Press "Enter" to skip to content

Anna Kove: Macja

Dera u hap përgjysmë dhe unë hyra brenda me frikë. Ai më tërhoqi deri në mes të korridorit dhe më dha një puthje të shpejtë. Nuk arrita as ta shijoj dhe as ta kuptoj në ishte një puthje mirëseardhjeje, sa për të shkuar radhën, apo pasioni. Aq e shpejtë ishte dhe aq e frikësuar isha unë! Puthjen në intimitet me të kishte kohë që e prisja, e kisha menduar gjatë, por ajo pak i ngjasoi vizatimit që i kisha bërë në mendjen time. Më hoqi pallton dhe më rrëmbeu çantën nga dora, si të më rrëmbente një pjesë të frikës. Ngërçi i palëvizjes po më kthehej në ngërç të fjalës dhe s’po mund të artikuloja dot as edhe një të vetme.
Ulu, pra, pse rri në këmbë? – tha me gjysmë zëri. Shtëpia,  e rregulluar me kujdes dhe me një pastërti të pazakontë, thua se aty nuk frymonte njeri, s’di pse m’u duk jo shumë miqësore, madje më bëri armike të vetes. Nuk po e kuptoja, pse dreqin kisha ardhur! Çdo sekondë po mallkoja këmbët që më kishin sjellë aty, kur, në fakt, s’ishte faji i tyre. Kureshtja…
U ula në divan pranë tij, por me distancën që krijon një ndjesi topitjeje, edhe pse e kupton se në të tilla kushte nuk mund të shtiresh dot. Nuk ka më arsye të justifikueshme edhe pse mendja ime atë çast do të mund të gjente, së paku, dhjetëra të tilla.
Më hodhi  një vështrim, duke harkuar paksa vetullat dhe anuar kokën më poshtë, si të donte të shtypte mjekrën. Këtë gjest e lexova thirrje për t’u bërë gati, se nuk kisha ardhur kot aty, se nuk kishte kohë të tepërt për të humbur. Reagova me një gjest shpërfilljeje, që s’di në do të mund ta përshkruaj dot,  sikur t’i thosha se isha penduar që isha aty. Kurrsesi nuk i kisha menduar kështu çastet që do të ndanim së bashku, i  mendoja si një takim feste. Drita të mugëta, një tavolinë me qirinj të kuq, dy gota me verë. Muzika ime  e preferuar në sfond. Gjëra të zakonshme për  romantizmin demode të një gruaje, por të pazakonshme për pragmatizmin modern të një burri. Ai nuk e dinte fare ç’muzikë pëlqeja unë, madje, nuk e dinte në më pëlqente muzika. Pse i kisha lejuar vetes një naivitet të tillë, sa të mendoja se do të ma bënte surprizë! Gjithmonë në çaste pakënaqësie më kaplonte ideja e një surprize të mundshme. E prisja nga sekonda në sekondë, ose përndryshe duhet t’i jepja vetes forcën që të ikja. Pavarësisht se nuk mund ta përfytyroja reagimin e tij. Këto po mendoja,  kur saora dëgjova të thërriste: “Lilu!” Nuk pashë të drejtonte vështrimin ndokund. Nuk pata kohë të mendoja se, në çast, sa zgjat frymëmarrja, i mbiu mbi prehër një mace angora ngjyrë gri. Më e veçanta që kisha parë deri atëherë. O Zot, një mace mund të ngordhë nga kureshtja!
U mundova të vë buzën në gaz dhe t’i qesh maces, e bindur se po të fitoja vëmendjen e saj, do mund të fitoja vëmendjen e tij.  Doja t’i thërrisja në emër, por fjala më ngeli në fyt e s’u bë dot tingull. Maces s’i bëri përshtypje ngërdheshja ime. As atij. Ngrita sytë për ta kundruar të zotin më gjatë dhe m’u bë se pashë sytë e  maces. Të njëjtën shprehje. Të njëjtin adhurim për njëri-tjetrin. Ai po i fërkonte kokën me sy të kapsallitur. Me lëvizjen e dorës mbi qimen e saj të kërleshur, në fillim nga koka e pastaj drejt barkut. Fillova të dridhem. Nuk po kuptoja vërtet në ishte një llastim që i bënte i zoti kafshës së tij shtëpiake, apo më shumë se kaq. Ai vazhdonte të lëvizte duart, të shtonte shpejtësinë e përkëdhelive dhe  macja të klithmave të mbytura të kënaqësisë. Ndërsa tek unë, po shtohej zemërrahja dhe një ndjesi të çuditshme eksitimi, që nuk di se nga më vinte. Isha vëzhguese pasive e një akti që njeriun e bënte njësh me kafshën dhe një kafshë brenda meje donte të zgjohej edhe ajo. Nuk dija ç’të bëja një çast, dhe e pavendosur në duhet të çohesha apo të flisja diçka sa për të thënë, kur ai u ndërroi vendin duarve. Dorën e djathë e kaloi mbi flokët e mi, që më kishin zënë gjysmën e fytyrës dhe më të majtën vazhdoi të bënte lëvizje rrethore përkëdhelëse  mbi barkun e maces. Kur dora e tij më ra mbi flokë, macja u hodh nga prehri i tij në prehrin tim. Ja, ç’paska qenë! Në kohën që mora vëmendjen e të zotit, mora dhe vëmendjen e saj. Një masë e ngrohtë dhe me peshë m’u rwnd aty, ku dukej se pulsonte i gjithë trupi. U drodha një herë nga pesha dhe ngrohtësia që më ngriu dhe shkriu njëherësh gjakun ndër damarë. Fillova instiktivisht të llastoja machen, ndwrsa ai, mua. Nuk di sa zgjati, por veten e pashë dhe të nxirrja dhe unë ca rënkime të çuditshme kënaqësie, ndoshta nga që dora e tij kish filluar të guxonte mbi mua po aq sa e imja mbi macen. Ishim bërë tre që rënkonim dhe dihasnim në formë pasthirrmash a këlthitjesh. Kënaqësinë që prisja ta merrja prej tij, po ma jepte në  mënyrën më të pabesueshme për fantazinë time të harlisur. Isha shndërruar një mace, që po ngordhja nga kureshtja!!!

Similar Posts:

Be First to Comment