Press "Enter" to skip to content

Silvina Ocampo: Klotilda Ifran

Qau tërë ditën për kostumin e djallit, që nuk ia kishin bërë. Mungonin edhe tri ditë nga karnavalet, data e ditëlindjes së saj. Mamaja nuk kishte kohë për t’u marrë me këto gjëra.
– Kërko një modeliste. Tani je nëntë vjeçe. Je aq e madhe sa të merresh me gjërat e tua.
Kënga e gjinkallave dhe lulet në oborr tregonin ardhjen e verës dhe misterin e mrekullueshëm të afrimit të karnavaleve.
Klemencia kërkoi librin e vjetër të numrave të telefonit. Te germa “S” gjeti numrin e një stilisteje, që kish vdekur tetë vjet më parë. Shkruante kështu: Klotilde Ifran (e vdekur).
Mendoi: Përse të mos e telefonoj? Pa ngurruar i ra numrit. Iu përgjigjën menjëherë. Pyeti:
– Është Klotilde Ifran?
Zëri i Klotilde Ifran u përgjigj:
– Unë jam.
Me gjithë hollësitë e peripecive të saj, Klemencia shpjegoi se çfarë i kishte ndodhur. Klotilde Ifran me mirësi e dëgjoi. I premtoi se do ta gjente mënyrën për ta ndihmuar. I kishte masat e Klemencias. I kujtoi se para një viti i kishte bërë një veshje për festë. Do të shkonte që t’ia provonte kostumin të nesërmen, në orën e pushimit të drekës.
Klemencia nuk tha asgjë: ishte hakmarrja e saj e vogël të cilën po e përdorte kundër mamasë, ngaqë ajo nuk ishte marrë me kostumin e djallit. Gjatë orëve që ndenji në pritje të Klotilde Ifranit, Klemencia as fjeti dhe as hëngri. Kur erdhi Klotilde Ifran ajo ndihej e plakur. Nuk ishte askush në shëpi. Dukej se orët ishin ndalur. Klotilde Ifran hapi kostumin, nxori gërshërët dhe gjilpërat nga çanta e saj, fshiu ballin dhe, e ulur në gjunjë përballë pasqyrës, i provoi kostumin e djallit, të cilit i vinte aromë si vaj recini. I rrinte shumë mirë, përveç brirëve të kapelës dhe të tegelave të pantallonave, që për pesë minuta mund të korrigjoheshin me disa gjilpëra.
– Kushedi sa djallëzi do të bësh? – pëshpëriti stilistja me një buzëqeshje zbavitëse. Klemencia ndjeu një simpati të madhe për Klotilde Ifran dhe u hodh në krahët e saj.
– Mund të të marr me vete në shtëpinë time. Kam bonbone dhe një maskë të bukur – i tha me zë të lartë dhe me butësi, – por kam frikë se mamaja nuk të jep leje.
– Këtu kam paratë për të të paguar për punën – tha Klemencia, duke hapur një portofol prej materiali plastik.
– Është dhurata ime për ditëlindje – iu përgjigj Klotilde Ifran, kur po përshëndetej. – Një dritë e paqartë shkëlqeu në sytë e saj të mëdhenj.
– Dua të vij me ju tani – protestoi Klemencia. – Mos më lër!
– Shkojmë – i tha Klotilde.
E mbështollën kostumin me një fletë gazete për ta marrë me vete dhe lanë valixhen me furçën e dhëmbëve dhe këmishën e gjumit. Dolën të dyja të kapura për dore.

Përktheu nga spanjishtja: M.G.

Similar Posts:

Be First to Comment