Press "Enter" to skip to content

Mirela SULA: Cikël poetik

Bashkëfajësi

Jam lidhur në dhimbje,
tërheqje e rrezikshme kënaqësie
më ndjell dhe frikëson prej
trysnisë tënde.
Ende s’e dimë çfarë jemi…
në këtë botë marrëzie
i njohim pak mëkatet e njëri-tjetrit.

Më shumë tension këmbejmë sesa prehje.

Ngremë pengesa për të qenë të mirë
dhe prapë guxojmë,
i kapërcejmë kufinjtë e vetes
pa dashur të ndryshojmë,
pa kërkuar asgjë…
Japim sa mundim,
me nevojën për të marrë,
me dëshirën për të thyer rregulla,
veten e lëshojmë
në lajthitje ndienjash.
Dobësia na shtyn të gabojmë,
tundimi,
të jemi bashkëfajtorë.

Shpërfytyrim

Në pasqyrën tënde të akullt,
shoh shpërfytyrimin e gruas që vuan thellë meje,
s’jam unë…
Vështrime të huaja më shpojnë,
ma ngacmojnë hijen e lëvizshme
që më ecën mbi fytyrë…
Asnjë tundim,
tjetër s’ndjej,
veç një prani të ftohtë burri
që vjen dhe ikën
për të lënë mungesë,
je ti…
Unë pres
etapën e kthimit tënd
sërish…

Mosqenia jote është e rëndë.
Më e rëndë se jeta,
harresa që le.
S’e mbakam dot peshën e boshësisë tënde!

Asnjë forcë
nuk e shtyn më trupin-objekt të qenies time,
s’ka mbetur më shtysë
as gjurmë keqardhjeje.

Ndoshta s’ka patur ndonjëherë,
veç përpjekje imagjinare
…dhe përmbajtje asgjëje.

…vijoj të shihem në të njëjtën pasqyrë.

 

Paqetësi

Larg frymës që më mban pezull,
mbi gjethet e njoma të shpirtit tënd,
rri e pres të shkrijë e nesërmja,
në kripën e mëngjesit që vonon të vijë…
Sa gjatë i jemi shmangur
të qenit dhe mosqenit bashkë…

Sa gjatë do të presim ende
të prekim paqen që fle thellë në këtë paqetësi?

Do të presim?
Që mungesa të mos na digjet në trup
e nata të lëshohet mbi ne, si vetëtima ëndrrash
gjethet të na thahen mbi krahë e askush të mos i shkelë?
Larg diellit që më ngroh nën çatinë e mungesës tënde
emocione të thekshme më zgjojnë, prej netëve alibi
rri e pres dritën të më kthehet me ty.
Por sa vonë tani të thuash: “Tani je e lirë”.
Asgjë s’më ngushëllon, ndërsa endem rrugëve mbushur plot njerëz e vetmi.

S’e di, a duhet të presim,
që drita dikur të na pushojë në sy,
e mbrëmjet tona të paqes,
të rikthehen sërish.
Në netët e gjata sa gjatë do të presim,
që të jemi bashkë vetëm unë dhe ti?

 

Mirela Sula ka lindur më 1975 në qytetin e Shkodrës. Pasi mbaroi studimet e larta për “Gjuhë-Letërsi”, u specializua për “Marrëdhënie me publikun dhe gazetari”. Ndërkohë ka përfunduar studimet Master në Këshillim dhe Psikologji. Ka punuar si gazetare në disa media të shkruara dhe është autore e disa librave në poezi dhe prozë, ndër të cilat përmendim: “Leje për të jetuar” 1995, “Të jetosh përgjysmë” 1996, “Elvana” 1997, “Fundjavë me Florën” 1999, “Atje vonon pranvera” 2000, “Hartat e dhimbjes 2001, “Gjëra që s’na takojnë” 2003, “Pasion i pjesëtuar” 2005, “Gënjeshtra të bardha” 2006, si dhe “Kur jetës i bie rruga nga ti” (2008).

Është gjithashtu pjesëmarrëse në disa antologji të botuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në poezi. Aktualisht është kryeredaktore e revistës “Psikologji” dhe punon si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!