Press "Enter" to skip to content

Një “kritikë” për Ismail Kadarenë

Ismail KadareNuk jam në gjendje të them me siguri se ç’më shtyu të nis të shkruaj këtë përpjekje kritike ndaj Kadaresë, ose më mirë ndaj veprës së tij. Me siguri, vepra e fundit e botuar, “Darka e gabuar”, ka rolin e saj frymëzues, aq më tepër që ky shkrim vjen menjëherë mbas botimit të saj. Por po me aq siguri e di që kjo ndjesi kritike ka shumë kohë që është grumbulluar, madje fare saktësisht, mund ta veçoj një çast fillestar, i cili i përket veprës “Lulet e ftohta të marsit”, realisht vepra e parë e shkrimtarit të madh pas vitit 1990. Ose, ndoshta kjo ndjesi ka nisur edhe më përpara, gjatë periudhës relativisht të gjatë të heshtjes së tij në periudhën para saj dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri, rënie e cila përputhet gjithashtu edhe me kulmin e famës dhe gjithashtu dhe nivelit artistik të Kadaresë si dhe me ikjen e tij nga Shqipëria. Kur mbarova së lexuari romanin “Lulet e ftohta të marsit” ndjeva një farë zhgënjimi të lehtë, të cilin nuk e mposhti dot malli për shkrimtarin, i cili kishte 7-8 vjet të plota që nuk botonte. Siç e thashë, ky ishte krijimi i tij i parë mbas rënies së komunizmit në vitin 1990, vit kur pesha e madhe e “Koncert në fund të dimrit”, i pasuar nga disa punime-ese si “Ftesë në studio” apo “Eskili, ky humbës i madh”, vepra që e kishin çimentuar Kadarenë në nivelet më të larta të artit dhe të mendimit, kjo peshë pra kishte marrë një përmasë krejt tjetër me daljen krejt befasuese në pah të romanit të tij të mrekullueshëm “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, në atë kohë i botuar në gazetën e parë opozitare. Më pas heshtja që pasoi sikur me kalimin e kohës më krijoi një përshtypje, e cila, si pa e dashur, forcohej me kalimin e kohës, një përshtypje e çuditshme dhe disi naive se shkrimtari që shkroi kundër diktaturës nuk kishte më për çfarë të shkruante tani që ajo kishte rënë. Madje, paralel me këtë ndjesi, filloi të lindte edhe ajo tjetra, që ndoshta shqiptarët në këto kushte nuk ia kishin më nevojën letërsisë së tij, paksa sikur me hyrjen e epokës së re, ajo që u quajt menjëherë e demokracisë, bashkë me diktaturën dhe diktatorin, jo drejtpërdrejt e pësoi edhe shkrimtari që kishte shkruar veprat e vetme demaskuese ndaj saj, në kuptimin se ai në një farë mënyre dukej një figurë e një kohe të vjetër, natyrisht shumë e respektueshme, mirëpo tashmë disi më tepër honorifike, sesa e nevojshme. Ndoshta dhe shqiptarët ndienin diçka të ngjashme po ashtu si dhe ai vetë: për çfarë do të shkruante ai tashmë?
Kjo gjendje nuk zgjati shumë, erdhi viti 1997 dhe Shqipëria hyri në një kaos drithërues, në një periudhë thuajse ekzistenciale, mbushur me dhimbje, po mbi të gjitha me shumë zhgënjim dhe pasiguri e paqartësi për të ardhmen. Simbolikisht, rënia e piramidave mund të merrte një kuptim mjaft më të gjerë, në një farë mënyre dëshmonte për kufizimet e qarta të brezit të formuar në komunizëm në lidhje me aftësitë e tij për ta çuar e drejtuar vendin në një botë të re, shumë të ndryshme. Në të vërtetë, tipari më përgjithësues që arrita të gjej për kohën shqiptare të atij dhjetëvjeçari ishte çoroditja. Shqipërisë nuk i shkonte asnjë epitet tjetër më shumë sesa “e çoroditur”, madje në çdo fushë. Mund të flitet shumë për këto çështje, madje edhe “Lulet e ftohta të marsit” tenton të merret jo pak me këtë xhungël paqartësie e mendësish, ku vlerat e antivlerat humbën kuptimet e tyre dhe shumë herë shfaqeshin kokëposhtë, po nuk dua të zgjatem më tej, sepse nuk është kjo tema ime këtu. Dua vetëm të bëj një paraqitje të kontekstit, për të ndihmuar edhe të kuptuarin e veprës artistike. Në këtë mjedis del “Lulet e ftohta të marsit”. Një vepër e mirë, disi me një stil të ri, që më ngjante edhe një pasojë e një dëshire të vjetër deri diku të ndrydhur për të eksperimentuar, ndonëse në të vërtetë Kadareja në komunizëm ishte ai që shkruante ndryshe. Por pritshmëria, nisur sidomos nga pesha e krijimtarisë së mëparshme po dhe nga nevoja e madhe e kohës, ishte shumë më e madhe. Që atëherë shkrimtari nisi të shkruajë dhe të botojë rregullisht dhe një seri veprash që kanë ardhur tek ne deri sot, e fundit është “Darka e gabuar”. Ai vetë këtë të fundit e quajti si më të mirën, megjithatë besoj se shumë pak lexues shqiptarë e mendojnë kështu. Madje, edhe Kadareja kur e tha, e zbuti pak duke e shpjeguar me dukurinë e krijuesit që identifikohet shumë me veprën e sapopërfunduar, çka është e vërtetë, mirëpo krahas kësaj të dukej sikur në atë shpjegim përpiqej të dilte një shtrëngim i shkrimtarit, një si ngushëllim i vetvetes apo justifikim për diçka që thellë e dinte që nuk ishte ashtu. Ashtu si dhe shkrimet e tjera të kësaj kohe (ndoshta me përjashtim diçka të Pasardhësit), kjo vepër nuk mund të thuhet se i shtoi gjësendi krijimtarisë apo antologjisë së tij. Jam përpjekur të kuptoj ose më mirë të marr me mend arsyet e kësaj rënieje, e cila ndonëse e lehtë, gjithsesi është e dukshme. Ajo që më shtynte të kuptoja arsyet e rënies, nuk ishte ajo në vetvete, sepse rënie ka kushdo, me kalimin e kohës, moshës apo për shkaqe të tjera, siç ka edhe një kulm. E veçanta është pikërisht ajo që thashë dhe më sipër, tek Kadareja kjo ndodhi në mënyrë të prerë, e kushtëzuar siç duket nga dy periudhat e jetës së tij, para dhe pas 1990-s, me një 7-vjeçar heshtjeje në mes, heshtje e cila duket pak misterioze në mes të dy periudhave, nga ku e para mbaroi me kulmin e krijimtarisë së tij. Çfarë ka ndodhur në ato 7 vjet dhe më pas, që Koncertin e fundit të Dimrit dhe Piramidën e pasoi Lulet e ftohta të marsit, tejet të ftohta për zjarrin e marseve shqiptarë. Në mbrojtje Kadareja, me shumë mundësi do të thoshte dhe me të drejtë se letërsia nuk e ka kohën e njëjtë me historinë, ajo ka kohën e saj. Mirëpo unë nuk e kam fjalën këtu te zgjedhja e tematikave apo dhe mënyrën e trajtimit të tyre. Veprat e tij kanë humbur peshë, kanë humbur dhe vëllim. Deri diku kanë humbur një farë kontakti, prekshmërie me realitetin shqiptar, jo me aktualitetin, po me realitetin, në kuptimin material të jomateriales. Si duket, Kadareja nuk ka mbetur pa u ndëshkuar në kuptimin artistik nga largimi prej Shqipërisë, sepse, sado autonome të jetë letërsia nga realiteti, largësia nga të jetuarit me të jetuarin nuk ka si të mos bëjë një diferencë të vërtetë. Kadareja nuk ka pushuar së shkruari për Shqipërinë dhe arsyet duket se janë të ndryshme, duke nisur që nga ato më patriotiket deri te ato më të natyrshmet, si p.sh. fakti që për një njeri i cili ka jetuar 60 vitet e para në një vend, nuk ka se si të mos tregojë në radhë të parë ngjarje nga vendi dhe njerëzit e vet, sado universale të jetë vlera e veprës. Mirëpo në largësi nga vendi, është po aq e natyrshme që ngjarjet, vendet dhe njerëzit të mos jenë më diçka e përditshme, ngadalë të kthehen në kujtime dhe këto të fundit kanë fatalitetin e tkurrjes së pashmangshme me kalimin e kohës. Ndoshta kjo është arsyeja që ngjarjet e romaneve të Kadaresë janë disi më të thata, qëndrojnë më dobët në këmbë, personazhet kanë lëvizur disi drejt kahut të “figurës” në aksin që nis me njeriun e gjallë. Dua të zgjedh një roman shumë kontradiktor e të përfolur si shembull, por jo për përfoljen e zakonshme të tij: Dimrin e vetmisë së madhe. Ndonëse ai është mbikritikuar për figurën e Enver Hoxhës, në të vërtetë ai ka qenë romani me anë të të cilit Kadareja u fut fuqishëm (për të mos dalë më) në shkrimtarët e mi. Në fakt, një roman i tillë, që ka nxjerrë Enver Hoxhën në pozita disi heroike duke qenë shumë i sulmuar për këtë arsye, ka një nivel artistik të rrallë dhe është një roman shumë më i plotë dhe i mirëfilltë sesa çdonjëra nga veprat e tij post-komuniste (kuptohet jo për çështjen e figurës së diktatorit). Po ashtu as ndonjëra nga veprat e mëparshme, qoftë dhe ndonjë nga ato jokryesoret, si fjala vjen “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe”, nuk mund të vendoset nën secilën prej këtyre të rejave. Me këtë dua të them që klimën e rëndë të përjetuar në Dimrin e madh, (cilado qoftë ajo apo sidoqoftë e përjetuar ajo), zvarritjen munduese që krijoi nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave apo përshtypjet e fantazuara të Gjeneralit famëkeq të ushtrisë së vdekur mbi klimën që hasi në Shqipërinë e viteve ‘50-‘60, një shkrimtar mund ta derdhte në vepra të tilla vetëm duke jetuar përditshmërinë e jetesës në vendin e vet. Një pjesë e madhe e Darkës së gabuar në këtë këndvështrim ngjan më tepër me një nga intervistat e shumta “artistike” të shkrimtarit tonë, ku aq bukur shprehen mendësitë e popullit tonë, mirëpo teksa e lexon, kërkon vetvetiu diçka më tepër. Nuk ka rregull apo formulë e cila përcakton se kur vjen ngopja apo një farë veljeje nga një shkrimtar; zakonisht sa më i mirë të jetë, aq më shumë vonon, madje ka dhe raste kur ajo nuk vjen asnjëherë. Ndërsa lexon vargëzimet e romanit kadarean, si gjithmonë diku befasohesh me një shkreptimë gjeniale (diku edhe nervozohesh), po tashmë, krahas të shijuarit e gjësë së rrallë, nën sipërfaqe ndien edhe një lloj ndjesie përsëritjeje, sikur romanet e Kadaresë të kryenin një cikël të mbyllur, madje në një çast të vetëm, ngjan edhe sikur fundi të ishte i projektuar; vetëm për një çast të vetëm i gjithë romani të tingëllon si shtjellim i një paragrafi të gjetur dhe të stërbukur interviste…; veç nga ai ti pret tjetër gjë… shumë më tepër. Mungon e reja në fakt. Në Shqipëri ka një mungesë të theksuar shkrimtarie dhe kjo është një mungesë e madhe në jetën kulturore të një populli e shoqërie. Madje mund të thuhet që letërsia e sotme është thuajse inekzistente dhe kjo thatësirë shpirtërore nuk përputhet me urinë për shkrime me vlerë, për art të llojit frymëzues dhe madje edhe udhëheqës. Gjatë diktaturës komuniste mund ta themi me plot gojë që Kadareja e përmbushte misionin e tij të përpjekjes për mbushjen e zbrazëtisë shpirtërore në Shqipëri, dalja e veprave të tij kthehej menjëherë në një ngjarje, dhe libraritë zbrazeshin në kohë rekord. Tej arsyeve të tjera, si kufizimet dhe shtrëngimet e shumta të jetës etj., arsyeja kryesore ishin vetë veprat e tij monumentale. Por, megjithëse libri i tij thithet po aq shpejt nga panairet e libraritë, duke qenë ndër të paktat gjëra me vlerë, vështirë të thuhet se ka atë rol që kërkojnë njerëzit. Shqiptarët rendin ta marrin e lexojnë, por krahas kënaqësisë, ndiejnë një lloj mospërmbushjeje. Një popull, një shoqëri si kjo shqiptare, e cila është në një kohë tranzicioni të vërtetë shpirtëror, duke u përpëlitur mes paqartësisë së konflikteve materialiste e shpirtërore, tymnajave komercialiste e vlerave që u rezistojnë kohërave, pasqyrim i trishtueshëm i të cilit është edhe debati më i fundit qesharak mbi Gjergj Kastriotin, një shoqëri pra në një gjendje të tillë pa bosht, ka nevojë të shohë në pasqyrën e letërsisë jetën e vet. Në Shqipëri intelektualët janë ose krejtësisht në hije, duke nënqeshur me hidhërim me absurditetet e përditshme, ose janë bërë pre dhe lodër e këtyre absurditeteve të prodhuara nga pisllëku i parasë dhe politikës, duke u përpjekur të ruajnë vëmendjen e publikut me anë të prodhimit të një teatri të pështirosur debatesh që nuk të çojnë gjëkundi dhe që veç sa shtojnë tymnajën e përgjithshme. Në periudha të tilla krizash historike, letërsia ka luajtur një rol të dorës së parë. Mjafton të kujtojmë si shembull domethënës shekullin paraprirës të Revolucionit të tetorit në Rusi: brenda 100 vitesh shoqëria ruse përjetoi ndryshime dhe zhvillime domethënëse shoqërore dhe intelektuale dhe në ato kohë të turbullta rolin e madh të udhëheqjes shpirtërore e luajti një klasë e pashoqe shkrimtarësh viganë me në krye Dostojevskin, Pushkinin, Gogolin, Tolstoin etj. Edhe sot e kësaj dite ata mbeten etërit shpirtërorë të rusëve e sigurisht shumë më tepër sesa vetëm të rusëve.
Për diçka të ngjashme duket se kanë nevojë sot shqiptarët, për një letërsi që të luajë për ta rolin e peshores morale, për një letërsi që t’i mbajë peshë. Kjo mungon dhe kjo është ajo që ata kërkojnë pavetëdijshëm nga Kadareja dhe kjo jo për ndonjë kapriçio shqiptare, po sepse dikur e kanë marrë këtë lloj mbushjeje shpirtërore prej tij dhe sepse për fat të keq nuk ka asnjë tjetër nga i cili të presin diçka të tillë.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento