Press "Enter" to skip to content

Intervistë me shrimtarin Agim Vinca

Agim Vinca ka lindur më 22 maj 1947 në Veleshtë, në një familje arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Aktualisht është profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e Sotme Shqipe. Jeton dhe punon në Prishtinë. Agim Vinca është njëri nga poetët e njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit e dalluar të letërsisë shqipe. Bibliografia e shkrimeve të tij është tejet e gjerë. Krijimtaria letrare e Agim Vincës i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të gjuhës shqipe. Poezi dhe shkrime të tjera të tij janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën maqedonase, serbe, kroate, sllovene, polake, ruse, frënge, italiane, gjermane, angleze, turke, arabe, etj. Si poet, ai është prezantuar në shumë antologji të poezisë shqipe në botë, si në antologjinë e poezisë moderne shqiptare An elusive eagle soars (Shqiponja ngjitet kah qielli), përgatitur nga studiuesi i njohur i letërsisë shqipe, Robert Elsie, që u botua në vitin 1993; në Antologie de la poèsie albanaise (Antologji e poezisë shqipe) të Aleksandër Zotos, Paris, 1998; në Antologjinë e letërsisë shqipe të shekullit XX (1999), përgatitur nga albanologia e njohur ruse Gertruda Ejntrej, etj.

Ju jeni kritik, eseist, historian i letërsisë, publicist dhe poet. Keni filluar të merreni me letërsinë si kritik apo si poet?
A. Vinca – Fillimet e mia krijuese, siç ndodh rëndom me shumicën e krijuesve, i takojnë poezisë. Poezi kam filluar të shkruaj e të botoj që nga bankat e shkollës fillore e të mesme atje në vendlindjen time, në fillim fare kryesisht vjersha për fëmijë, por hapat pak më seriozë në krijimtari i kam bërë pas ardhjes sime në studime në Prishtinë, në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë. Nga kjo kohë datojnë edhe shkrimet e mia të para në fushën e kritikës letrare, që ishin recensione për librat e lexuar ose përsiatje për traditën tonë letrare, të cilën brezi im synonte ta “zbulonte”, pas ndalesave që kishin pasur brezat e mëparshëm.

E doni më shumë poezinë, studimin e letërsisë apo njësoj edhe poezinë, edhe studimin e saj?
A. Vinca – Po qe puna për të dashur sigurisht që e dua më shumë poezinë! Akti i krijimit të çdo poezie të re është për mua një akt gëzimi. Kurse studimi i letërsisë është punë e një natyre tjetër, shumë më racionale. Thuhet se Çehovi i famshëm, i cili me profesion ishte mjek, kur e patën pyetur se si arrinte t’i pajtonte mjekësinë dhe letërsinë, qe përgjigjur: “Mjekësinë e kam grua, kurse letërsinë dashnore!”.  Ndonëse analogjia s’është e plotë, unë thënien proverbiale çehoviane do të mund ta parafrazoja me këtë rast duke thënë se poezinë e kam “dashnore”, kurse shkencën e letërsisë “grua”. Ose, thënë ndryshe, e para është për mua si pija, vera ose rakia, kurse e dyta – buka! Natyrisht se duke u marrë me dekada të tëra profesionalisht me studimin e letërsisë, kurse në dy dhjetëvjetëshat e fundit edhe me publicistikë e veprimtari të tjera intelektuale, që kërkojnë kohë e angazhim, unë i kam hyrë në hak poezisë sime, por fatmirësisht nuk e kam braktisur plotësisht atë (shpresoj as ajo mua!), për çfarë besoj se do të dëshmojë libri im më i ri me poezi, Psalmet e rrënjës, i cili së shpejti pritet të dalë nga shtypi.

Me çfarë mendoni se keni kontribuar më shumë në letërsinë shqipe: me poezinë apo me studimin e kësaj letërsie?
A. Vinca – Nuk më përket mua të flas për këtë çështje. Vlerësimi i kontributit tim në fushën e letërsisë, sikurse edhe në fushat e tjera, nuk është punë imja, por e të tjerëve. E kanë bërë këtë shumë njerëz kompetentë deri më sot dhe shpresoj ta bëjnë akoma më shumë në të ardhmen – me objektivitet e paanësi dhe mbi bazën e kritereve shkencore. Në përgjithësi mbizotëron mendimi se kontributi im në fushën e studimit të letërsisë dhe veçanërisht të poezisë sikur është më me peshë se ai i fushave të tjera, përfshirë edhe krijimin e kësaj të fundit, poezisë. Sa më përket mua një gjë mund ta them me siguri: çdo punë që kam marrë përsipër në jetë i jam qasur me pasion e përkushtim dhe kam tentuar ta bëj sa më mirë. Me fjalë të tjera, thënë në mënyrë paksa popullore, jam përpjekur të punoj pa hile.

A zhvillohet sot letërsia shqipe natyrshëm, si një letërsi kombëtare, si një e tërë, apo ende vërehen në të disa dallime, të cilat ishin të kushtëzuara nga ndarjet që kishin sjellë kufijtë politikë të 1912-it?
A. Vinca – Ndarja tragjike e kombit shqiptar në vitet 1912-1914, e vulosur edhe në strukturimet e mëvonshme gjeopolitike të Ballkanit (më 1945) dhe, së fundi, pas rënies së “Murit të Berlinit”, la pasoja të rënda jo vetëm në jetën ekonomike, politike e shoqërore të shqiptarëve si komb, por edhe në jetën e tyre shpirtërore, kulturore dhe letrare. Publicisti anglez Xhejms Petifer, mik i shqiptarëve, në librin e tij Blue guide për Shqipërinë dhe Kosovën, pohon se në fillim të këtij shekulli, pas rënies së “kontrollit të vjetër jugosllav mbi kufijtë”, në relacionin Kosovë-Shqipëri janë krijuar rrethana të reja dhe një realitet i ri, të cilin ai e quan hapësirë e re politike dhe ekonomike shqiptare (HRPSH). Në qoftë se e pranojmë si të mirëqenë pohimin e Petiferit mbi hapësirën e re politike dhe ekonomike shqiptare, sado që edhe ajo lë shumë për të dëshiruar, na duhet të konstatojmë me keqardhje se hapësira kulturore shqiptare, ku letërsia zë pa dyshim një nga vendet kryesore, ende nuk funksion si një tërësi e vetme e funksionale. Hapat që janë bërë në drejtim të integrimit kulturor Kosovë-Shqipëri, përfshirë këtu edhe shqiptarët e Maqedonisë, që qëndrojnë në mes të këtyre dy “punkteve” të mëdha, nuk lënë vend për kënaqësi. Në Tiranë, në qarqe të ndryshme intelektuale, qoftë për shkak të inercisë dyzetesavjeçare, qoftë për mungesë informimi e, ndonjëherë, edhe si pasojë e paragjykimeve të “qendrës” ndaj “provincës”, ende funksionon “logjika e gjysmës” (flitet e shkruhet kryesisht për gjysmën e letërsisë shqipe, bëhen botime e prezantime gjysmake antologjike brenda e jashtë shtetit, nuk njihen sa duhet botimet dhe përkthimet që janë bërë këndej kufirit, etj.), ndërsa në Prishtinë, në emër të krijimit të identitetit jo vetëm politik, por edhe kulturor kosovar, kinse për hir të pavarësisë, po forcohet gjithnjë e më shumë një tendencë “separatiste” kosovare e panjohur më parë. Në kohën kur gojën e kemi përplot integrime ne bëjmë, me a pa vetëdije, veprime çintegruese, që frymëzohen nga filozofia krahinoriste politiko-partiake; e shkelim dhe shpërfillim brutalisht, madje edhe në nivele institucionale, faktorin më të fortë integrues kulturor e kombëtar – gjuhën letrare dhe e harrojmë porosinë largvajtëse të një shkrimtari të madh anglo-amerikan se letërsia është shpirti i kombit, kurse shkrimtarët – antenat e racës!

A mund të thuhet se në letërsinë e sotme shqipe janë tejkaluar plotësisht të gjitha shabllonet e realizmit socialist?
A. Vinca – Fatkeqësisht ende jo, për dy arsye: e para, ngaqë trysnia nga e kaluara është një mekanizëm që vepron vetvetiu, edhe pa dëshirën tonë dhe, e dyta, sepse në Shqipëri dhe aty-këtu edhe këndej kufirit (veçanërisht në diasporë) ende ka nostalgjikë të së kaluarës, që s’mund të heqin dorë nga modeli kulturor me të cilin janë edukuar një kohë të gjatë dhe që mbase as që duan të shkëputen prej tij fare. Tekefundit, kjo është çështje e formimit, shijes dhe zgjedhjes personale, por në dallim nga e kaluara sot ka një ndryshim cilësor: mbetja brenda caqeve të atij formacioni në letërsi dhe në art, sikurse edhe në sferat e tjera të jetës, është çështje e përcaktimit të individit me vullnetin e tij e jo e imponimit nga lart.

A i zmadhojnë apo i fshehin studiuesit e letërsisë shqipe pasojat që pashmangshëm ka lënë teoria e realizmit socialist në këtë letërsi në të dy anët e kufirit?
A. Vinca – Të dyja tendencat janë të pranishme: edhe ajo e zmadhimit, edhe ajo e fshehjes së pasojave të teorisë së realizmit socialist në letërsinë dhe kulturën shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, varësisht nga njerëzit që flasin për të; nga qëndrimi që kanë mbajtur ndaj realizmit socialist në kohën e sundimit absolut të tij dhe nga vendi që kanë pasur në hierarkinë shoqërore të periudhës moniste jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Një shkrimtar i njohur, ish-i burgosur politik (P. Arbnori), pat deklaruar para dy-tre vitesh në një anketë gazete se e gjithë ajo që është krijuar gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri duhet djegur ose duhet mbyllur në muze, ndërsa poetë që i kanë thurur himne pa ndërprerë ideologjisë komuniste dhe që kanë mbështetur çdo aksion të regjimit komunist të Shqipërisë, që kanë shkruar vjersha, poema e romane me partishmëri të theksuar dhe në frymën e luftës së klasave, deklarojnë me kokëfortësi dhe pa brejtje ndërgjegjeje se nuk do t’i hiqnin asnjë presje krijimtarisë së tyre! Cili poet yni nga ata që Lasgushi i quante “nimfa të Partisë” ka pasur kurajë të deklarojë ashtu si poeti revolucionar turk Nazim Hikmet, i cili komunizmit i këndoi jo për shkak të privilegjeve, por për shkak të bindjeve, se ka shkruar edhe poezi “që kanë vdekur para se të publikohen” ose “që kanë jetuar vetëm një ditë në faqet e ndonjë gazete”? Cili nga krijuesit dhe intelektualët tanë të shquar të periudhës moniste, në të dy anët e kufirit, e bëri eksorcizmin e vet, duke hequr dorë, fjala vjen, nga ndonjë vepër e tij, nga ndonjë veprim apo nga ndonjë shpërblim? Asnjë i vetëm! Përkundrazi. Disa syresh janë shquar me zellin e tepruar të kërkimit të alibisë për veten dhe, madje, edhe të retushimit të disa aspekteve të biografisë së tyre jetësore e krijuese.
Është evident fakti se teoria dhe praktika e realizmit socialist la pasoja të rënda në letërsinë dhe kulturën shqiptare të pas LDB-së. Si studiues i letërsisë shqipe dhe veçanërisht i letërsisë bashkëkohore, angazhohem për një studim objektiv shkencor të kësaj periudhe, pa mllef e keqdashje, por edhe pa interpretime subjektive e të njëanshme. Vetëm qasja e tillë garanton sukses, që do të thotë ndriçim dhe vlerësim objektiv shkencor të periudhës përkatëse dhe hap perspektivë për të ardhmen.

 Ju jeni pedagog i Letërsisë së Sotme Shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe, së fundi, edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Disa nga kolegët tuaj ju konsiderojnë njohësin më të mirë të poezisë shqipe në përgjithësi. E ka zënë poezia shqipe ritmin e zhvillimit të poezisë evropiane apo ende mbetet pas saj për sa u përket përvojave aktuale dhe moderne krijuese?
A. Vinca – Tranzicioni në art dhe në letërsi në Shqipëri (rasti i Kosovës është pak a shumë specifik, sepse te ne nuk ka qenë e detyrueshme metoda e realizmit socialist, por ka pasur kufizime të tjera, të natyrës së temave-tabu, të censurës e autocensurës, etj.) është bërë më lehtë dhe më shpejt sesa në fushat e tjera të jetës: në ekonomi, në politikë, në diplomaci, në urbanizëm e infrastrukturë, etj. Pjesa më e mirë e letërsisë shqipe sot, krjimtaria e autorëve më të talentuar, të vjetër e të rinj, zhvillohet konform rrjedhave dhe përvojave moderne krijuese evropiane, por nuk mund të pohohet me siguri se poezia shqipe e ka zënë ritmin e zhvillimeve aktuale evropiane e botërore, sepse për ta bërë plotësisht këtë asaj i duhet të asimilojë më parë përvojën që poezia evropiane dhe veçanërisht ajo e vendeve të Evropës Perëndimore ka njohur në periudhën e modernizmit dhe të avangardës, duke filluar nga Bodleri, Remboja e Malarmeja gjer te Rilke, Apolineri, Lorka, Pol Valerija, Ezra Paundi, Elioti, Ungareti, etj., për të ardhur tek Odni, Kavafi, Sen-Xhon Persi, Encensbergeri, Brodskij, Soresku e korifenj të tjerë të poezisë së sotme.

Ju jeni marrë me të ashtuquajturën alternativë letrare shqipe. Çfarë quani alternativë në letërsinë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX?
A. Vinca – Alternativa letrare shqiptare quhet njëri nga librat e mi studimorë, botuar në vitin 1995 dhe ribotuar dhjetë vjet më vonë. Në këtë vepër, të cilësuar nga kritika si “një libër i mençur për rëniet dhe ngritjet tona letrare”, kam ngritur tezën se në letërsinë dhe kulturën shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u radhit në kampin lindor të botës, krahas rrymës zyrtare të realizmit socialist, që u instalua zyrtarisht në vitin 1949, në Konferencën e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ka ekzistuar edhe një alternativë tjetër, e cila ofronte si model kulturor integrimin e së resë me të vjetrën dhe të kulturës kombëtare me kulturën përparimtare botërore. Artikulues i kësaj kërkese në vitet e para të pasluftës ishte poeti, publicisti, intelektuali dhe politikani i njohur Sejfulla Malëshova, alias Lame Kodra, ministri i parë i Kulturës në Shqipërinë e pasluftës dhe kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, i cili pikërisht për shkak të këtyre pikëpamjeve, të cilësuara si “liberale e oportuniste”, u eliminua nga skena politike dhe kulturore. Në artikullin e tij programatik, Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme, të publikuar në korrik 1945, “Lamja i vogël”, siç e quanin mësuesit e tij shpirtërorë, Noli dhe Konica, kërkonte që t’u jepej hapësirë të gjithë krijuesve, pavarësisht nga bindjet politike, përkatësia klasore dhe stili letrar të cilit i takonin dhe merrte në mbrojtje në mënyrë taksative Fishtën dhe Konicën nga ata, që, siç shprehej ai, donin “t’i shlyenin nga defteri”.
Ide alternative letrare dhe vepra që dilnin nga kallëpet e letërsisë didaktike e utilitare të tipit zhdanovist do të ketë, sigurisht, edhe më vonë dhe për to flitet konkretisht në librin tim.

A janë aktuale betejat intelektuale për lirinë e krijimtarisë dhe për përvojat moderne në letërsinë shqipe sot?
A. Vinca – Betejat intelektuale për lirinë e krijimtarisë janë gjithmonë aktuale, sepse liria e krijimtarisë, sikurse edhe liria njerëzore në përgjithësi, rrezikohet, në një mënyrë a në tjetrën, në të gjitha sistemet shoqërore. Ndërkaq, debati përkitazi me shfaqjet moderne në letërsinë shqipe, të djeshme dhe të sotme, mbetet po ashtu një problem i hapur.

A mund të quhen shkrimtarë modernë, siç i quajnë disa studiues të tyre, Gjergj Fishta, Faik Konica dhe Ernest Koliqi?
A. Vinca – Fishta me ndjeshmërinë,  me botëkuptimin, me konceptet estetike, me strukturën e vargut, me gjuhën e stilin, me etosin dhe patosin e tij lapidar fishtian është një shkrimtar tipik klasicist. Nuk e di, nuk e kuptoj përse disa studiues të veprës së tij përpiqen pa nevojë ta përafrojnë atë me përvojën e letërsisë moderne dhe t’ia mveshin epitetin “shkrimtar modern”, që s’i shkon fare. Tekefundit modernizmi, sikurse edhe realizmi, romantizmi, klasicizmi dhe “izmat” e tjerë, janë nocione përcaktuese e jo vlerësuese. Konica dhe Koliqi, ndërkaq, janë tjetër gjë. Konica, njeri me shije të hollë letrare, frekuentues i salloneve pariziene e londineze dhe njohës i mirë i rrjedhave të letërsisë evropiane, ka herë-herë koncepte shumë të avancuara kritike, disa prej të cilave tingëllojnë moderne për kohën, ndërsa Koliqi me Hijen e maleve dhe Tregtar flamujsh krijon prozën tradicionale psikologjizuese, që po ashtu s’mund të quhet moderne në kuptimin e plotë të fjalës. Mirëpo, te Pasqyrat e Narcizit, që është, ndoshta, vepra më e mirë e tij, mund të themi se kemi një ekzemplar të letërsisë simboliste, pra moderne, në letërsinë kryesisht tradicionaliste shqipe.

Ç’do të thotë për Ju të jesh shkrimtar modern: poet modern, romancier modern, dramaturg modern apo kritik modern?
A. Vinca – Siç e ka thënë bukur para meje miku im, profesor R. Qosja, poet modern nuk është ai që i shmang shenjat e pikësimit nga vargjet dhe bën ekzibicione të tjera të ngjashme, por ai që krijon poezi me koncept, përmbajtje e strukturë moderne. Njësoj mund të thuhet edhe për prozatorin dhe dramaturgun modern, natyrisht duke i pasur parasysh specifikat e zhanrit. Ndërkaq, kritik modern nuk është ai që në emër të kritikës kinse moderne sajon galimatiase gjuhësore dhe prodhon konfuzitet terminologjik, kuptimor e përmbajtësor, por ai që e lexon veprën letrare si strukturë specifike gjuhësore e artistike dhe që tregon si ekziston estetikisht ajo. Moderniteti, pra, te ne shumë herë i keqkuptuar e i keqinterpretuar, nuk është formë a paraqitje, por vizion dhe përmbajtje. Të jesh shkrimtar modern, fundja, nuk do të thotë të vraposh pas modave të çastit, që sjellin shumë herë vlera efemere, por të krijosh vepër me vlera të përhershme artistike.

Ç’do të thotë për Ju të jesh intelektual, domethënë jo vetëm poet, prozator a dramaturg?
A. Vinca – Të jesh intelektual do të thotë të merresh jo vetëm me punën tënde, por edhe me problemet e kohës në të cilën jeton. Sipas sociologut të njohur francez Edgar Moren intelektual nuk është njeriu që merret me çështje të profesionit të tij (shkrimtari, filozofi, mjeku, avokati, etj.), por njeriu që angazhohet me problemet e kohës së vet. Jo çdo njeri i shkolluar është intelektual, jo të gjithë shkrimtarët janë intelektualë! Te ne akoma më pak se gjetkë. Të jesh intelektual do të thotë të mos heshtësh para padrejtësisë, gënjeshtrës, mashtrimit, dhunës, krimit e dukurive të tjera të ngjashme dhe ta ngresh zërin kur cenohet liria e integriteti i tjetrit njësoj si kur cenohet liria jote dhe integriteti yt.

Ju njiheni si mbrojtës i gjuhës standarde. Pse mendoni se ajo vazhdon të sulmohet? Për arsye shkencore apo për arsye politike?
A. Vinca – Gjuha e njësuar letrare shqipe ose gjuha standarde, siç i themi në kohët e fundit, është një e arritur e madhe e kombit shqiptar dhe e kulturës shqiptare, prandaj unë hyj në radhën e atyre krijuesve e intelektualëve shqiptarë, që e kanë mbrojtur atë në vazhdimësi tash sa vjet dhe shpresoj ta bëj këtë edhe në të ardhmen. Kurdo që flasim për fenomenin gjuhë standarde, përfshirë këtu natyrisht edhe gjuhën standarde shqipe, duhet të nisemi nga fakti se të gjitha gjuhët e botës kanë të folme e dialekte të ndryshme, shumë herë shumë më të largëta se dy kryedialektet e shqipes, por të gjithë popujt e qytetëruar të botës kanë një gjuhë të vetme standarde, e cila arrihet mbi bazën e një marrëveshjeje midis pjesëtarëve të bashkësisë që e flet atë gjuhë. Besoj se kjo është një aksiomë që s’mund të hidhet poshtë nga askush, ashtu siç nuk mund të mohohet nga asnjë njeri me mend në kokë nevoja e ekzistimit të një gjuhe standarde që i duhet shkollës, administratës, arsimit, kulturës, mediave, institucioneve shtetërore dhe hallkave të tjera të çdo shoqërie të organizuar. Disa popuj gjuhën letrare e quajnë ndryshe edhe gjuhë të shkrimit apo të qytetërimit, sepse gjuha e standardizuar letrare është jo vetëm faktor tejet i rëndësishëm i zhvillimit kulturor të një populli, por edhe tregues i shkallës së atij zhvillimi. Shtrohet pyetja: po përse atëherë te ne tash sa kohë (posaçërisht nga fillimi i viteve ’90 e këndej) nga grupe e individë të ndryshëm kontestohet gjuha letrare, kërkohet rishikimi i bazave të saj, riaktivizimi i variantit të letrarishtes gege dhe gjëra të tjera të ngjashme? Po qe se insistoni që unë t’i përgjigjem prerazi pyetjes suaj mbi arsyet se përse sulmohet gjuha standarde shqipe, atëherë do të mund të thosha se ato janë kryesisht politike dhe pak, fare pak ose aspak shkencore. Ndër arsyet e kontestimit të gjuhës letrare shqipe, sikundër edhe të vlerave të tjera të përbashkësisë shqiptare, siç janë, fjala vjen, personalitetet e shquara të historisë dhe të kulturës kombëtare, nuk duhen nënçmuar as ato që kanë të bëjnë me mentalitetin inatçor shqiptar, të cilit ia kemi parë sherrin shumë herë gjatë historisë.

Çka do të thotë për Ju të shkruash sot në gjuhën dialektore?
A. Vinca – Do të thotë të jesh në pozita anakronike, ta vështrosh botën në mënyrë të pjesshme, ta rrezikosh perspektivën e veprës sate dhe ta shndërrosh atë, madje, siç thoshte Gramshi në kohën e tij, në fosile. Përjashtoj rastet kur shkrimtari aktivizon idiomën dialektore për efekte estetike, pra rastet kur kjo gjë ndodh për motive krijuese. Mirëpo, te ne pjesa dërrmuese e atyre që e mohojnë gjuhën standarde dhe nuk i respektojnë normat e saj, duke e këmbyer shqipen letrare me variantin dialektor, e bëjnë këtë për motive kryesisht politike ose thjesht për kapric.

Ka një komb shqiptar. Disa intelektualë e, ndoshta, edhe disa politikanë bëjnë beteja politike, disa haptas e disa ende fshehurazi, për krijimin e kombit të dytë – të kombit kosovar? Mendoni se do të bëhemi popull dy kombësh? Në qoftë se kjo ngjet cilën kombësi do të merrni Ju: shqiptare apo kosovare?
A. Vinca – Në qoftë se dikush nëpërmjet idesë së krijimit të të ashtuquajturit “komb kosovar” dëshiron të hyjë në histori, atëherë ne duhet t’ia kujtojmë atij (atyre) se ideja në fjalë është plotësisht kundërhistorike dhe në kundërshtim të plotë me interesat e kombit shqiptar në Ballkan, pavarësisht nga konteksti politik e shtetëror ku jetojnë aktualisht shqiptarët si pasojë e padrejtësive historike. Kosova është nocion gjeografik (e jo etnik) dhe në këtë kuptim kosovarë janë të gjithë banorët e saj: shqiptarët, serbët, malazeztë, boshnjakët, turqit, romët e të tjerët. Le të supozojmë se shqiptarët e Kosovës një ditë do ta quajnë veten kosovarë (në kuptimin etnik të fjalës) e jo shqiptarë! Le të na lejohet për një çast një profeci e tillë: në Kosovë – kosovarë, në Shqipëri – shqiptarë! Shtrohet pyetja: po si do ta quanin veten atëbotë shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës: maqedonas, malazez apo, larg qoftë, serbë! Absurditet i vërtetë!
Jam i vetëdijshëm se ideja e mbrapshtë e krijimit të kombit të dytë shqiptar, “kombit kosovar”, nuk është vetëm trill i ndonjë analisti kokëkrisur kosovar. Jo. Prapa këtij “projekti” kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë forca të caktuara politike në Kosovë, të mbështetura edhe nga institucione ndërkombëtare (politike e të tjera). Të parët mendojnë se kështu përshpejtohet procesi i pavarësisë së Kosovës, ndërsa të dytët pandehin se me mbështetjen materiale e morale të këtij “projekti” luftohet ideja “e rrezikshme” e “Shqipërisë së madhe”, në të vërtetë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet! Pra, secili për hesap të vet! Por përpjekjet e tilla, ngado që të vijnë dhe sado të koordinuara që të jenë, janë të destinuara të dështojnë, ashtu siç dështoi në Jugosllavinë e dikurshme përpjekja e krijimit të dy kombeve shqiptare dhe të dy gjuhëve letrare shqipe, të cilat ideologët e politikës antishqiptare serbomadhe i emërtonin me nocionet: “Shiptari/Albanci” (për popullin) dhe “shiptarski /albanski” (për gjuhën).
Sa më përket mua personalisht, pavarësisht nga zhvillimet eventuale në këtë plan, unë kam lindur shqiptar, prej prindërish shqiptarë, gjysh e katragjysh dhe shpresoj të vdes i tillë.

Dihet se në këtë botë çdo gjë vjetrohet, vjetrohen më pak, më shumë apo plotësisht edhe veprat letrare, shkencore e filozofike? A kemi vepra letrare dhe shkencore në gjuhën shqipe që nuk janë vjetruar dhe që nuk do të vjetrohen plotësisht, domethënë që do të qëndrojnë në çdo kohë?
A. Vinca – Nuk janë vjetruar vargjet e Budit (një pjesë e tyre), poetit të parë të letërsisë shqipe, Sibilat e Bogdanit dhe disa fragmente të prozës së tij letrare e shkencore, nuk janë vjetruar aspak Këngët e Milosaos, lirikat e Serembes, Bukuria e Naimit, poezia e përkryer e Mjedës dhe veçanërisht tingëllimat e tij. Nuk është vjetruar Noli as si poet, as si përkthyes e, madje, as si kritik letrar e publicist, nuk janë vjetruar idetë e tij shoqërore dhe sidomos erudicioni i tij i gjerë intelektual. Nuk janë vjetruar Lasgushi, Migjeni e Kuteli, tre yje të qiellit letrar shqiptar të qindvjetëshit që lamë pas, që shkëlqejnë secili në mënyrën e vet. Nuk janë vjetruar tekstet brilante të Konicës të tipit Lutje shkrimtarëve!, tregimi për Zullullandët, parabola Shqipëria si m’u duk… dhe sprova vizionare mbi gjuhët natyrore e artificiale e shkruar frëngjisht, nuk janë vjetruar disa nga satirat e Fishtës dhe ligjëratat e at’ Anton Harapit mbajtur në vitin 1936 para intelektualëve të Korçës me titull Vlerë shpirtnore, disa nga tregimet e Koliqit dhe sidomos prozat poetike për djaloshin e dashuruar në bukurinë e vet, Narcisin mitologjik, poezitë e tipit Hija e keqe, Juda i ri dhe Paradokse të Asdrenit, etj. Sa i përket letërsisë bashkëkohore, një pjesë e madhe e së cilës i pagoi haraç dogmës dhe dehjes së saj ideologjiko-politike gati gjysmëshekullore, lista e veprave letrare e shkencore (për vepra të mirëfillta filozofike nuk e di a mund të flitet ndër ne) dhe e autorëve që kanë hyrë në fondin e përhershëm të vlerave shpirtërore kombëtare e, deri diku, edhe universale është, megjithatë, e gjatë, por koha ende punon në verifikimin e përkohësisë apo përhershmërisë së tyre.

 Ju, me sa dimë, nuk jeni anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Mendoni se, duke pasur parasysh krijimtarinë tuaj poetike, shkencore, në radhë të parë si cilësi, por edhe si vëllim, mendoni se u është bërë  padrejtësi?
A. Vinca – Zgjedhja e anëtarëve të rinj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) bëhet çdo katër vjet. Unë deri tani tri herë kam qenë i propozuar për anëtar të kësaj akademie, por asnjëherë nuk e kam fituar numrin e duhur të votave për të hyrë në të. Në zgjedhjet e fundit (2004) referatin tim, shumë të plotë e të argumentuar, e mbështesnin me firmat e tyre tre anëtarë të rregullt të dy akademive tona: dy nga studiuesit më të shquar të letërsisë shqipe, akademik Rexhep Qosja dhe akademik Jorgo Bulo dhe njëri prej poetëve tashmë klasik shqiptar, akademik Enver Gjerqeku, por më kot. Unë përsëri nuk mora numrin e duhur të votave për të hyrë në ASHAK! Përse? Për arsyen e thjeshtë se nuk i takoj partisë që e ka uzurpuar këtë institucion dhe nuk bëj pjesë në grupin që bën ligjin në të! Në Akademinë e Kosovës kanë hyrë njerëz që nuk e kanë kryer as fakultetin, me titullin akademik janë stolisur edhe krijues që nuk zotërojnë as drejtshkrimin e gjuhës shqipe, ky nder u është bërë shumë “shkencëtarëve” pa vepra, në mesin e të cilëve ka mjaft teoricienë të vetëqeverisjes socialiste jugosllave, por në të nuk ka vend për mua dhe individë të tjerë të merituar, krijues e studiues të shquar, njerëz me numër të madh veprash dhe me kontribut të theksuar në fusha të ndryshme të jetës e të dijes. Se a është e padrejtë kjo apo jo përsëri nuk më takon mua të flas, por e di se shumë njerëz habiten dhe ka të tillë, madje, që nuk besojnë (nuk u mbushet mendja) se unë nuk jam anëtar në ASHAK. (Në një rast, kur ishte gjallë, më është dashur të harxhoj bukur shumë energji për ta bindur mikun tim të ndjerë, poetin Azem Shkreli, të cilit po ashtu kurrë s’iu hapën dyert e Akademisë sonë, se unë nuk jam akademik!)

Maji i këtij viti është përvjetori i 60-të i datëlindjes suaj. A mund të tregoni për lexuesin e revistës sonë disa nga planet e afërta dhe të largëta të krijimtarisë suaj?
A. Vinca – Plane kam shumë, sigurisht, por nuk e di a është mirë t’i zbuloj (të mos them trumbetoj) ato para lexuesve. Një miku im i madh, studiues e shkrimtar, që njihet si njeri racional dhe që si i tillë nuk flet pothuajse kurrë për planet e veta krijuese, por punon vazhdimisht për sendërtimin e tyre, e ka zakon ta citojë shpesh shkrimtarin e madh amerikan Uilliem Fokner, i cili paskësh thënë: “Tregimi që tregohet nuk shkruhet”.

 

 

Be First to Comment

Komento

error: Content is protected !!