fbpx Press "Enter" to skip to content

Stanislav LVOVSKI: Poezi

http://tbn2.google.com/images?q=tbn:Bjoa9oDJ-QhkDM:http://www.naj.hr/adminmax/img/news/2006/sony-ericsson-w900.jpgTeknologji pa kabëll
Dhe paketa blu në veri e shpuri.
N.T.

*
kur dy telefona
gjenden pranë
kjo ngjan
me një pillow talk
duket
se ato diç
pëshpërisin
përmes portës
infrakuqe

*
dikur thonin
bartet në ajër
apo dhe
pata parandjenjën
prandaj erdha
tani thonë
mora mesazhin tënd
gjithkah nesh kemi
wi-fi

*
celulari i tij i thotë
tëndit:
mos u mërzit
do ia dalim mbanë
tani erret shpejt
se jemi në vjeshtë
ti vetë do ta njohësh
shkrimin tim
dhe unë – tëndin
me duket se
për njerëz si ne
kjo do të thotë shumë
bluetooth-i vrapon
marrafrymas
nëpër ajërin e shkrifët
me paketën blu
po ti edhe kështu
do ta njohësh

*
shyqyr që ka
SMS
se midis smolenkës
zhurmëçjerrë
teh më teh
(tash tre orë
qyteti në trafik)
mund të pyesësh
si të kam?
dhe të përgjigjesh
edhe unë ty
para dhjetë vjetësh
kjo do të na merrte
një jetë të tërë

*
herëdokur mendon
se ndoshta njëmend
mund ta pyesësh Atë
gjithsesi
në njëfarë mënyre
po mandej
kupton se
një turmë e tillë
me grps-në tonë
të dobët
s’ka asnjë
shans

*
nëse lexon
lajmet përmes WAP
të duket njëmend
se lufta
po plas

*
merrmë
sapo të lirohesh
mirë? unaza
e tretë
nuk çahet

se nënën e nënës
në rajonin sushjovka
trafiku
të kall në dhé

thonë ka pasë shpërthim
me merr
nëse jesim gjallë
hajt t’i themi njëri-tjetrit
diç të rëndësishme

përshembull
unë në fakt
nxehem
sa herë në dyqan
ti nuk më përgjigjesh
çfarë jogurt-i të blej
për mëngjes
nxehem
se kam frikë
mos zgjedh atë
që ty
nuk të pëlqen.

*
do desha të jetoj në një botë
ku gjithçka është e korrigjueshme
për besë
kjo është e vetmja gjë
që për mua ka
rëndësinë më të madhe

*
uji thotë: pijmë gjer në fund
vetmitar u mërzita tokës përfund
sa vite u bënë pa qenë dëborë
me tymin më nxirr nga ai krahëror

secila ditë: s’jam e jotja më thotë
çliromë dhe më lër të shkoj eskortë
shpive gjersa gjallë në botë
s’u ktheva shi, as bar për kullotë

errësira thotë: pa hidhma një sy
brenda meje memec të ruajta ty –
frekuencë boshe që klith si peshk
zhurmë gjuhëprerë me fikthin-eshkë

motra ime thotë: e çë se ngeci
çfarë që nuk linda ja që s’më eci
po qe se dashurinë kjo e pengon
për inat të të dua kështu ma ka qejfi

shih ky jam unë një llafazan firifiu
rrenash kokëshkretë kalama shtëpie
për pesë vjet kuvendar i plasur mërzie
pytjemadhi që s’ha pykë në krye

*
numëromi vetet e mia me gishtat e njërës dorë
dal e teproj në shumëçka
njëri që s’ia del krye
njeri i stërvonuar
njëri që cof nga frika
njëri që prore
dremit duke ecur

dhe prapë një tjetër
i paemër

*
në klasën
e pestë
apo të gjashtë
gjeta një pllakë gramafoni
të grupit Breakout
dhe Mira
Kubashinskas

në fotografi ata kishin dalë
me pulovra
para mikrofonave, në studio
duke parë përskaj kamerave

ata nuk e kanë njohur kohën
kur të gjithë adhuronin dhe zhgërryheshin
në llucë, mu në mes
të luftës
por kishin ama
njeriun prej mermeri
dhe njeriun prej hekuri

si ata kund tjetër
s’kishte
të tjerë

në shtatëdhjetë e dyshin
kur linda unë
ata erdhën në Moskë
koncert në Lluzhnika.
im atë thotë
se policët nëpër hyrje
qëndronin me duar të lidhura
pas shpine.
mbikqyrnin, që askush
të mos kërcente.
babi dhe mami qenë ulur
në plate
në vende të mira.
dëgjonin.

njeriu prej mermeri
nuk kërcente
njeriu prej hekuri
nuk kërcente
askush nuk kërcente
atëherë, në shtatëdhjetë e dyshin
në Lluzhnika.
ja dhe unë
nuk di.

*
Jeta mund të sillej krejt ndryshe
Po dhe gargull, jo, sigurisht.
së paku, të themi, të kish qenë harabel
që cinxërin në erë
përmes bulevardit të shkretë
natën

jo me fishkëlly, jo, nuk ia them hiç,
po të paktën të dridhesha e të qaja, –
thjesht për shkak se dikush vendosi të pjekë
për ty byrek me arra,
të të bëjë surprizë.

shpejt bota do të bëhet e tillë
sa s’do mundemi ta shohim dot
shpejt dhe unë i tillë do të bëhem
sa askush të mos m’i shtjerë sytë.

i brishtë mund të kisha qenë
dhe i fortë
mund të kisha qenë pasanik
dhe i padrejtë

veçse ligjërimi na qenkësh
një aso farë gjëze
sa vrimë s’gjen ku t’i fshihesh
derisa ai zgjatet

e ai zgjatet

Përktheu Agron Tufa

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!