fbpx Press "Enter" to skip to content

Vorea UJKO: Poezi

Vorea Ujko (1918-1989) është pseudonimi i përdorur nga papàs Domenico Bellizzi, një nga poetët arbëreshë më të respektuar dhe popullorë. Lindi në Frascineto dhe ka qenë prift në Firmo, ku edhe vdiq në një aksident automobilistik në janar të vitit 1989. Vargjet e tij, lirika të mirëfillta arbëreshe, janë publikuar në periodikë të shumtë, si dhe në antologji të botuara në Shqipëri, Kosovë dhe Itali. Vorea Ujko radhitet përkrah poetëve më të rëndësishëm italio-shqiptarë të shekullit të XIX, së bashku me Girolamo De Rada (1814-1903) e Giuseppe Serembe (1844-1901).  Revista letrare sjell disa nga vargjet e tij.

Natyrë

Tek vrapoja me nëntëdhjetë,
u ndesha me një bagëti.
Ndala sa të kalonte
e nga xhami i makinës
vështroja fushën e blertë
dhe malet me borë përpjetë.
Më arriti në flegrën e hundës
aroma e deleve
e më kapi një lakmi
jete të thjeshtë.
Nëse do të kisha qenë më i guximshëm,
do ta kisha lënë makinën
për të ndjekur delet
bashkë me barinjtë.
Çfarë këngësh,
midis malit dhe fushës,
këndova brenda makinës,
gjatë tërë udhëtimit.

Burimi

Duke ndjekur gjurmët e stërgjyshërve,
kam ecur pesëqind vjet,
me këngë arbëreshe në buzë
e sot ua gjej burimin
dhe i lisave, i erërave
i fshatarëve, i punëtorëve
unë jam vëlla.
E shenjtë kjo tokë,
i shenjtë ky qiell
e nga të gjithë unë ndihem i mbrojtur
dhe juve jua fal këngën time.

Në aeroport

Gusht i vonuar. E unë
i kredhur në zhegun
e aeroportit të Tiranës
shijoja një ditë fëminije,
duke kërkuar fillin e bjerrë.
Nga pista e fluturimit,
një zë më thirri:
Mirë se vjen, vëlla Vore!
Prej kah vinte ai zë?
Ishte vallë zëri i babës
apo zëri i vëllait?
Të dallova e m’u duke
një shtegtar udhëtimesh të gjata,
nën qiej të shndritshëm.
Dëgjova përshëndetjen e ngrohtë
dhe pashë fytyrën e butë
ku lexova sihariqe të sigurt.
Nga sa mot ne u kishim ndarë?
Oh, rrahje zemre!
Askurrë s’kam qenë ashtu i lehtë
në hovin tim të pastër.
E më rrethuan krahë.
brenda një rrethi vllazërie.
Pastaj vrapuam drejt Tiranës
dhe e ndjeva veten një zog
me cicërima dielli në gjoks.
Gra të gëzueshme nëpër fusha
i buzëqeshnin birit që kthehej.

Një grusht dhe

Një grusht dhe
të tokës sime:
baltë, shi, stuhi, diell
aromë e freskët kashte
dhe bukë të munduar.
Kam një grusht dhe
të tokës sime,
që më thërret, në dorë.

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!