Press "Enter" to skip to content

Virgjil Muçi: Poezi

http://tbn1.google.com/images?q=tbn:JK2p4VaM6oUwRM:http://www.cokollata.com/mkportal/modules/gallery/album/a_67.jpg* * *
Optimizmi
ishte i dashuri im i parë.
Bëmë dashuri,
por shpirti i zhvirgjëruar,
mbeti beronjë.
Fara,
ishte sterile.

Trishtimi
ishte i dashuri i fundit.
Bëmë dashuri.
Shpirti u mbars,
e polli Vetminë.
shtator ’93

* * *
Fallusi- direku
i anijes pa flamur.
Erërat e marra të fantazisë
e degdisin detrave të epsheve.
shtator ‘ 93

* * *
Bie dëborë,
Dhe unë për herë të parë,
Arrij të shoh se,
Ç’ ngjyrë paskan petalet e,
TRISHTIMIT.
shkurt ’93

* * *
Nata- shurrë e ngjyrosur
Që i rrjedh shalëve
Kohës së përdhunuar
nëntor ‘ 92

* * *
Ai trokiti në derën e nevojtores
dhe thirri:
“Eja shpejt. Revulucioni filloi.”
“Vafsh në djall,” ja ktheva
“Lermë të shijoj në paqe,
aktin e mrekullueshëm të jashtëqitjes.”
Dola nga nevojtorja
dhe harrova ta lëshoj ujin.
Qyteti qelbej nga të pëgërat.
mars ‘ 94

* * *
Çarls Bukovskit
Ditën e vdekjes
9 mars 1994

Një monument

Njerëzimit i lipset
vetëm
një monument.
Le t’ i marrim
t’ i shkrijmë
shtatoret
e mbretërve,
gjeneralëve,
shkrimtarëve,
filozofëve,
diktatorëve
e gjithë psikopatëve
e idhujve të rremë
dhe me bronxin e tyre
t’ iu ngrejmë
një monument
PROSTITUTAVE.

* * *
Rri shtrirë në kokërr të shpinës
Dhe sytë i mbaj nga tavani.
Në qoshk një pezhishkë.
Një mizë ka ngecur keqazi
Në dantellën e saj.
gusht ‘ 93
Në pezhishkën e kotësisë sime
Kam ngecur e rri pezull
Dhe pres Mortjen
Që çapitet me hapa të ngadaltë.
gusht ‘ 93

* * *
Vrava veten
rashë në gjumë
kur u zgjova
vdekja qe larguar
u ngrita
u vesha
dola në rrugë
i propozova
femrës së parë
që takova
nuk më pranoi
hyra në bar
piva dhe u deha
u ktheva në shtëpi
vdekja
më priste buzgaz
në duar
mbante lule të bardha
pa aromë
artificiale
ramë në shtrat
u shkërdhyem

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento