Press "Enter" to skip to content

Dalan Luzaj: Poezi

Dalan LuzajDitë të mirë, paç Mëmëdhe!

Ditë të mirë paç Mëmëdhe!
Gjaku yt kënd më kënd shpërndarë.
Sa më larg aq më pranë na ke
Gjithësesi të urojmë për mbarë!
Natën e mirë, paç Mëmëdhe!
Si u errën bijtë e vuajtur, bijtë e tu aty?
Për shpërblim jepu dy pashë dhè,
Për gjithë ç’vuajtën, ndizu një qiri!

Velat e bardha

Velat e bardha mbi liqen,
Si luleshqerrat e livadhit të vendit tim.
Tej horizonti i fsheh
Për të çelur buzë…
Çhikagos në Perëndim
Karaburun e Sazan ka përballë!
Përgjaket dielli supeve shkëmbore.
Syri pikon bëhet mall.
Malli rritet e bëhet Vlorë.

Motra

Motra ka krah’e të vjen.
Motra pas nënës bëhet nënë.
Motra ka zemër e të ndjen.
Motra brenda shpirtit të gjen!

Vëllezërit

Vëllezërit larg, në mes humnerë.
Pa asnje urë, asnjë sinjal.
Urrejtja shfryne mbi ta paprerë.
Në mes, për ndarje rri një mal.
T’u ca një venë, rrodhi një gjak.
Pakësoi gjaku tek ai.
Vëllai gjakun pyet nga larg,
Nga cila zemër rrodhe ti?

Në Vlorë

Në Vlorë!-tha Ismaili, I pari vet çau në këmbë.
Shtizë bëri krahun, flakë u bë në erë.
Qasi gurët e themelit, gurët më të rëndë.
Në gjunjë ra Isa, sy e zemër prerë.
Rilindi Shqiperia. Brofi Mëmëdheu.
Mëhallat e Atdheut Kosovë e Camëri.
Sheshit të Flamurit sosi Skënderbeu.
Athdheun Ismail, ta besova ty!
Kanina djep, varr dhe lavdi.
Të gjallë e të vdekur bashkë çdo Nëntor.
Shtiza bën lart, qiellit kuq e zi.
Feston Shqipëria, kuq e zi nëVlorë.

Ora

Vitet dhe ora,
Harresa, gjethe vjeshte pa vlerë.
Nga brenda nxjerrim te dera.
Mohimin që njëherësh kemi lerë.

Atje

Hutuar turma veten ndanë.
Përrallat veshëve, Duartë bosh.
Për Krisht Nastradinin kanë.
I mjeri, ujë të jep me shoshë.

Fshatarët

Bujkrobërit e mesjetës, Fshatarë.
Zgjedha u plagoste qafën çdo vit.
Të urtë fshatra, si ishuj mes detit shpërndarë.
Mallkimi i Zotit i shkonte çdo ditë.
Gomari dhe veglat e varrit.
I vetmi trashëgim.
Mbrëmjeve bymeheshin pranë hi-zjarrit.
Mesnatës binin në mallkim.
Fshatarin e njihte i pari rreziku.
Për bukën, fjala tutej.
Rëndë e turpëronte vetëm miku.
Bosh sofra, hapur dhé të futej.
Të munduarit, të harruarit, mbetur shkretë.
Të përbuzurit, të varfërit fshatarë.
Kolona vertebrore u qëndronte drejtë.
Fytyrën dielli dhe nderi ua kish larë.

Vjeshta

Njihet vjeshta nga larg.
E dobët e verdhë, pa gjak.
Shtojnë lumenjtë në vjeshtë.
Pylli fillikat hesht.
Zbardhen gjethet tona për borë.
Qetas afron me kosë në dorë.

ALI PASHA

Hëna nxinte, Pasha ndante.
Gjithë trishtimin me Alinë.
Pas tradhtia vehten hante.
Vranë Pashanë, jo historinë.
Ra Janinës terr e nxinë,
Mjekër e thinjur larg udhëton.
Trupi ngeli pa Alinë.
Koka digjet, por s’perëndon.
Ngriti ngjoli dallgë e shkume,
Vec qytetin s’mund t’a zgjojë.
Erdhën nga larg, e vunë në gjumë.
Gjaku tij, dorë e huaj.
Shqipëri qindra vjet,
Ngjoli namin s’e përpiu,
Në cdo gjak që shqipen flet.
Gjallë ka qenë e është Aliu.
Ngjolit thellë në Janinë.
Ra e s’mbyti pabesinë.
Zbriti mal i Trebeshinës.
Për të lënë në fron Alinë.
Tepelena këmbë mali,
Qanë dhe sot me lotë të nxehtë.
Ali Pashë o Ali djali.
Prerë Vjosa shkon në det.
Dolli dielli nga Dhembeli.
Ere e ftohtë, ra e fshiu.
Ali Pasha gjallë ngeli.
Jo mor jo s’vdes kurre Aliu!

Përtej

Një kontinent mban nën këmbë.
Këtej, një continent mbaj mbi shpinë.
Kur fjalët bëhen plagë, plaga dhemb,
Më tepër dhëmbin me pabesinë.
Bashkoje mbrëmjen me vetminë.
Brenda saj si mbrin papritur?
Ball për ballë dy zemra rrinë.
Në mes një lumë me ujë të kripur.

Dimër

Hëna dimëron mbi borë,
Tkurren druret nga malli për pranverë.
Yjet ujin ngrijnë në oborr.
Brenda meje ti mbetur djerrë.
E akullte klithma mbrinë në timpan,
Thyer mesnata pa ty.
Një shtizë hëne më rri pranë,
Malli djeg për qiri.
Mosha ftohu dhe shtratin.
Letra jote dogji ka vjet,
Me shpresën e lodhur pyes fatin,
Më duhet pa ty më kjo jetë?
Ngadalë ngrica po më fton,
Më e ftohtë vetmia sesa ti.
Rënduar çapi po më fton,
Atje, ku rrihet për ty.

Rrënjët

I shkurtër,
I gjatë,
Rrënjët në pjatë.

Me ditë e netë pres

Më rren mesnata e pabesë.
Besnike mike aq e rrallë.
Në paça jetë një shekull pres.
Ndaj nisma shpresën të bëj gjallë.
A thua ndihemi me mend?
Apo më ndien kur më ke pranë?
Thellë shpirtit është një vend,
Kur zemra zemrën ngrohtë e mban.
Ngatërroj me kohë ç’kaloi,
I marrë marrosa dikë tjetër.
Të mori malli e të çoi,
Mbi blunë e detit aq të vjetër.
Me ditë e netë pres mbi shkëmb.
Pulebërdha tej në klithmën blu.
Mbi krah malli aq i rëndë.
Pa krah veç klithma sos këtu.

Po vjen

Po vjen tha syri
Brofi zemra për të dalë,
Malli djeg si qiriri.
S’mësoi malli asnjë fjalë.
E madhërishme bëre ballë.
Për rreth shpërtheu kaq shkëlqim.
Ky vezullim nga ç’diell ka dalë?
Nga sytë e saj gjithë ky burim?
U qesh pak, sytë më tepër.
E rrok…me zemrën që ta njohë.
U shkund mbi ne gjithë qielli vjetër.
Brenda saj, asgjë më s’shoh.

Atë natë

Atë natë mike u marrose.
Edhe hëna u dogj me ne.
Duke tretur mbeti hark kose.
Hyr e dil, mbi ulli, mbi ne.
Atje nga zjarri ende s’ka mbir’bar.
Ullinjtë mpleksur bërë rrjetë.
Hënë e qielltë mbushur është me re.
Për t’u zbrazur në të dy na prêt.

Fjala

Si s’erdhe pas fjales me krah?
Malli me heshtjen baret.
Atje ku rrënjë fjala s’ka.

Preu flokët gjimnazistja

Kur preu floket një degë e fshehu.
Sa mbi vetull aq mbi sy.
Qyeteti sytë mbi ta i shkrehu.
Sa zemra fshehur rrinë aty.
Kur preu flokët u zhveshën pyjet.
Skaj globi çeli një rrafshnaltë,
Sa lart, mbi hënë një grusht me yje.
I ndrine asaj mbi ball të artë.
Kur preu flokët ndriti qielli,
Shkëlqen ajo dhe në mesnatë.
Dy shtiza në mes nisi nga qielli.
Ylber do thurrte për dhuratë.

E vërtetë

E shkrehe armën, pa zë?
Brinjë më brinjë u cel tuneli.
A kishta arma plumba më?
Që lulëkuqja sërish të celë.
Mos u anko zemër e plagosur,
Sa plumba fsheh e ngroh në gjak,
Marri e njerëzve s’ka të sosur,
Mblidh gjakun që t’u derdh pa shkak.
E ftohtë pa gjak dora juaj,
Kurrë s’heq gisht një zemër e nxehtë,
Horizonti nis të shuaj.
Një krah pulëbardhe që u bë det.

Kur më vështron

Kur më vështron, më ngroh me sy.
Sa shpesh një sy të rri nën flokë.
Kur shpirti dallgën përsërit,
Kërkon ti zemrat t’i bësh tok.
As qiell as tokë s’vështroj për rreth.
Prej bore kurmi përvëlon.
Nga dega një qershi e zgjedh.
Tjetra pranë aq kuqëlon.

Dy zemra

Do të fluturoj, the, drejt meje.
Mbi det, lum, me krah si zog.
Shpinës vitet do t’mi ndjeje,
Si ortek do binin në tokë.
Casti I rralle sa do zgjasi?
Ç’të zbres të ndihesh më lirë.
Të nxjerr zemrën jashtë që t’ju flasi?
Se ndoshta gjuha s’flet aq mirë?
Kudo e bardhë, kudo e ngrohtë.
Qerpiku i njomur, për c’na prêt?
Nje mall dy zemra bërë tok,
Mbi ne një pulëbardhë kërkon det!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento