Press "Enter" to skip to content

Anna Kove: Poezi

Anna Kove

Ç’të bëj me ëndrrat?

Ç’të bëj me ëndrrat?
Dikur larushi e ditëve gri,
tani nga ngjyrat e tyre përhitur.

Ç’të bëj me ëndrrat?
Dikur puls i ditëve pa ritëm,
tani regëtimë pa tingull.

Ç’të bëj me ëndrrat?
Dikur e përhënur netëve flirtoja,
tani dita fantazinë e natës përqesh.

Ç’të bëj me ëndrrat?

Një ditë

Dëshira që kurrë në ajër nuk dolën
kubesë së gjoksit palë-palë platitur
oksigjenin tim frymëmarrin.

Unë kurrë s’u bëra mjelmë liqeni
as sirenë deti nuk munda të jem.
Dhuntitë e Kasandrës sa i desha!

Ah, Zoti im!
Pse s’munda të kem dëshira tokësore,
që rrënjë nën këmbë tokën ta kisha

Peng i tyre, liria ime
në pranga pamundësie prajshëm prangoset.

Më jep një ditë,
veç një
robinjë më të mos jem,
të mos vdes, lirinë e shpirtit pa njohur

Pejzat e pranisë sime

Herë mendja e herë zemra
litarët e ronitur të jetës tërheqin
unë e përkorë në dalldi
ligem ndjesish që tjetërkund lindin
tek unë për t’u rritur
a tjetërkund vdesin
për të më lënë lehonë.
Pistila emocionesh prej larg
krezat e ndjesive m’i mbarsin
dhe pejzat e pranisë sime
jashtë meje gjithnjë kulpërojnë.
Zot i vetes s’jam dot.

Me pupla hiri

Rodhan
i përhershëm
i stinëve
vorbullon
rreth meje
me trok hënor
zbardh
netët
flokët
dhe horizontet
e ëndrrave
me pupla hiri.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento