla të zeza, të tërhiqnin nga pas ciliminj dhe lotët binin rrëke mbi tokën e ashpër të asaj vere të thatë si asnjëherë…
Tregonin se Perrija kishte zbritur tre herë në fshat. Të parën herë ish ndalur në shtëpinë dykatëshe të Nanajve. Ish fjalosur me të zotin e shtëpisë, që në atë kohë mbante postin e kryetarit të këshillit të fshatit. Nanoja ishte një plak shkurtabiq që e mbanin si të mëncur shumë prej fshatarëve, por në fakt ai ishte një burrë goxha i dredhur me qeveritë. Ngaqë llafoste sipas interesit i kishte ecur goxha mirë në jetë. Ky mbas fjalosjes me Perrinë  ish mbyllur për tre ditë në dhomë dhe e kishte gjetur plaka pa frymë pas të tretës.   E shoqja kishte dhënë kujën, por edhe gjatë zisë së mbajtur për dyzet ditë nuk e kishte shqepur gojën hiç për të kallzuar arsyen. Ngjarja me rëndësinë e vet për fshatin  ish përcjellë  lehtazi. Atë motmot në Shqipëri  kish nisur të rrëzohej komunizmi dhe  fshatarët ishin kaq të sëkëlldisur nga kjo mesele sa nuk dinin se ku fusnin kokën pa nënën parti.  
Herën e dytë thuhet se kish kaluar në mbrëmje. E kish parë Hankoja të ndalonte në disa shtëpi e veshur me ato rreckat e saj dhe e mbuluar me një gunë të madhe të zezë. Kish lënë nga një gur të kuq në çdo shtëpi. Nga ato guralecët e vegjël që gjendeshin në burim të përroit në mal dhe që barinjtë i ruanin nëpër sergjenët e tyre modestë. Nga këto shtëpi të vizituara prej Perrisë djemtë ishin larguar drejt Greqisë. Emigracioni kish gëlltitur gjithë moshën e punës, duke lënë pas familjet e tyre të origjinës me ndonjë plak gërmadhë që shtynte akoma pleqërinë nën vetminë e thashethemeve dhe kujtimeve të së kaluarës.
E ndërsa ishte ndrruar sistemi dhe djemtë e nuset ishin larguar fshati kishte mbetur po ai. Me ato shtëpi të rënda prej guri me rrasa të mëdha mbi krye dhe pakëz pemë thatanike të drejtuara nga tufanet në drejtim të malit.  Çdo ditë në lëmin e fshatit mbërrinte furgoni i linjës që sillte ndonjë gazetë, të rejat e fundit të qytetit dhe pakëz njerëz sentimentalë apo të pazotë që akoma nuk largoheshin dot nga fshati.
-Unë e pashë prapë- bërtiti një djalë duke iu afruar me dihatje  korit të zoicave. Ajo kishte një bark të madh. Ishte shumë e bukur dhe kishte disa njolla në fytyrë. Edhe sytë i kishte të kaltër si përroi i Dangëllisë.
Gratë s’pipëtinë. U panë sy më sy.  Hankoja vështroi qiellin me sytë e saj të lëngëzuar, rrëshqiti shaminë nga koka dhe flokët e thinjur i shkëlqyen nën ndriçimin e hënës.
–Dreqi ta hajë, këtë nuk e kisha menduar!
Gratë nisën të ngriheshin pas saj.
–Hiqni shamitë,  dhe në shtëpi se erdhi akshami! Keni punë në shtëpi, do piqni bukën do milni bagëtinë, apo harruat. -iu drejtua grave dhe nis të rendte me një hov prej vashe . Disa e ndoqën nga pas.
-Nëse është e mbarsur, do të vijë tek unë. Tani mamia ka ikur drejt qytetit dhe i vetmi njeri ku ajo do të trokasë nëse ka këtë hall, jam unë.  Mu hiqni sysh! Bërtiti ndaj fqinjave të saj që donin ta ndiqnin në shtëpi dhe me fytyrën e saj të ashpër shtyu gardhin.
-Oh, baba Turan! Oh baba Ali!-çmë gjeti tha gruaja 65 vjeçare kur e gjeti perrinë të shtrirë në oborr. Vrapoi në sallon, ndezi poçin e oborrit, mori një sapllake me ujë dhe kur vajza rimorri ndjenjat e ndihmoi për krahu të futej në shtëpi. Trupi i vajzës së rënduar u plandos mbi divan, dhe atëherë plaka vuri re barkun e saj me majucë drejt qiellit. Vajza i mbante duart në pëqi dhe plaka me sytë e saj dalloi pozicionin e fëmijës.
-Është normal. Do të bësh një lindje të zakonshme. Duhet ta kesh djalë.
Hankoja vuri magjen me ujë në zjarr, mori ca pece të bardha, një batanije dhe një palë gërshërë që i leu me raki. Perrija herë pas here në kllapinë e saj dridhej. I kishin ardhur kontraksionet e lindjes. Ajo i kundroi organin femëror dhe vuri re që kish nisur hapja e vaginës. Duheshin dhe të paktën dhjetë centimetra që të niste proçesi natyral i lindjes. Mori një shufër hekuri dhe ia la vajzës në dorë. E dinte që kur ti sajdiseshin dhimbjet e mëdha ajo do e kafshonte vetvetiu. U ul në cep të divanit tjetër dhe nisi të kundronte vajzën. Tërë djelmuria e fshatit të saj çmendej pas asaj pele. Të linte gojëhapur me ato këmbët e saj të holla në kërcinj me shalët e formuara, me vithet e ngritura përpjetë, me muskujt e holla që vikateshin sapo ajo shihte një njeri të huaj në perimetrin e  banesës së saj natyrore.
Pellgu i ciganes shtrihej në majë të luginës së Dëngëllisë. Aty uji grumbullohej në përcka të vogla që nuk e kalonin lartësinë e njeriut dhe krahët e tij. Ishin pesëmbëdhjetë puse të tillë, që në dimër ngrinin nga dëbora por në verë e kishin ujin qelibar. Aty shumë vite më parë në behar kullotnin bagëtitë dhe kishin mbetur disa kasolle të vogla prej thuprash, ahe të mëdhenj dhe nëpër shkëmbinj dukeshin gojë të shqyera shpellash.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Pages: 1 2

Be First to Comment

    Komento